E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shqiptar, i dyshuar për sulme seksuale ndaj studenteve të Oksfordit

13/06/2011  Policia angleze nxjerr urdhër-arrestin. I pesti sulm seksual në 8 ditë në Oksford

ANGLI- Për një 20-vjeçar shqiptar është lëshuar një urdhër-arresti si një ndër autorët e dyshuar për sulmet seksuale ndaj studenteve në Universitetin e Oksfordit në Angli. Autoritetet vendase janë detyruar të lëshojnë urdhër-arrestin, bashkë me një aziatik, pasi femrat e sulmuara kanë dhënë përshkrime që u ngjasojnë atyre. Lajmi mësohet nga mediat angleze dhe specifikisht Cherwell.org, e cila raporton se dje në mëngjes u shënua edhe rasti i pestë në tetë ditë, kur një 19-vjeçare është sulmuar seksualisht në orët e hershme të mëngjesit e diel në Westbury, në zonën Cowley të qytetit. Viktima u qëllua me grushte disa herë në kokë, teksa sulmuesi e shtyu në tokë dhe e ngacmoi seksualisht para se ajo arriti të ikë në drejtim të Rose Hill Road. Incidenti ishte sulmi i pestë seksual në 8 ditë në Oksford, duke shtuar katër sulmet e mëparshme të dy femrave të Universitetit të Oksfordit dhe Oxford Brookes. Dy gratë e moshës 21 dhe 24 vjeçe janë sulmuar në mes të rrugës Southfield dhe Cowley, në orët e hershme të së dielës, më 29 maj, teksa dy studentet e tjera 19 dhe 20 vjeçe u sulmuan në një zonë të ngjashme në orët e hershme të së enjtes së kaluar. Policia ka menduar fillimisht se pesë incidentet mund të jenë të lidhura, por megjithatë, në raportin e fundit të nga policia e Valley Thames, detektivi inspektor Simon Morton tha se “disa detaje kanë ardhur në dritë që na çojnë të besojmë se sulmuesi në këtë incident është i ndryshëm nga njeriu që kryen sulmet e mëparshme”. Shumë studente kanë marrë e-maile, ku janë paralajmëruar që të shmangin shëtitjet natën të pashoqëruara, veçanërisht në zonën Cowley.

Shqiptari i dyshuar

Policia ka lëshuar tashmë dy urdhër-arreste që u përshtaten njerëzve që ata do të donin të merrnin në pyetje në lidhje me këto sulme. Mediat angleze thonë se një ndër sulmuesit besohet të jetë rreth të 20-ave, ndoshta shqiptar, rreth 1.67 i gjatë, pa mjekër, pra me fytyrë të rruar, trup mesatar, me flokë të errët dhe lëkurë ngjyrë ulliri. Ai besohet të ketë një shenjë pickimi në dorën e tij, e cila rezulton të jetë shkaktuar në një nga sulmet. Sakaq, sulmuesi tjetër, i cili besohet të ketë kryer këto sulme është përshkruar si “oriental apo aziatik, rreth 20 vjeç, rreth 1.73 i gjatë, me trup të mesëm dhe flokë të zeza të shkurtra. Sakaq, këto karakteristika të këtyre personave të dyshuar për këto sulme seksuale, u janë dhënë ekspertëve të policisë nga vetë viktimat. Kontingjenti kriminal i shqiptarëve në Angli është përshkruar herë pas here si një ndër më të rrezikshmit, ku mediat kanë botuar herë pas here raporte se kryesisht në Londër strehohen ende rreth 100 kriminelë të rrezikshëm, të cilët akuzohen për krime të ndryshme, kryesisht trafik droge, femrash apo vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›