Beteja për “D2”-shin
Vendimi i kohëve të fundit i qeverisë për t’i lejuar vetëm kompanisë ish-shtetërore dhe të sapoprivatizuar ARMO që të shesë në tregun shqiptar naftë të cilësisë së dytë (që thirret rëndom “D2” tek ne) dhe të prodhuar nga puset tona, ka shqetësuar një varg firmash të shumicës tek importi i karburanteve. Duke mos u lejuar të importojnë më naftë “D2”, ato edhe nuk munden dot ta përziejnë më me naftën e cilësisë së parë, për të shtuar abuzivisht fitimet. Në mbrojtje të abuzuesve janë vënë gabimisht edhe përfaqësues të opozitës, duke u bërë më katolikë se Papa. Këta i kanë mëshuar shqetësimit që do të ketë Bashkimi Evropian dhe organizmat e tij vrojtues të barazisë nëpër tregje në vendet kandidate apo aspirante, lidhur me këtë situatë pothuajse monopol të shitjes së naftës “D2” në Shqipëri. Preket barazia e vepruesve në treg (a thua se tregu shqiptar i karburanteve ka qenë gjithnjë i pastër dhe pa konkurrencë të devijuar, deri tani!). Por përse e gjithë kjo zhurmë qe i ngjan gati një beteje mediatike? Për t’i lejuar ARMO-s të mbajë gjashtë mijë punonjës shqiptarë, që mbajnë me bukë gjashtë mijë familje po shqiptare përgjatë këtij viti, duke shitur në treg naftën “D2” të Ballshit (dhe këtu nuk po përmendim përfitimin mjedisor nga mosshitja masive e naftës “D2” prej të gjitha kompanive në treg - kjo naftë ka përmbajtje shumë të lartë squfuri dhe ndot bindshëm ajrin). Një manovër e pastër mbrojtjeje e prodhimit të naftës në vend, për të mos lejuar pasoja sociale nga ristrukturimi i menjëhershëm i ARMO-s. Dhe për vetëm një vit. Masa të tilla të përkohshme në mbrojtje të prodhimit vendas apo të gjendjes sociale në vende të ndryshme të zhvilluara apo në zhvillim, si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), ashtu edhe Komisioni Evropian i kanë mirëkuptuar dhe lejuar. Pakkush e di, por ne si vend anëtar i OBT-së jemi lejuar të subvencionojmë (pra, të deformojmë tregun bujqësor me para ndihma e drejtpërdrejta të dhëna nga shteti) deri në pesë për qind të prodhimit tonë të përgjithshëm bruto. Po ashtu, OBT-ja ka pranuar zbritje graduale tarifash doganore për mallrat që prodhohen edhe nga industritë-bebe të vendit tonë, në mënyrë që të lejojë fuqizimin e tyre. Mirëpo kur bëhet fjalë për mbrojtje të përkohshme në prodhimin e arit të zi, tellallët e paguar nga firmat tona të shumicës në tregun e karburanteve nuk munden të veprojnë kësisoj. Ata duhet me patjetër të mbrojnë interesat e prekura të shtatë motrave që formojnë kartelin, i cili ka qenë mbret i pakurorëzuar i tregut të naftës tek ne. Ndërkohë që konsumatorët shqiptarë, pronarë automjetesh kanë vuajtur gjatë gjithë tranzicionit prej 18 vitesh pikërisht nga çmimi pothuajse monopol që këto kompani të kartelit, të prekura nga ky vendim i tanishëm i qeverisë kanë zbatuar në tregun shqiptar. Pse atëherë këto kompani nuk e ngrinin zërin deri sot për pozitën monopol? Apo pse këtë pozitë e kishin vetë?! Ja përse çdo përpjekje për t’i mbrojtur këto thithëse të pangopura të gjakut - të ardhura të konsumatorëve shqiptarë - është e pamoralshme. Ndërsa shqetësimet për kontrollin rigoroz të ARMO-s gjatë këtij viti, ku ajo paraqitet e vetmja kompani që shet “D2” në treg, janë më se të drejta. Kontrolli nuk duhet të jetë formal, pse pa u kontrolluar si duhet, mund të ndodhë që ARMO ta importojë “D2”-shin, për ta shitur pastaj si naftë të prodhuar në vend. Asnjë abuzim nuk duhet pranuar dhe për këtë si Autoriteti i Konkurrencës, ashtu dhe njësitë e kontrolleve tatimore në Ministrinë e Financave lypset të marrin masat e duhura. Mediat e kujtdo ngjyre apo përkatësie biznesi e kanë të gjithë moralin dhe të drejtat e hetimit nëse nga pozicioni pothuajse monopol për “D2”-shin i ARMO-s abuzohet në treg. Por kurrsesi asnjë media nuk ka moral sot të ngrejë zërin për një masë të përkohshme që favorizon thjesht një veprimtar në treg që mban gjashtë mijë familje shqiptare me bukë.
Fatos Çoçoli