Një tërmet i fuqishëm godet Kilin
Dje, Kili është përfshirë nga njëri prej tërmeteve më të fuqishëm që kanë goditur vendin në historinë moderne të tij, me një forcë të tillë që ka goditur dhe rrënuar shtëpi, ka shembur ura dhe ka përmbysur makinat që kanë qenë duke ecur. Më pas, një cunam me një magnitudë 8.8 ballëshe ka rrezikuar dhe kërcënuar të gjitha vendet që ndodhen në Oqeanin Paqësor, që përbëjnë një të katërtën e globit. Ata që kanë qenë në epiqendrën e goditjes e kanë ndjerë veten si të shkundur e goditur nga një dorë gjigante. Si pasojë kanë humbur jetën 120 persona, por bëhet fjalë për një vlerësim të parë që me siguri nuk është përfundimtar. Tërmeti ka tronditur godinat në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires, dhe është ndjerë edhe në Brazil dhe gjetkë në vendet fqinjë. Një pjesë e madhe e godinave në epiqendër të tërmetit janë shembur dhe kanë zënë brenda njerëz. Ndërkohë në vendin e shembjeve të mëdha kanë mbërritur ndihmat e para të skuadrave të shpëtimit. Ajo që ka vështirësuar shumë punën dhe qarkullimin e ndihmave dhe të njerëzve ka qenë edhe shembja dhe rrënimi i rrugëve dhe urave që lidhin qytete të ndryshme. Në shumë zona u ndërprenë burimet e elektricitetit, uji dhe telefonat.
Në kryeqytetin e Kilit, Santiago, 325 kilometra në verilindje të epiqendrës, janë dëmtuar ndërtesa me rëndësi arkeologjike dhe historike. Ndërkaq rreziku i një cunami të madh që mund të përfshinte brigjet e disa vendeve ka përfshirë shumë qendra dhe shtete si Havain, Polinezinë dhe Tongan. Nëse do të krijohet një cunami nga goditja e tërmetit atëherë për Havain ai do të jetë më i egri që nga viti 1964. Dhe pikërisht Havai është edhe më i rrezikuari për pasojë të këtij tërmeti. Sipas ekspertëve një valë e madhe cunami ka të ngjarë që të godasë brigjet aziatike, australiane dhe ato të Zelandës së re brenda 24 orëve të para nga goditja e tërmetit. Zakonisht kjo është koha që i duhet një vale për të marrë forcë dhe për t’u shndërruar në një forcë shkatërrimtare. Të kërcënuara janë edhe brigjet perëndimore dhe Alaska. Gjithsej të kërcënuara janë 53 vende dhe territore, të cilat ndërkohë janë vënë nën paralajmërimin e cunamit. Presidentja e Kilit ka shpallur gjendjen e emergjencës në vend, por pavarësisht dëmeve të mëdha, qeveria nuk ka kërkuar ndihmë dhe asistencë nga vendet e tjera. Për sa i përket dëmeve, ato kanë prekur vetëm një pjesë të godinave të vjetra, sepse të rejat dhe sidomos ato në qendër të qyteteve janë ndërtuar me një teknologji sizmike që i mbron nga shembjet. Në Santiago të Kilit ka qenë një situatë shumë kaotike e shkaktuar nga tronditja, dëmet dhe ndalesat e qarkullimit dhe transportit për shkak të tyre.
#