E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyjkata e Krimeve nis gjykimin për Arjan Kanen

Autori i Lajmit: red.
Arjan Kane, i ekstraduar nga Italia vetëm pak ditë më parë, ka dalë dje përpara togave të zeza për t u njohur me akuzat që rëndojnë mbi të. Gjykata e Lartë ka rikthyer sërish vendimin e dhënë ndaj tij dhe ai do të rigjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi në gjykimin e parë janë konstatuar parregullsi. Mbi Kanen do të rëndojnë disa akuza, më e rënda është ajo për “trafikim të qenieve njerëzore për prostitucion”. Ka shfrytëzuar tri vajza për prostitucion në rrugët e Italisë, mes tyre dhe të fejuarën e tij. Të ardhurat e siguruara i ka investuar në biznese në Tiranë e Fier. Por “aventura” nuk ka zgjatur për shumë kohë, pasi njëra prej viktimave ka mundur ta denoncojë e më pas Prokuroria ka vërtetuar akuzat për trafik prostitucioni. I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare prej rreth tre vjetësh, Arjan Kane është sjellë në pranga nga Italia vetëm pak ditë më parë. Biznesmeni fierak ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie, vendim ky i dhënë në mungesë. Sipas burimeve zyrtare pranë Policisë së Shtetit, mësohet se fieraku është vënë në pranga në Milano më 18 dhjetor të vitit 2007 për llogari të drejtësisë shqiptare. Arjan Kane akuzohet se në dhjetor të vitit 2001 ka trafikuar në drejtim të Italisë me qëllim shfrytëzimin për prostitucion të fejuarën e tij me inicialet H.XH. Sipas vendimeve të gjykatës, Kane dhe një bashkëpunëtor i tij, pronarë të një kompleksi sportiv në kryeqytet dhe një hoteli në Fier, kanë shfrytëzuar disa vajza në trotuaret e qyteteve italiane, fitimet e të cilave i kanë investuar në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Kane ka trafikuar drejt Italisë edhe dy vajza të tjera, L.K. dhe M.D., të cilat i kishte dërguar në Itali duke u falsifikuar dokumentet e udhëtimit njëlloj si të fejuarës së vet. Gjatë procesit gjykata ka administruar në seanca gjyqësore dëshmi dhe fakte që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e disa vajzave të tjera nga të dënuarit, por që ka qenë e pamundur ngritja e akuzës për ta, pasi faktet kanë qenë të paplota. Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2007 ka vendosur konfiskimin e kompleksit sportiv në Tiranë dhe të një autoveture tip “Benz”, të cilat është vërtetuar se ishin rrjedhojë e fitimeve që ata kishin nxjerrë nga shfrytëzimi i vajzave në rrugë.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›