E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, maskat grabisin pikën e këmbimit valutor

Autori i Lajmit: red.
Maskat grabisin një agjenci të këmbimit valutor në Durrës. Ne mes të ditës, në zonën më të populluar të Durrësit, dy persona të armatosur kanë kërcënuar punonjësen e njësisë dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur prej saj një sasi të konsiderueshme të hollash. Pas hetimeve paraprake, mësohet se personat e maskuar kanë grabitur 2300 dollarë dhe 4100 euro që ndodheshin në arkën e agjencisë. Pasi kanë marrë paratë, dy personat kanë arritur të largohen. Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e grabitësve, por ka mbledhur dëshmitë e kalimtarëve të rastit, që gjendeshin në vendin e ngjarjes dhe të punonjëses së njësisë. Për shkak të maskave, asnjë prej dëshmive nuk ka dhënë një version të saktë në lidhje me pamjen fizike të dy grabitësve.
Ngjarja
U janë dashur vetëm disa minuta “punë” dy grabitësve të marrin nga një pikë këmbimi valutor rreth 6 mijë euro dhe të largohen pa lënë pas asnjë gjurmë për policinë. Ngjarja ka ndodhur dje, në orën 10:00 të mëngjesit, pranë stacionit të trenit në Durrës. Në pak minuta, dy të rinj kanë hyrë në agjencinë e transferimit të parave që ndodhet pranë stacionit të trenit në qytetin bregdetar dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar punonjëses së vetme që ndodhej aty, dorëzimin e parave. Punonjësja e terrorizuar ka dorëzuar paratë që ndodheshin në arkë, konkretisht 4100 euro dhe 2300 dollarë si dhe 12 mijë lekë. Pas largimit të të rinjve me paratë, punonjësja ka lajmëruar menjëherë policinë. Efektivët blu, pasi mbërritën në vendngjarje, morën në pyetje punonjësen për të marrë më shumë informacion rreth pamjes fizike dhe veshjes së dy të rinjve që e grabitën.
Hetimet
Menjëherë pas grabitjes policia ka marrë në cilësinë e pronës kamerat e sigurisë së njësisë së grabitur, dëshminë e punonjëses dhe të dëshmitarëve okularë. Por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur asnjë të arrestuar për ngjarjen. Tashmë pritet zbardhja e kasetës së kamerës së sigurisë dhe përpunimi i të dhënave të tjera për të realizuar identikitet e të dyshuarve për grabitjen. Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë, një tjetër grabitje u shënua në qytetin e Lezhës, ku punonjësve të postës iu vodhën 5 milionë lekë. Ndërsa në kryeqytet grabitjet me armë e me maska të pikave të këmbimit valutor kanë shënuar rritje në muajt e fundit.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›