E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi për shokun e Altin Dardhës

Autori i Lajmit: red.
Shtyhet sërish gjyqi për ish-anëtarin e bandës së Altin Dardhës. Mungesa e prokurorit Tasim Puci është bërë për të disatën herë shkak për shtyrjen e seancave gjyqësore. Në seancën e djeshme, Puci kishte paraqitur një kërkesë për shtyrjen e seancës, pasi ai kishte një rast vdekjeje. Në sallë ishin të pranishëm edhe i pandehuri Gëzim Kasëmi si dhe avokati i tij mbrojtës. Kasëmi akuzohet për vrasje me dashje në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Kasëmi, është dënuar në formë të prerë në shtator të vitit 2001 nga Gjykata e Apelit në Tiranë me 23 vjet burg, duke u deklaruar fajtor për vrasjen e 4-personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në qytetin e Beratit". Tashmë i pandehuri po rigjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë. I pandehuri akuzohet gjithashtu edhe për një sërë veprash penale të kryera në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të bandës së Altin Dardhës në qytetin e Beratit. Kasëmi për herë të parë është dënuar në mungesë. Por në muajin janar 2007, ai është ekstraduar nga Italia, pasi ishte arrestuar nga policia italiane për llogari të drejtësisë shqiptare. Gëzim Kasëmi, më 25 shkurt të vitit 1998, në një lokal në Berat, në bashkëpunim me shtetasin Agron Balliu kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Burhan Tomori, Abdyrrahim Tomori, Behar Eskiu dhe Kastriot Bejko, si dhe kanë tentuar të vrasin shtetasin Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›