Një teshtimë e Zotit
Luljeta DANO
Vjersha
Është vetiu brengosës shfletimi i një libri me këngë,
përse të bëhesh pjesë e saktësisë,
poeti tha:
Jam me univers!
Zgjidh fjalët më të shkurtëra,
dëshpëruar për fatin e poezisë,
që lindi duke u kënduar mirë
dhe po rritet
duke u kënduar keq.
TROJA 1 – Martesa
Në fushat e qershorit
feja e rrënjëve ngamot gëzuar.
Në fillim ishte fusha me lulkuqe.
Mandej erdhi gruri.
Ai i tha se zemra e saj ishte e urtë,
si manushaqe. S’kish ç’i duhej liria!
Uleshin në një bangë në shkollën e natës
prindërit e mi.
Ajo e mori provimin: Manushaqe! Manushaqe!
Kurse ai: Liria! Liria!
Ata të dy
u krijuan nga Zoti për njëri-tjetrin
me Ditën e Diellit.
Ata të dy, si shpata dhe mjekra,
ndanë tërë botën mëdysh,
ndanë njerëzimin nga Kina e Vjetër.
Ata të dy,
Si trëndafil kinez lodhur nga lulëzimi.
Pa bërë aspak punë nga lulëzimi lodhur aq shumë,
Ata të dy parahënorë,
vetëm se dikur, një – herë,
pa bërë ndonjë punë,
ndanë të dielën nga e hëna duke fjetur bashkë gjumë.
TROJA 2 – Stacioni i shtëpisë
Stacioni im i shtëpisë – te “Partizani i Panjohur”
ku pres me çantat e psonisjeve në dorë.
Banoj pranë Burgut të Grave
dhe dëgjoj shpesh një këngë greke:
Ne e bëmë dashurinë burg!
që s’më hiqet nga goja duke pritur autobusin.
Kryeqytetet e botës e duan
një monument Partizani të Panojur.
Kryeqytetet e botës e kanë
ushtrinë e burrave të krahut të lirë
të punës në të zezë.
Kush është prind veç me një bir
e beson
pse Bukë e peshk! një herë nga qielli ra.
Se Ai të vetmin Bir të Tij e dha,
ndaj s’mund të ishte dhe ndryshe, Rabin!
Veç një drekë dhe vetëm për një ditë.
Kuptimi: Unë Jam Ai Që Jam! Është në diamant.
Në zemër të diamantit, jo anëve,
por rrethuar nga drita e paktë e të papunëve,
të burgosurve, kotësive të të gjallëve.
Psonis, fshij, laj, gatuaj,
hekuros, paguaj faturat e muajit.
E hidhur zemërata me farën te fjala zemër,
zemër – zemëruar!
Ti që e ke dëgjuar
të lehurën e qenit të Burgut të Grave
sa herë ke folur në telefon me mua,
dhe rolin e antiheroit në histori e ke dëgjuar,
andej larg - e - zemërueshëm në mug
mban në gojë avazin grek:
Ne e bëmë dashurinë burg!
TROJA 4 – What’s Up në Komunitet
Në gji të Orikumit bie shi,
asnjë det nuk gëzon kështu
kur hyn ujë i ri.
Mollë kemi qenë në shportën
nga të gjitha frutet e kopshtit, në sheshe poftisi
grindja që njerëzve u hyri nga eklipsi.
Kryqëzohet kokëposhtë si Shën Andrea
Djali i pëllumbave të Shqipërisë
‘Smail Kadareja.
Tri herë kam tentuar të vras veten në jetë!
S’thuhen të gjitha, o President!
Fqinjët e mi e flasin gjuhën shqipe
me mbaresa mortale latinishteje.
Kur na bie në zemër Lahuta
bëhen njerëz ngado zogjtë e agut,
si gjoni dhe guguftuja.
Unë Ali dhe ti Aili!
S’ka Vasiliqi!
TROJA 6 – Parisi
Një teshtimë Zoti
krijoi gjuhët e popujve.
Në metronë e Parisit
merr frymë thellë dhe kollitu,
poet po të jesh,
se gjuhët e popujve çikë-çikë
të mbledhin ujë në brinjë.
Në Paris
nëse karamanjolën nuk zgjedh
me kokën nga shqipja këputur,
trekëmbëshi i fjalëve të pret:
Janina është e zezë.
Morea është e bukur.
As e zeza, as e bukura
nuk janë sot Shqipëri.
Por të dyja këngët
me gjuhën në grykë
si qafore,
Atdheut dhe ty.
Në kriporen e Nartës
Ai frenoi trenin.
Ajo zbriti dhe eci kodrinave me kripë
me shapkat në dorë.
Ti dhe kripa. Asgjë tjetër s’dua të shoh, tha ai.
Ajo hapi një gropë dhe mbuloi me kripë
shapkat, boleronë e fustanit,
trenin në horizont nga kishte zbritur
për t’i dhënë atij përfytyrimin e gruas në shtëpi.
E dorës së gruas që shkund kripë nga luga e gjellës,
përditë,
në kuzhinë.
Vepër e punës së dorës
Ekualipsi u skuq flakërimë pas borës,
i përkryer si vepër e punës së dorës.
Nuk e beson se u bëre bisht i shkurtër sëpate,
që të preu sa të gjeti pyll një ndajnate.
Moskuptimi yt si ca qytete shqiptare,
qytete pa mure, vetëm me dritare.
Ekualipsi pas borës u bë lulëkuq prej turpit,
siç flakej pukiania në plazhin e Durrësit.
E terrshme
Frika jote e mallkuar nga jeta!
Varr qelibari, pluhur kanelle rinia jote!
Ti fike dritën në shpirtin tim.
Ti fike dritën në zemër të tokës.
Po ta duroje atë frikë si tërë njerëzit!
Gunë e qëndisur që vishet nga të dy krahët!
Do mbahej drita në shpirtin tim.
Do kishte dritë në zemër të tokës.
Për një – darkë m’i hëngre të gjitha hënat.
Më lë në pus të gjumit mes rërës së vakët.
Sa kohë nuk shkova në meshë mëngjesi.
Sa kohë dola nga aleluja e darkës.
Kur...
Kur Dielli lind nga Mali i Tomorrit,
Ah, e kam parë nga cilado kishë,
Nga Shëmria në Shëndëlli,
Dhe domosdo nga kopshti im!
Unë prirem nga deti
Dhe fshatrat fushorë,
Me flakën e qiririt në zemër
Dhe frymën e këngës së fortë.
17 Dhjetor 2007