E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri motra në një qytet

Petrit PALUSHI

1.
Bora, që kish rënë dy javë më parë, rrinte ende mbi çatitë e shtëpive. Sikur t’i zinte përfundi. Njerëzit, madje edhe ndërtesat, kryesisht një dhe dykatëshe, rrugët dhe rruginat ndërmjetëse, gjithçka e afërt dhe pak më e largët, sikur qenë mbledhur atypari të shpëtonin prej të ftohtit.
Në atë qytet, dimri vinte përsipër pluhnajën e të ftohtit për një kohë të gjatë, sa thuajse ia zinte frymën, pa i lënë kurrfarë shtegu të çelët.
Ardhja e tri motrave Lisi sikur e bëri më të butë vrazhdësinë e atyre ditëve. Të paktën, të ditëve të para kur mbërritën aty, por si pa u ndier nisi të shtrihej edhe për shumë kohë më mbrapa...
Qysh në krye të herës, tri motrat Lisi bënë përshtypje për shumë gjëra, sidomos për flokët e tyre të verdha. Qe një e verdhë si ngjyrë hëne, e një hëne të plotë dhe me pak mjegull nëpër të, ngjyrë që, çuditërisht, krijonte ndjesinë e një diçkaje të ngrirë.
Motra më e madhe, Vesa, dhe e ndërmjetmja, Flaka, kishin nga dy vjet ndërmjet dhe ngjanin shumë me njëra-tjetrën, ndërsa më e vogla, Jehona, ishte pesë vjet mbas Flakës.

2.
Qe mbrëmje vonë kur mbërritën në qytet.
Kishin bërë mbi dhjetë orë udhë dhe u qe dukur se rrugëtimi nuk do të soste ndonjëherë. Kur rrugëtimi mbaroi, e ndjenë se nuk e kishin fort të kollajshme ta merrnin veten prej lodhjes, por sidomos prej turbullisë që u kishin sjellë në krye kthesat e shumta të rrugës.
Me të hyrë te zyrat e Këshillit Popullor të Qytetit, kujdesi më i madh i dy nëpunësve të ulët vendorë qe sa t’u kallëzonin ngutshëm një dhomë të çrregullt, në katin e dytë të Hotel Përparimit.
Qe i vetmi hotel në atë qytet dhe ndodhej mu pranë Pusit të Vjetër.
- U kemi pritë qysh në mesditë, - u tha tri motrave njëri prej nëpunësve.
Mbas pak, shtoi si me përtesë:
- S’na kish shkuar mendja se do vonoheshit kaq shumë.
- Mos e merrni me përtesë, - ndërhyri tjetri. - Çdo gjë do shkojë si jo më mirë.
Dukej qartë se dy nëpunësit mezi prisnin ta hiqnin qafe atë detyrë, që ua kishin ngarkuar.
Megjithatë, si për ngut, u thanë tri motrave se në atë hotel do të qëndronin vetëm dy a tri ditë... Por, ndoshta edhe një ditë më tepër... Veçse kurrsesi nuk do të shkonte java... I kishin marrë të gjitha masat t’i rregullonin sa më shpejt të ishte e mundur...
Nuk harruan të shtonin se përkujdesja s’kishte për t’u munguar në asnjë rast... Edhe për mungesën më të vogël kishin të drejtë ta ngrinin zërin deri në kupë të qiellit...
Tri motrat u ndanë me dy nëpunësit me një përshëndetje të vakët.

3.
Kur u çel dita, Flaka zbriti në katin e parë të hotelit.
U afrua te Rrok Hila, sportelisti i hotelit dhe, si ndërdyshas, e pyeti se ku gjendej Shtëpia e Zotit në atë qytet.
Rrok Hila fillimisht nuk u ndje mirë. Pa si me të egër kah Flaka dhe u thartua në fytyrë... Më mbrapa, e mblodhi veten... Aty për aty i ndërroi fytyra dhe u gëzua si të mos qe i pakmëparshmi, por, madje me një lloj krenarie të dukshme, sikur po bëhej gati t’i jepte një lajm të gëzueshëm.
- I kemi prishë krejt, - foli qetë ai.
Për do kohë e pa Flakën si me dyshim.
- Krejt, - vazhdoi të fliste prapë.
Ndërsa ajo po e shihte në dritë të syve, duke pritur me padurim të mbaronte, pa i shkuar ndër mend se ai do vazhdonte të fliste e të fliste.
- Jo vetëm në qytet, - foli prapë Rrok Hila. - Kahmos.
Mandej ia bëri me dorë, si t’i thoshte se ajo qe shfaqur aty si rrufeja në të kthjellët. A thua sikur qe e prishur kah mendtë tek kërkonte atë gjë të pakuptueshme, një nga ato gjëra që asaj kohe vështirë se mund t’i kërkonte ndokush dhe as mund t’i shkonte mendja kujt t’i kërkonte ato gjëra të frikshme, por edhe t’i thoshte se ajo duhej të ngjitej shpejt në dhomën ku flinte. (Qe shumë herët të dilte nëpër qytet; ende s’qe hapur asnjë nga bar-kafetë, madje as edhe Klubi i Gjuetisë që çelej më herët se të tjerët... Pra, çdokush që mund ta shihte në atë orë rrugëve e rruginave të atij qyteti, me shumë lehtësi, por dhe pa kurrfarë fajësie, mund ta merrte si të përdalë... Mund ta merrte pa frikë edhe si të luajtur mendsh, siç mund ta merrte edhe për dikë të ngritur trembshëm dhe që endej andej-këndej t’i pushonte dhimbja e kresë... Por mund ta merrte lehtë, thuajse pa e vrarë mendjen, edhe për djallin vetë: ai djall qe shfaqur të trembte çdokënd që mund të endej atypari në atë orë, kur njerëzit pothuajse ende flinin.)
Rrok Hila nuk e qiti në harresë t’i thoshte gjithashtu se po përpiqej ta ndihmonte me çfarë po i kallëzonte. Në atë kohë, nëpër rrugët e rruginat e qytetit nuk mund të gjendej as dhe një fshesar i natës kund, mbasi qe ftohtë, aq ftohtë sa edhe bora, që pati rënë do ditë më parë, ende nuk pat shkrirë, prandaj ajo, një vajzë e pambrojtur dhe fort e hijshme, s’mund të endej lirshëm e pa kryeçarje, thuajse kryemëvete, pa pyetur për kënd dhe pa pyetur kënd se kah të shkonte dhe kah duhej të shkonte...
Fjalët e Rrok Hilës qenë aq befasuese për Flakën. Mbeti për do kohë ashtu, pothuajse e ngrirë. Më pas, e pa atë për një grimëherë sikur t’i lutej ta linte të qetë në hallet e saj: ishin mjaft ato që kish, tashmë po i shfaqeshin të tjera e të tjera. Nuk e priste që dikush t’i fliste ashtu.
Mdërkaq, u egërtua në fytyrë. E pa me vëmendje Rrok Hilën, sikur të hetonte nëse i kish përnjëmend fjalët e pakmëparshme apo e kishte pasur thjesht për mahi, por dhe t’i linte të nënkuptonte se me ato që tha, nuk qe kurrnjëgrimë i arsyeshëm me të.
Kur nuk nxori gjë nga ai hetim i atypëratyshëm, u ngjit me shumë përtesë në dhomën ku pati zënë vend me dy motrat e tjera, mu aty ku do t’i shtynin ditët, derisa t’i çonin në banesën e tyre... I trazoi menjëherë nga gjumi. Për shumë kohë nisën të shihnin njëra-tjetrën me habi, por dhe me frikë, si të merreshin vesh se po zhyteshin në një mjegullnajë të pakuptimtë, as dritë, as terr, por që kujtdo që mund të zhytej në të, mund t’i sillte me lehtësinë më të madhe një si përzierje në tru.
- Tupin po ma mbulon ngrija, - foli me vete Flaka.
- Jo vetëm trupin, - iu duk se i foli me përkëdheli, por edhe me të egër dikush aty pranë.
- Edhe fijet e shpirtit, - iu duk se dëgjoi zërin e dikujt tjetër.
- Trupin edhe shpirtin, - iu duk se dëgjoi një zë tjetër, por tashmë të largët.

4.
Dikush prej banorëve tregoi se tri motrat kishin një vëlla të vetëm.
Vëllai i tri motrave kishte ardhur shumë më herët se ato në Shqipëri dhe se tashmë gjendej i mbyllur në çmendinë. Tri motrat, duke dashur të qëndronin sa më larg asaj zezone, që u kish rënë mbi krye, kishin braktisur edhe Tiranën ku qenë vendosur në fillim.
U fol gjithashtu se në qytetin e tyre të ftohtë, kishin ardhur me një lloj dëshire të pakuptueshme, si për të qenë sa më larg britmave që lëshonte vëllai i tyre brenda telave të kafazit... Ndërkohë, nga dashuria që kishin për të, siç mund të jetë veçse dashuria e motrës për vëllanë, do të shkonin ta shihnin herë pas here, veçse secila veç e veç dhe asnjëherë të trija së bashku. Kur ta shihnin brenda telave të kafazit, dhimbja të mos u binte të trijave njëherazi rëndshëm në krye, por të pjesëtohej sa të mundej, si për ta larguar sado pak atë.
Ditë më pas, u fol se aty do të vinte edhe Zojë Lisi, nana e tyre, e cila në Melbourne u kish thënë se nuk do t’i linte kurrsesi vetëm, se edhe ajo, së bashku me to, do të vinte të kërkonte Jetonin: ajo - birin e saj të vetëm, ndërsa motrat - të vetmin vëlla që kishin.
Dikush tjetër nuk përtoi të fliste nëpër qytet, madje me një dëshirë të tepërt, se tri motrat i kishin sjellë si të internuara aty, mu për atë gjë, duhej të ruheshin prej tyre njëlloj siç mund të ruheshin prej gjarprit, në mos më tepër. (Gjuha e tyre qe e mbushur me helm të pashërueshëm, sa mund të dëmtonte këdo që prekej nga ajo hidhësi e paskaj. Ai helm mund të shfaqej befas kudo dhe kurdo, veçanërisht ditën; nëse qe vranët a kthjellët, ajo gjë s’kish shumë rëndësi, prandaj çdokush që mund të rrinte me to, duhej ta ndiente erën e gjarprit, pra duhej t’i kish mendtë në krye ose të përpiqej sadopak t’i kish mendtë në krye, të ish sa më syçelët dhe në çdo rast ta ruante mendjen dhe të mos e humbte drejtpeshimin. Përndryshe, e keqja mund t’i afrohej pa u ndier nga çasti në çast, siç vjen rrufeja në të kthjellët... Më vonë, ajo e keqe, do të ishte tepër e vështirë t’i shqitej prej shpirtit a trupit të tij: kur ta kuptonte se ç’kish pësuar, do të ishte tepër vonë dhe s’kishte kujt t’i lypte llogari përveçse vetvetes...)
Por vonë, shumë kohë më vonë, u mësua përnjëmend mbi historinë e familjes Lisi...
Ajo histori kaloi gojë më gojë. Banorët e qytetit nisën të ndienin keqardhje, por dhe një lloj ngacmimi që s’e kishin ndier, kur tri motrat u dukën për herë të parë aty.
Qe një histori me shumë terr brenda, por vende-vende edhe me një dritë të vakët, që nuk mund t’i ndriçonte kurrsesi gjërat s’i duhej dhe sa duhej... (Nga romani me të njëtin titull.)

17 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›