E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria merr të pandehur dy mjekë të tjerë për korrupsion

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Hetimet për mjekët që marrin ryshfet kanë zbuluar edhe dy persona të tjerë që kanë qenë të përfshirë në aferat që bënin kolegët e tyre. Prokuroria e Tiranës, së bashku me mjekun Agim Karaj, i cili akuzohet për “korrupsion pasiv”, do të çojë në gjykatë edhe dy kolegë të tij, një mjek dhe një infermiere të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët kanë pasur dijeni për aktivitetin e paligjshëm. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se dy personat e tjerë që do të merren të pandehur do të përballen me akuzën e “moskallëzimit të krimit. Emrat mjekëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, por Prokuroria bën me dije se ata do të çohen në gjykatë së bashku me mjekun në arrati Agim Karaj. Sipas hetimeve, ka rezultuar se dy mjekët që do të merren nën akuzë kanë dijeni për aktivitetin e jashtëligjshëm të kolegut të tyre, por në asnjë moment ata nuk kanë bërë kallëzim për këtë veprim.
Mjekët
Hetimet për mjekun Agim Karaj janë në përfundim dhe shumë shpejt do të dorëzohen në gjykatë për të vazhduar gjykimi. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje të gjithë mjekët dhe infermierët që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me mjekun onkolog Agim Karaj. Përveç mjekut dhe infermieres së vënë nën akuzë, në pyetje janë marrë edhe shumë mjekë të tjerë, por nga pyetja e tyre nuk është arritur të nxirret asnjë e dhënë, pasi mjekët kanë qenë tepër të mbyllur në deklaratat e dhëna. Gjithashtu, organi i akuzës ka rimarrë në pyetje edhe familjarët denoncues, të cilët mund të jenë edhe dëshmitarë në procesin gjyqësor. Agim Karaj do të gjykohet në mungesë pasi, që prej kohësh ai është larguar në drejtim të paditur. Gjykata e Tiranës e la atë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërkaq nga apelimi i vendimit, gjykata vendosi rikthimin e tij në qeli. Por ky vendim ka detyruar mjekun që të largohet në drejtim të paditur. Por edhe pas këtij vendimi Gjykata e Lartë dha vendimin që mjeku të lihej me “arrest shtëpie”. Por edhe pse ky vendim ishte në favor të tij, ende nuk dihet një vendndodhje e saktë e mjekut Agim Karaj, dosja e të cilit shumë shpejt do të dorëzohet në gjykatë.
Hetimet
Ish-shefi i Onkologjikut, Agim Karaj, u prangos, pas denoncimeve të disa familjeve të pacientëve, të cilët pretendonin se kishin dorëzuar në duart e mjekut shuma të mëdha parash. Kirurgu i njohur dyshohet se merrte 60-70 mijë lekë për një operacion. Ish-shefi i Onkologjikut, është vetëm një nga emrat e mjekëve që janë renditur në listën e zezë për marrje ryshfeti dhe korrupsion dhe që kanë provuar prangat. Agim Karaj ra në pranga në sajë të operacionit të koduar “Plaga e hapur”. Prokuroria bllokoi në cilësinë e provës materiale shumën prej 8 mijë eurosh, 40 mijë lekë, dy aparate telefoni celularë, një autoveturë dhe një sasi e konsiderueshme medikamentesh të ndryshme, që ishin në makinën e shefit të Kirurgjisë të Onkologjikut, në QSUT. Specialistët e Antikorrupsionit pranë Policisë së Tiranës kishin siguruar informacione në rrugë operative disa kohë më parë se kirurgu i njohur i Onkologjikut caktonte shuma të konsiderueshme parash kundrejt një operacioni. Njësia e Task-Forcës, e cila ka në duart e saj dosjen e 58-vjeçarit, do ta hetojë atë në gjendje të lirë deri në përfundim të hetimeve të saj, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e la mjekun në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›