Basha prezanton zyrtarisht drejtorin e Përgjithshëm të Policisë
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, prezantoi dje në një ceremoni të posaçme drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili bëri betimin për detyrën e re. Në fjalën e tij Basha tha se Policia ka përmbushur detyrat e saj dhe deklaroi se lufta kundër krimit do të vijojë më tej. “Le të rikonfirmojmë sot nga kjo ceremoni, se në misionin e saj fisnik për rend dhe siguri, nëpërmjet policimit në shërbim dhe në përgjigje të nevojave të komunitetit, duke mbrojtur jetën dhe pronën, nëpërmjet goditjes së krimit dhe akteve kriminale, nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe penguar prishjen e rendit dhe qetësisë publike, në respekt të sigurisë dhe të drejtave njerëzore, Policia e Shtetit do të vazhdojë të qëndrojë si një shpatë në kokën e krimit dhe një mburojë e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Republikës, - deklaroi Ministri Basha.
Hetohet 35-vjeçari, shkatërroi dyert dhe xhamat e Bashkisë së Kamzës
Punonjësja e Bashkisë së Kamzës denoncon një 35-vjeçar pasi shkatërroi xhamat e Bashkisë. Burime nga policia thanë se Flogerta A., 28 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë, rruga “Siri Kodra”, punonjëse e Policisë Bashkiake Kamzë, ka denoncuar në polici 35-vjeçarin Shkëlqim H., lindur e banues në Kamzë. Sipas punonjëses, 35 vjeçari është paraqitur ditën e mërkurë në Bashkinë e Kamzës dhe për motive të dobëta ka thyer xhamin e derës së Bashkisë me shkelma, ka ofenduar, sharë, e kundërshtuar në krye të detyrës Flogerta A., e cila në atë moment ndodhej me shërbim në hyrjen e Bashkisë. Policia bëri të ditur se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të 35-vjeçarit për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me dashje” dhe “kundërshtimit të punonjësit që kryen detyrë shtetërore”.
Denoncohet në polici si e zhdukur një 16-vjeçare
Një 44-vjeçare ka denoncuar në polici zhdukjen e vajzës së saj adoleshente. T. Çaushi, banuese në Yzberisht të Tiranës. Ajo ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e vajzës së saj 16 vjeçe, e cila është larguar nga banesa pa lënë adresë dhe nuk është kthyer më. Burime nga policia thanë se 16-vjeçarja u largua ditën e djeshme nga banesa e saj pa lënë adresë. Pas vonesës së tepruar të kthimit në shtëpi, 45-vjeçarja ka shkuar në komisariat, ku ka kërkuar kryer dhe denoncim. Policia deklaroi se ka nisur hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e adoleshentes.
I bie zjarr në shtëpi, plagoset e moshuara
Një grua e moshuar ka marrë plagë si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në orët e para të ditës së djeshme në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orën 00:10, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në afërsi të shkollës “Pjetër Budi”, prapa Gjykatës së Faktit. Burimet në vendngjarje sqarojnë se zjarri kishte rënë në banesën e 87-vjeçares Amalire Vrelli. Si pasojë e flakëve të papritura është djegur një dhomë dhe është lënduar zonja e shtëpisë. E dëmtuara ka kërkuar ndihmën e policisë dhe kjo e fundit mbërriti në vendngjarje bashkë me një makinë të repartit zjarrfikës, duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe ndalur përhapjen e tyre. Nga hetimet e para të kryera gjatë ditës së djeshme, mësohet se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e lënies së një qiriri të ndezur.
I gjejnë heroinë në banesë, shpallet në kërkim
Forcat e policisë së Elbasanit kanë shpallur në kërkim 22-vjeçarin Dorian Totoshi, lindur e banues në këtë qytet. Burimet policore konfirmojnë p se , kjo ndodhi pasi mbi bazën e informacioneve në rrugë operative, si dhe gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, iu gjend dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kuti beze me ngjyrë gri, ku brenda së cilës ndodheshin 4 pako, mes të cilave njëra me ngjyrë të bardhë, e cila për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike e llojit heroinë me peshë 6.4 gram.
Nga ana e policisë po punohet për kapjen dhe shoqërimin e autorit, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e cila parashikohet nga Neni 283 i Kodit Penal.
30 Tetor 2009