BE-ja, më 14 qershor jep skemën e zgjidhjes së krizës shqiptare
Eljona Ballhysa
Pas përfundimit të afatit prej 3 javësh, të vënë nga ndërkombëtarët, politika shqiptare nuk arriti ta zgjidhë vetë krizën politike dhe për këtë qëllim zgjidhja pritet të vijë nga Bashkimi Europian. Pikërisht më 14 qershor, ditën e hënë, do të mblidhen në Luksemburg ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët në axhendën e punimeve kanë përfshirë edhe diskutimin mbi situatën politike në Shqipëri. Këtë herë duket se nuk do të ketë një afat të dytë për politikën shqiptare, porse zgjidhja do të propozohet, madje dhe imponohet nga faktori ndërkombëtar. 27 ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian, me në krye baroneshën Kethrin Eshton, shefen e Diplomacisë së BE-së, do të hartojnë një deklaratë të prerë për zgjidhjen e krizës shqiptare duke i dhënë një dimension më dramatik paralajmërimit të bërë me kohë nga krerët e Brukselit. Në axhendën e mbledhjes së Këshillit të Jashtëm theksohet se “për Shqipërinë, Këshilli do të diskutojë për situatën politike në sfond të përpjekjeve lehtësuese të nismës së ndërmarrë nga krerët e dy grupeve parlamentare të PPE-së dhe PSE-së, Daul dhe Shultz, të cilët janë mbështetur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kathrin Eshton dhe komisioneri Fyle. Këshilli pritet të diskutojë dhe të mirëpresë rezultatet e takimit të nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë më 2 qershor, në drejtimin e ministrit të Jashtëm të Spanjës, Moratinos. Ai gjithashtu bën thirrje për një angazhim të palëvizshëm të BE-së për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në linjën e axhendës së Selanikut”, - shkruhet në axhendën e punimeve të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Qëndrimi
Kur ka kaluar afati i përcaktuar nga Strasburgu për krerët e dy partive politike, Parlamenti Europian ka përgatitur një draft, të cilin do të duhet ta firmosin kryetari i PD-së, zoti Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Në rast të kundërt janë paralajmëruar edhe sanksionet, të përcaktuara qartë në draft-rezolutën e Parlamentit Europian. Dy eurodeputetët, Viktor Boshtinaru dhe Eduard Kukan, përfaqësues të grupimeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, bënë të ditur pak ditë më parë detajet e përgatitjes së dokumentit. “Të majtët dhe të djathtët europianë kanë rënë dakord për një draft zgjidhjeje, gjë të cilën do t’ia propozojnë me telefon Tiranës”, - tha eurodeputeti Boshtinaru, i cili e vizitoi Tiranën zyrtare para pak javësh, ku bisedoi me palët për mundësitë e një zgjidhjeje të krizës që ka mbërthyer Shqipërinë që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Drafti
Ndonëse krerët e dy partive kryesore politike në Shqipëri nuk kanë dhënë asnjë shenjë për kompromis, zgjidhja pritet të propozohet nga BE-ja dhe dy protagonistëve të politikës shqiptare nuk u mbetet asgjë tjetër veçse të firmosin paketën e propozimeve, në rast se duan integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes”, - tha eurodeputeti Boshtinaru, nënkryetari i Delegacionit të Marrëdhënieve mes PE-së dhe vendeve të Ballkanit: Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë–Hercegovinës. Në një intervistë pak ditë më parë ai u shpreh se “ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t’u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin dy partitë”. Sipas tij, Rama dhe Berisha “duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”. Ai ka rrëfyer për detajet dhe fshehtësinë e përgatitjes së dokumentit që do t’u dorëzohet krerëve të dy partive politike. Në takimin e organizuar në Parlamentin Europian, të djathtët dhe të majtët europianë janë përfaqësuar nga kryetarët dhe nënkryetarët respektivë, po thuhet se i pranishëm gjatë bisedimeve mbi Shqipërinë ishte dhe kreu i Delegacionit për Ballkanin, Kukan. Vetë Kukan nuk ka bërë komente për bisedimet, por u shpreh se “po bëjmë ç’është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshje. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq, sepse ne deri tani s’kemi asnjë lajm prej tyre që të kenë arritur marrëveshje”, - është shprehur Kukan. Eurodeputeti Boshtinaru ka hedhur poshtë mundësinë e organizimit të një darke të dytë “Crocodile” në Strasburg, por ka shtuar se “nëse drafti pranohet, ai do të firmoset shpejt edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe të Komisionit”. Të njëjtin mesazh, zoti Boshtinaru e përsëriti për politikën shqiptare edhe në konferencën e organizuar dje në Bruksel për çështjet e zgjerimit të BE-së.
Ballkani, kryefjala e takimit të Luksemburgut
Më 14 qershor, shefat e diplomacive të vendeve të Bashkimit Europian do të takohen në Luksemburg, ku, ndër të tjera, do të diskutojnë edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor. Në axhendën e Presidencës spanjolle të BE-së është parashikuar që takimi të zhvillohet vetëm tri ditë para Këshillit Europian. Sipas axhendës së aktiviteteve të kësaj presidence, në krye të çështjeve që do të shtrohen për diskutim është çështja e Iranit. Më pas renditen problemet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, Kubën, Gjeorgjinë, Sudanin, Procesin e Korfuzit (lançuar nga OSBE-ja) dhe sfidat që përfshijnë objektivat e mijëvjeçarit. Vetëm dy javë më parë, Presidenca spanjolle e BE-së organizoi takimin e nivelit të lartë mes ministrave të Jashtëm të Ballkanit, BE-së, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe organizmave ndërkombëtare.
Ndërhyrja e ndërkombëtarëve i dha fund grevës së PS-së
Vetëm ndërhyrja e Brukselit ndërpreu grevën e urisë së organizuar nga PS-ja dhe i hapi rrugën një tryeze informale në Strasburg mes Berishës dhe Ramës, e organizuar nga dy grupimet më të mëdha politike në Parlamentin Europian. I pranishëm ishte edhe komisioneri Shtefan Fyle. Pak ditë më vonë zbarkoi në Tiranë një delegacion me ekspertë nga BE-ja, të cilët diskutuan me drejtuesit dhe ekspertët e PS-së dhe të PD-së për kushtet që propozojnë palët. Ndonëse kanë kaluar plot tri javë nga takimi i zhvilluar në Strasburg, deklaratat publike të Berishës dhe Ramës tregojnë se palët janë ende larg. Tani ata kanë filluar të akuzojnë njëri-tjetrin se me qëndrimet që po mbajnë po rrezikojnë integrimin e Shqipërisë. Por, drafti që do të vijë nga Parlamenti Europian është oferta e vetme që palëve u ka mbetur për të pranuar, përderisa ata nuk e kanë gjetur gjuhën e kompromisit deri tani. Eurodeputeti i majtë, Johanes Svoboda, e konsideroi fatkeqe krizën politike në Shqipëri para dy ditëve, por edhe disa javë më parë ka kërkuar zgjidhje të krizës, qoftë duke hapur edhe disa kuti të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Propozimi i ndërkombëtarëve
Ndërkombëtarët po përpiqen së pari që palët të bien dakord të hetojnë zgjedhjet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën ta ketë opozita, bashkë me kryetarin e komisionit. Në propozimin e tyre parashikohet që të shqyrtohet mundësia që nëpërmjet këtij komisioni, Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen që i përket hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese propozohet që të merret opinioni i Komisionit të Venecias përsa i përket kërkesës kryesore të PS-së, që është hapja e kutive me fletët e votimit. Më pas propozohet që palët të pranojnë hapjen e kutive me materialet zgjedhore dhe së fundi që të dyja partitë politike të nisin punën për të realizuar reformën e re zgjedhore sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati para zgjedhjeve lokale. Ndërkombëtarët propozojnë ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve parlamentare, bashkëpunim për një reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë.
14 Qershor 2010