Barça, kthehen shkëndijat mes Rajkardit dhe Ronaldinjos
Situata te Barcelona nuk është aspak e qetë: skuadra nuk ka shkëlqimin e përpara dy sezoneve dhe qëndrimi i Frenk Fajkard në stol nuk duket i sigurt. Tensioni është parë qartë në një episod që brenda pak orëve ka bërë xhiron e botës, "debati" me Ronaldinjon. Të hënën, pas ndeshjes me Deportivon, katalanët zhvilluan një seancë të lehtë stërvitore, me karakter më shumë çlodhës dhe Rajkard ka mbetur i pakënaqur nga indiferentizmi i treguar nga ylli brazilian, të cilin presidenti Laporta e ka cilësuar si "një nga pikat e referimit të ekipit". Të gjithë futbollistët zbritën në fushat stërvitore të La Masias për të filluar përgatitjet e takimit në Ligën e Kampioneve me Shtutgartin. Në fund të seancës, skuadra përfundoi ushtrimet çlodhëse të shoqëruara me vrapime dhe po i drejtohej dhomave të zhveshjes, ndërkohë që Ronaldinjo po bisedonte dhe qeshte me mikun e tij, Lionel Mesi. Situata dukej e qetë, por jo për trajnerin, që përpara gazetarëve i ka kërkuar brazilianit të kthehet dhe të kompletojë ushtrimin, pasi nuk e kishte kryer në mënyrën e duhur. Fillimisht numri 10 u soll sikur nuk dëgjoi asgjë, duke detyruar Rajkardin që të ngrinte tonin e zërit. Duke përdorur një shprehje tejet serioze, drejtuesi i stolit "Blaugrana" i kërkoi futbollistit që t‘i kryente edhe një herë ushtrimet, kësaj radhe duke i kushtuar vëmendjen e duhur.
Mediat spanjolle e kanë cilësuar episodin si një "luftë psikologjike" ndërmjet Rajkardit dhe Ronaldinjos. Momenti i vështirë që po kalon braziliani duket në çdo aspekt, duke filluar nga përkushtimi në stërvitje deri te paraqitjet jo në lartësinë e kërkuar në ndeshje. "Trajneri arriti atë që donte, Ronaldinjo ribëri ushtrimin e fundit, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës, por sërish me impenjim minimal", shkruante e përditshmja spanjolle "Sport". "Duke parë indiferentizmin e brazilianit, trajneri e kapi nga krahu dhe vrapoi së bashku me të, duke rritur në këtë mënyrë edhe intensitetin e stërvitjes". Në këtë mënyrë Rajkardi ka reaguar ndaj sjelljeve më të fundit të futbollistit, që deri më tani ishin dukur se po kalonin pa u vënë re nga stafi teknik. Gjithsesi, "incidenti" nuk u ekzagjerua dhe tekniku dhe mesfushori janë larguar së bashku nga fusha.
Ajo që ndodhi bëri bujë, mbi të gjitha prej momentit delikat ku ndodhet marrëdhënia e Ronaldinjos me klubin e Barcelonës. Pothuajse gjatë gjithë javës së kaluar, situata ka qenë e tensionuar mes aktivizimit të pakët në lojë dhe zërave të merkatos që e lidhnin lojtarin me një transferim të mundshëm te Çelsi apo Milani. I çuditshëm në të gjithë këtë histori mbetet fakti përse Frenk Rajkard ka preferuar që debati të bëhet publik, përpara syve të gazetarëve, dhe jo në një ambient të veçuar.