E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i tekstit kritik

Cesare SEGRE

Pra, do të merrem me kritikun që përshkruan, historizon e vlerëson veprën letrare.
Kjo kritikë (sikurse edhe format e tjera që i lamë mënjanë), shprehet përmes teksteve. Në një qasje të parë, mund të thuhet se bëhet fjalë për tekste, ku flitet për tekste të tjera, veprat letrare. Një status jo i kollajtë për ta shestuar në tipologjinë e teksteve “Texttypologie”.
Teksti i kritikut (nuk themi teksti kritik, për të mos e ngatërruar me botimin kritik, të realizuar me procedura tash shumë të njohura) është mjaftueshmërisht i largët nga teksti letrar, për të aspiruar një autonomi të tijën, por jo aq shumë sa të shpërfillë ekzistencën e tekstit letrar. Kritika komunikon rezutatet e një leximi të tekstit letrar, me qëllimet që rrudhen te kjo alternativë themelore: 1) të drejtojë lexuesin e tekstit të kritikut gjatë leximit të parë të tekstit letrar; 2) të propozojë një lexim të tekstit letrar të ndryshëm ose më të thelluar sesa ai që ka realizuar lexuesi, i cili mund të krahasojë rezultatet e arritura nga ai vetë me ato të kritikut.
Për të dhënë një ide të gamës së mundësive, do të thosha që komenti, i cili ngjizet në mënyrë ideale me një sërë fjalësh e frazash që gjenden në tekstin letrar, është shumë më i afërt me të, sesa teksti i kritikut. Aq sa, për sa i takon komentit, Genette flet për paratekst. Tekembramja, teksti i kritikut i referohet tekstit letrar, pa u varur prej tij, por duke pranuar që në mungesë të tekstit letrar, teksti i kritikut nuk do të kishte mundësi që të ekzistonte. Ky tip raporti është qartësuar nga ndërmjetësimi i leximit: teksti i kritikut implikon, kritiku ka lexuar tekstin për të cilin flet.

DISA VEÇORI

Nuk jam duke diskutuar përpjestimet e gjykuara mes prurjes së lexuesit ose të lexuesve dhe prurjes së tekstit në kritikën “reader oriented”. Përkundrazi, më intereson të nënvizojë menjëherë se cilido që flet për tekst, flet pikërisht për leximin e tekstit. Teksti është një gjësend i pastër grafik, derisa nuk vepron interpretimi i një lexuesi. Kritiku është një lexues veçanërisht i përgatitur (ose kështu mendon), i cili parashtron leximin vetjak dhe kuptimet që ka nxjerrë. Prandaj, mund të thuhet se cilado ndërhyrje kritike implikon, sakaq, një raport tekst-lexues dhe se një analizë tekstuale “e kulluar” nuk ekziston.
Nuk është rasti që të pyesim në këtë pikë: çfarë është teksti letrar. Por ia vlen barra qiranë që të mbajmë parasysh disa veçori të tekstit letrar, të cilat justifikojnë punimin kritik. Së paku, do të shënoj: 1) të jetë plot me të shenjuar; 2) të jetë i destinuar për të komunikuar të shenjuarit e tij te lexuesi ose dëgjuesi, përmes proceseve botuese; 3) të jetë i konsiderueshëm si vepër arti për nga përbërja e tij formale dhe për nga mungesa e finalitetit të menjëhershëm; 4) të jetë në gjendje të provokojë reaksione pozitive ose negative, për nga shija apo edhe pjesëmarrja, gjatë leximit.

LIRIA E TRILLIT

Kritiku, duke lexuar tekstin, kryen mendërisht ose materialisht një aksion zbulimi, leksikor ose sintaksor, semantik ose simbolik. Njëkohësisht, kritiku identifikon elementet e përmbajtjes, që në bashkësinë e tyre përbëjnë thurjen, sendërgjimin, nëse teksti është narrativ apo, në rast të kundërt, strukturën ideore të tekstit. Në një moment të dytë, kritiku krijon ligjëratën vetjake, duke vënë në radhë, sipas interpretimit të tij, të dhënat e mbledhura që më parë.
Në këtë fazë, kritiku thirret për të kaluar në proceset e domethënshmërisë që ka individualizuar dhe tani evidenton e rregullon, duke operuar sipas dialektikës tekst-interpretues, shpërfillja e së cilës nuk të shpie te domethënia. Këto dy momente janë vetëm idealisht të njëpasnjëshme, sepse kritiku i mbarë vazhdon të ballafaqojë rikonstruktimin e tij me tekstin letrar dhe ta modifikojë sipas spikatjeve të mëtejshme.
Për dy fenomenet tona të përcaktuara, i pari është i ngjashëm me një zbërthim që realizon ordinatori. Po t’i dilet mbanë e të ndërtohen ordinatorë më inteligjentë, veprimet e fazës së parë mund të qenë automatizuar edhe më, por është e nevojshme të deklarohet në mënyrë të qartë që edhe zbërthimi është një operim ermeneutik dhe, për këtë, jo i delegueshëm plotësisht te mjetet. Prandaj, ndihmesat e mundshme teknologjike nuk e plasaritin as edhe një fije veçantinë e punës kritike të vërtetë, që është ajo e fazës së dytë. Më tej, duhet reflektuar mirë mbi rëndësinë e fazës së parë, sepse është ajo që garanton qëndrueshmërinë e fuqinë materiale, mbi të cilat do të veprojë kritiku. Dhe të shtojmë që vjelja e materialeve është tash e kryer në funksion të një hipoteze pune: asnjë rregull apriori nuk mund të qeverisë zbulimet. Zelli dhe liria trilluese janë në aksion qysh në fillim.

ZËVENDËSIMI

Do të ishte e rehatshme, por e gabuar, të pranosh që faza e dytë është e tëra e themeluar mbi lirinë trilluese.
Faza e dytë është ajo ku hipoteza e punimit ballafaqohet pa prà me konkretësinë e tekstit letrar, si strukturë të shenjuarish, dhe ku kritiku përjashton progresivisht të tëra supozimet, të përgënjeshtruara nga analizat e thelluara të tekstit. Liria qëndron në mënyrat e paraqitjes, që hapen si një erashkë e pafundme, ku personaliteti i kritikut ka rastin të zbulohet plotësisht.
Teksti i kritikut do t’i nënshtrohet një analize shumë të ngjashme prej lexuesit: domethënë, një zbërthimi pak a shumë të përparuar, i ndjekur prej një rimontimi soditës te një interpretim global, që duhet të shohë të konvergojë, në rastin më të lumtur, interpretimin e kritikut me atë se çka ka nxjerrë lexuesi. Edhe kësaj here janë hasur përplasje mes hipotezave të punës (të lexuesit) dhe konkretësisë së tekstit të kritikut. Por hyn në lojë themelvënëse, zotëruese, një pikë e tretë referimi: vetë teksti letrar. Puna interpretuese bëhet jo më patekstore, por ndërtekstore. Përthithja e tekstit të kritikut është e influencuar nga përthithja e bashkëkohshme, ose nga rishqyrtimi i tekstit letrar. Raporti me dy, kritikë - tekst, zëvendësohet nga një me tre: lexues –kritikë - tekst.

Përktheu Eldon Gjika

17 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›