Molla qe?
Edmond Tupja
Nuk dihet se çfarë qe, molla apo fikthi. Kam parasysh Adamin, të parin tonë ...Në fjalor i gjejmë të dyja: edhe mollën e Adamit, edhe fikthin. E kam fjalën për atë lloj kërci të fortë që, neve, meshkujve të mjerë, na ka dalë në fyt qysh në kohët parabiblike, kur e para jonë Eva, e shtyrë nga kureshtja femërore (që iu shfaq nga Shejtani në formë gjarpëri, gjithashtu simbol falik), e nxiti të parin tonë Adam ta provonte mollën e ndaluar (gjithashtu simbol i rrumbullakësive aq fort të dëshirueshme të femrës), pra, frytin e dijes që e kishte dhe duhej ta kishte vetëm Zoti. Pra, nuk qe fik, sepse, për hir të së vërtetës, nga fiku Adami mori vetëm gjethen për të mbuluar atë që iu desh të mbulonte, që mos ia hante ndonjë shpend grabitqar duke e pandehur për krimb apo gjarpërth. Në disa gjuhë të tjera, flitet për gjethe rrushi, çka më duket më koherente, sepse vetëm kjo lloj gjetheje mund t'ia fshihte me sukses rrushin Adamit pa ia marrë frymën. Gjithsesi, raca njerëzore u dënua me punë që të vuante duke u rropatur për të mbijetuar pambarimisht, brez pas brezi, të paktën në këtë botë; që kjo të bëhej e mundur, ajo u dënua edhe me riprodhim seksual, por që ky lloj riprodhimi të bëhej tërheqës, Zoti e shoqëroi me kënaqësi të tillë që të bënte, për disa çaste, të harroje se kishte vdekje. Kështu na mëson, me sa di, gojëdhëna biblike.
Po të heqim një paralele midis kësaj gojëdhëne biblike dhe situatës politike në çdo vend të botës, por sidomos e kryesisht në Shqipërinë postkomuniste dhe pseudokapitaliste të ditëve të sotme, do të mund t'i vështronim dukuritë si vijon:
Meqë pushteti në planetin tokë përgjithësisht dhe në Shqipëri veçanërisht konceptohet turbullazi nga pushtetarët si diçka e ngjashme me pushtetin qiellor, si diçka që u jep atyre të drejta gati të pakufizueshme, ai, pra, ky pushtet, mund të konsiderohet si mollë e ndaluar, të kafshuarit apo të shijuarit e së cilës i bën ata të ndihen perëndi, gati rivalë e konkurrentë të Zotit, të plotfuqishëm e të gjithëpushtetshëm pothuajse si dhe sa Ai. Nga ana tjetër, shembuj jo të pakët tregojnë se gratë e diktatorëve dikur dhe bashkëshortet e nderuara të pushtetarëve në botën e sotme, pra, edhe në Shqipëri, luajnë, cila më shumë e cila më pak, rolin e Evës. Dhe ja, vjen një ditë kur, falë zgjedhjeve parlamentare, politikanët e këtij apo atij krahu, kthehen në pushtetarë. Gëzim, hare, lumturi. Por harrojnë që kanë kafshuar mollën e ndaluar dhe se për këtë do të paguajnë. Unë kam detyrimin moral dhe nderin qytetar t'u kujtoj atyre se herët a vonë, në fyt apo diku tjetër, ka për t'u dalë kërci i fortë i të parit Adam si damkë e pashlyeshme e babëzisë së tyre për pushtet.
Risia e përjetshme njerëzore është se kjo mollë e ndaluar, pikërisht se është e tillë, kthehet detyrimisht e vazhdimisht në mollë sherri midis shumicës që i sjell në pushtet dhe opozitës së privuar nga ky pushtet. Ky sherr, natyrisht, ndjek një lakore të caktuar duke kombinuar acarimin me paqësimin, pabesinë me besimin, fyerjet me lajkat e të tjera çifte të kundërtash, por pa të nuk mund të përfytyrohet assesi jeta politike.
Mos vallë ata harrojnë se të gjithë një ditë do të shkojnë, si tërë gjallesat njerëzore, te molla e kuqe, pra, do të vdesin, dhe se nami (i mirë ose i keq) dhe pasuritë e vëna, sidomos këtu, në Shqipëri, falë pushtetit, nuk do të mund kurrsesi t'i marrin me vete? Sidoqoftë, u duhet kujtuar atyre, se kur një ditë të bukur, më falni të shëmtuar, të bien nga fiku i pushtetit, mund t'u shëmben të ndenjurat! Prandaj, para se të hipin në atë fik, le të kujtojnë gojëdhënën biblike dhe t'i bëjnë vetes pyetjen: "Molla qe?", nëse duan të mos vriten shumë në mollaqe.
Së fundi, përsa i përket ceremonisë së varrimit të tyre (sepse, sado gjatë të jetojnë, çka ua uroj me gjithë zemër, të pavdekshëm nuk janë), do të ketë aq shumë njerëz sypërlotur të pranishëm në varreza, saqë me siguri në mediat elektronike do të thuhet dhe në gazeta e revista do të shkruhet se "nuk kishe ku të hidhje mollën". Të jeni të bindur, lexues të vëmendshëm të rubrikës sime, se me të dëgjuar apo lexuar fjalën "mollë", mua mendja do të më shkojë aty për aty tek molla e ndaluar e te molla e sherrit dhe, pa zë, do t'u them merhumëve: "Po, molla qe shkaku i vdekjes suaj!".