E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje tjeter gjerman shpallet kampion ne SHBA Denis Zajdenberg

Kush mendon se Gjermania e sportit përfaqësohet në SHBA vetëm me yllin e basketbollit Dirk Novicki, e ka krejtësisht gabim. Jo vetëm kaq, por dojçët përfaqësohen dhe fitojnë edhe me sportistë të tjerë. Ylli i radhës është ai i hokeit në akull, i quajtur Denis Zajdenberg, i cili fitoi titullin kampion të Amerikës Veriore me skuadrën e tij Boston Brajnst dhe pas plej ofit iu dha trofeu prestigjoz Stenli Kap. Boston fitoi pas 7 ndeshjesh sfidën e fortë me kanadezët e skuadrës Vankuver Kënaks, madje me rezultatin e thellë 4-0 në takimin e fundit.

Gjermani Zajdenberg ishte një nga më të mirët në fushë duke shënuar një gol dhe duke ndihmuar në shënimin e një goli tjetër. “Ende nuk mund ta besoj këtë që ka ndodhur, - u shpreh gjigandi gjerman pas ndeshjes për gazetën “Bild”, - sapo kam realizuar një ëndërr”. Mbrojtësi i kombëtares gjermane ishte shërbyes për golin e tretë dhe realizues i golit të katërt, ndërsa tani mund të shkojë krejt i qetë me pushime në qytetin e tij të lindjes, Shveningen.

NHL, siç janë inicialet e ligës së hokeit profesionist në Amerikën e Veriut, përbën një nga 4 sportet më të mëdhenj në SHBA, bashkë me bejsbollin, futbollin amerikan dhe basketbollin. Pikërisht në NBA, Dirk Novicki u shpall për herë të parë kampion me skuadrën e tij Dallas Maveriks, pasi mundi në finale Majemi Hits. Të dy gjermanët fituan duke mos pasur me vete faktorin fushë, pra duke fituar në shtëpinë e kundërshtarëve.

Siç njoftojnë mediat gjermane, ky nuk është titulli i parë kampion që një gjerman fiton në hokein amerikanoverior, pasi precendentin e krijoi trajneri i sotëm Uve Krup, kur ishte lojtar aktiv me skuadrën e tij Kolorado Avalansh më 1996.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›