E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi fatin dhe mjeshtërit e çelësave

Nga Ali Podrimja

-Se, nuk humb çdo gjë, e mësova edhe përmes figurës së shenjtëreshës shqiptare, Nënës Terezë. Ajo na këshilloi: dëshpërimi është shpresë. Shkoi më larg se ekzistencialistët

Takimi i parë me Nikolaus Lenaun (1802-1950), ndodhi rastësisht. Ndërmjetës u bë një poet i papërsëritshëm shqiptar. Ai quhet Lasgush Poradeci (1899-1987) dhe në bibliotekën time zë vend meritor. Në mes dy luftërave botërore shkroi vetëm dy libra me poezi dhe disa tekste diskursive. Pas Luftës së Dytë veten e shpalli për të vdekur shkaku i lirisë krijuese në vendin e vet. Diktatura nuk kurseu as vlerat. Mbasi ishte mjeshtër i fjalës dhe i tekstit, kulturën shqiptare e pasuroi me përkthime të shkrimtarëve, të cilët i respektonte. Në vitin 1962, një libërth prej 514 vargjesh e përktheu nga vepra e Lenaut. Fati i tij ishte i dhembshëm. Libërthi nuk u botua as sot. Një bashkëkohanik i Lasgushit kishte deklaruar se vëllimi ishte vlerësuar i papërshtatshëm, pesimist: binte në kundërshtim me normat e moralit të atëhershëm. “Poezia e dhembjes”, siç u quajt vepra e Lenaut nga kritika gjermane, nuk ishte poezi muskuloze, e angazhimit. Logjika totalitare, pra, veproi në dëm të kulturës shqiptare. Pas vdekjes së Lasgushit, dorëshkrimi i poezive të Lenaut në shqip, u shumëzua. Një kopje e kisha edhe unë. Magazini për art e kulturë BREZI 9 i Tetovës, në janar të vitit 1995, në nr. I, botoi disa poezi të Lenaut, kurse Revista avangarde e Prishtinës “MM”, në vitin 1996, në nr. 2, botoi po ashtu një cikël nga vëllimi i pafat. Kështu nisi jetën ndër lexuesit shqiptarë Lenau.

Biblioteka ime kishte një gjysmë shekulli jetë. Mbaja aty gjallë kujtesën para të papriturave. Kur trokiti dhuna edhe në derën time, u desh të zgjidhja: të bëhesha numër apo të merrja vrapin e maratonit. Vendosa për të dytën. Njëra nga arsyet: të alarmoja të tjerët se ç’ndodhte në vendin tim. Si duket, isha vonuar. Të gjitha diheshin përkundër propagandës së rreme të shovinistëve serbë.

Në plotfuqinë e çelësit, që mbylla jo vetëm banesën time, mendoja se ishte çdo gjë. Ditë më parë mësova se çelësi nuk kishte mundur të frenojë irracionalen. Serbët janë mjeshtër të çelësave. Ishte derdhur edhe biblioteka ime. Sapo mësova për çmimin “Nikolaus Lenau”, kujtova atë dhe këndin e Lasgushit aty, ku gjendej edhe vëllimi fatkeq i Poetit.

Isha kureshtar të di se ç’e shtyri poetin shqiptar të përkthente poezitë e Lenaut. Kërkoja ekuivalentët në kohën e romantizmit shqiptar, bile edhe në traditën e hershme, që kap afro pesë shekuj e që mendja e errët serbe bën çmos ta linçojë e të na paraqesë para botës në një dritë tjetër. Loja e shovinistëve është e qartë. Unë hulumtoj shkakun e përkthimit të poezive të Lenaut. Mos kishin diçka të përbashkët poezitë e tij me të Budit (1566-1922) ose me sibilat e famshme të Pjetër Bogdanit (1630-1689), që i çmonte shumë Lasgushi. Krijuesi në historinë shqiptare është edhe luftëtar.

Bogdani, bie fjala, njihet edhe si mbrojtës i Kishës Shqiptare. Vepra e tij u përkujtua me botime, ribotime, studime e simpoziume të ndryshme. Në oborrin e kishës në Prishtinë, aty ku mendohet se është vrarë, ka edhe një bust të cilin e shihja çdo ditë nga ballkoni i banesës sime. Mirëpo, barbaria nuk e kurseu as madhështinë e këtij kolosi, që ishte nderuar edhe nga Vatikani. Kështu, identiteti shqiptar u bë i tmerrshëm për ata që nuk dinë të nderojnë. Lufta në Kosovë ndodhi edhe për shkak të kompleksit serb.

Kureshtja ime u kristalizua sapo mësova se kush ishte dhe nga vinte Lenau. Njëra prej arsyeve pse poeti shqiptar kishte përkthyer një vëllim të Lenaut, ishte se poezia e tij ngërthen shqetësime të mëdha njerëzore, të thëna përmes një gjuhe të afërt me poetikën shqiptare. Ndarjen nga vendlindja Lenau e kishte përjetuar rëndë. Në hapësirën gjermanofone ky hyri me imazhin gri të vendlindjes me një ndjeshmëri të mahnitshme. Mbyllja e jetës së tij dëshmon se ishte një shpirt i trazuar. Jetë të tillë kishte çuar edhe poeti shqiptar gjatë studimeve në Grac të Austrisë dhe në Bukuresht. Lasgushi kishte veti gjeniu, ishte shpirt rebelues. Falë tij hyra në botën imagjinative të Lenaut dhe çmimi që mban emrin e tij, nderon edhe popullin tim.

E ç’kam të përbashkët me Lenaun?

Së pari, deportimin nga Ballkani neverik. Dy shekuj bëhen që kur poeti braktisi Banatin në rrethana të panjohura, ndoshta. Po këtë fat përjetova edhe unë në mbyllje të shek. XX, kur lashë vendin dhe përpiqesha të krijoj atë që humba: lirinë. Së dyti, të dytë bartim traumat, dhembjen njerëzore, ankthin, ëndrrën për vendin e shpërbërë. Së treti, nuk jemi të fundit nga familja e poetëve që zgjohemi në ekzil...

Në udhëtimin tonë, megjithatë, ka diçka që na dallon. Lenau nuk pati fatin ta lexonte vizualisht Biblën: të ishte numër në marramenthin njerëzor të kohëve moderne. Irracionalja serbe, që mund të interpretohet edhe si turp nacional serb, që bind se shumëçka nga historia njerëzore u përsëritka, në forma më të përsosura dhe më të egra ndoshta, e sidomos kur ballafaqohesh me mjeshtër të çelësave. Ne qenkemi variant i fatumit njerëzor.

Përpiqem të bëj portretin e popullit tim, pa i lënduar të tjerët. Shoh se i kam fjalët të përgjakura. Nga historia dihet se popullit tim i kushtoi shtrenjtë toleranca: me humbjen e vazhdueshme të hapësirës. Në këtë tragjizëm patën dorë në të kaluarën edhe padrejtësitë e Evropës, që dihen. Antishqiptarizmi serbo-grek lansoi më të zezën. U përpoqën të zhvlerësonin edhe gjërat e shenjta: gjuhën, kulturën, historinë. Shurdhuese u bë propaganda e tyre kudo.

Vendi im e pësoi nga shkallëzimi i paranojës së tyre derisa ndodhi dhe katastrofa njerëzore në Bllacë (1999), dita kur çelësin e shtëpisë e futa në xhep dhe kalova vijën e kuqe. Për morbiditetin serb, nuk mund të thuhet se bota nuk dinte, por mua kujtesa m’u derdh. Çmimi “Nikolaus Lenau” ma kujton të shkuarën. Se, nuk humb çdo gjë, e mësova edhe përmes figurës së shenjtëreshës shqiptare, Nënës Terezë. Ajo na këshilloi: dëshpërimi është shpresë. Shkoi më larg se ekzistencialistët.

Lenau vinte nga monarkia Austro-Hungareze, me një qytetërim më dinjitoz, ku kihej kujdes edhe për kujtesën. Në vendin tim ndodhi gjenocidi. Nocionet luftë dhe shfarosje përzihen shpesh nëpër metropolet evropiane. Qesharake është të flitet për simetrinë ndërmjet viktimës e xhelatit. Apo lufta në mes tyre të shpallet konflikt, siç kanë zënë ta lansojnë ca të marrë. Kjo të bën të dyshosh se e sotmja nuk u kënaq me Bllacën biblike. Fqinjët e mi treguan egërsi. Dëshmojnë qindra varre masive dhe lokalitete të zhdukura; numri i madh i njerëzve që nuk dinë ende a ka përfunduar gjuetia serbe në shqiptarë, as që nuk dinë ku shkojnë, se e kanë humbur orientimin. Nëse kjo nuk dëshmon se në Kosovë ndodhi gjenocidi, atëherë ç’është morali!

Në Banatin e Lenaut në Rumani nuk kam qenë. Di për krahun tjetër të kësaj hapësire në ish-Jugosllavi. Se ç’ndodhi me bashkëkombësit e poetit e pata të qartë, sapo lexova elaboratin famëkeq të Vasa Çubriloviqit, të shkruar në vitin 1937. Ky elaborat u plotësua nga disa të tjerë dhe u zbatua në vendin tim me marshimin e egër serb. Me gjithë kamuflimet para botës, racizmi serb është i hershëm dhe i pranishëm.

Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua sepse mban emrin e një poeti të deportuar nga e njëjta hapësirë, ku u tentua në mbarim të shekullit XX të shkulnin me rrënjë edhe popullin dhe kulturën shqiptare. Por shtëpinë, a do ta çel me çelësin prapë, varet edhe nga kuraja njerëzore: si do ta përdor lirinë? Në momentin e pikërishëm frikësohem se ne shqiptarët mos u infektuam me të keqen, nacionalizmin e fqinjëve. Vështirë të heshtin hasmëritë dhe të lirohen ballkanasit nga e keqja. Është koha të mos shikohemi përmes nishanit.

Në poezinë Njëherë dhe tash nga vëllimi Lirika (Berlin, 1920) Lenau thotë:

Tek vendi i vjetër

Është dritë e fatit tim.

Poeti ishte i hershëm. Unë jam më i vjetër se ai. Me një rast tjetër për këtë. Nuk thuhen të gjitha menjëherë.

(Tekst i lexuar me rastin e marrjes së çmimit “Nikolaus Lenau”, Stuttgart, 11.12.1999)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›