E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ulërimë më bëri këngëtare

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli
“Më thoshin - Marjeta mos këndo!, sepse nuk u pëlqente fare zëri im. Por mua muzika më kënaqte dhe nuk ndahesha dot prej saj. Kisha shumë dëshirë që të këndoja”, kështu e nis bisedën Marjeta Billo, këngëtarja e re, por shumë e talentuar. Megjithëse studion për kanto, Marjetën e kemi parë të këndojë perfekt edhe muzikën e lehtë, të cilën e ka pasion që prej fëmijërisë, megjithatë këngëtarja shpreh fare qartë dashurinë e saj më të madhe “muzikën klasike”.
Si lindi pasioni juaj për muzikën Marjeta dhe si keni ecur në këtë pasion?
Pasionin për muzikën unë e kam pasur që e vogël, që kur kam qenë fëmijë dhe atëherë kam qenë e angazhuar në shumë aktivitete, si me dëshirën e çdo fëmije për artin. Kam marrë pjesë në çdo ansambël, kam qenë në aktivitete dhe festivale për fëmijë, më pas vazhdova Liceun Artistik për kanto edhe aty isha e angazhuar goxha. Por të gjitha këto ishin për muzikën klasike. Më pas duke u futur në akademi dhe vazhdoja të kisha pasion edhe muzikën e lehtë, vendosa të merrja pjesë tek “Ethet”, ku këndoja vetëm muzikë të lehtë. Më pas mora pjesë në Festivalin kombëtar të RTSH-së.
Marjeta dëshira juaj për muzikë dhe aftësia kanë qenë të trashëguara apo keni ndjekur ndonjë model në fëmijëri në këtë fushë?
Jo. Madje kur kam qenë fëmijë babai më thoshte gjithmonë “Marjeta mos këndo”, sepse nuk e pëlqente fare zërin tim. Por mua muzika më kënaqte dhe nuk ndahesha dot prej saj. Kisha shumë dëshirë që të këndoja. Kështu imitoja shumë këngëtar të festivaleve, si për shembull imitoja Vaçe Zelën, Ardit Gjebrean, më pëlqenin këngët e tyre dhe nuk më dukej zëri im aq i shëmtuar sa ç më thoshte babai. Një ditë ndodhi që unë në shtëpi filloj të ulërij me të madhe dhe aty babai u habit. Pas këtij episodi kanë qenë ata të cilët më kanë dhënë shtysë që unë të studioja për kanto dhe të këndoja. Më pas u futa në Lice Artistik.
Keni marrë pjesë në Festival dhe kënga juaj është pëlqyer. Na tregoni pak për këtë, i keni vjelë frytet e kësaj kënge?
Për sa i përket këngës sime në festival, e cila titullohet “Era e tokës”, do të falënderoja shumë mjeshtrin Adrian Hila, dhe Pandi Laçon për tekstin dhe veçanërisht bashkëpunimin me Neritan Liçajn. Këta janë tre persona që unë i vlerësoj shumë. I kam ndjerë frytet e kësaj kënge që kur ma tregoi Adi Hila si këngë më tërhoqi jashtë mase. Sigurisht që frytet i kam ndjerë sepse kam pasur mjaft opinione, qoftë nga profesorët e mi në shkollë, nga njerëzit që më kanë ndaluar rrugës, nga rrethi im shoqëror e të tjerë, kënga është pëlqyer tej mase.
Po bashkëpunimi me Neritanin?
Kënga bënte fjalë për tokën dhe fillonte me një monolog. Më saktë fillonte më një thirrje që i bëhej tokës. Këtë thirrje sigurisht që do ta bënte një aktor dhe mendova së bashku me kompozitorin që ideali për këtë ishte Neritan Liço, meqenëse njihet si një aktor shumë i mirë dhe është vërtetë një aktor shumë i mirë, gjithashtu në radhë të parë është një njeri i mrekullueshëm.
Çfarë projektesh ka tani Marjeta?
Për momentin projekti më i fundit që kam ndërmend për sa i përket muzikës së lehtë është të bëj një videoklip për këngën time të festivalit dhe për momentin dua të merrem me shkollën, t i dedikohem tërësisht asaj.
Na tregoni pak më shumë për videoklipin. Si do realizohet ai dhe a do të ndryshojnë elementë të këngës?
Videoklipi është në hapat e parë të tij dhe nuk e di ende se si do të krijojmë idenë për të. Mendoj se do të hidhet shumë shpejt në treg. Nuk ka pse t i bëjmë ndryshime asaj kënge, është shumë e bukur ashtu siç është.
Studioni për kanto, praktikisht jeni një këngëtare lirike, gjithashtu jeni një këngëtare e muzikës së lehtë. Ku e ndieni veten më mirë dhe komode ndër këto gjini?
Unë mendoj se tek të dyja e gjej veten sepse të dyja i bëj shumë mirë. Kur këndoj muzikë të lehtë ndihem ndryshe dhe kur këndoj muzikë klasike ndihem shumë ndryshe. Janë të dyja rryma që më bëjnë të ndihem mirë. E gjej veten tek të dyja dhe nuk mund t i ndaj.
Do ju shohim ndoshta në ndonjë koncert të muzikës klasike si soliste?
Sigurisht që po. Unë nuk e lë në botë asnjëherë, madje mund të hiqja dorë nga muzika e lehtë por nga klasikja asnjëherë.
Sa mendoni se është i rëndësishëm imazhi këtu në Shqipëri?
Për mendimin tim mendoj se është shumë e rëndësishme të krijosh një imazh. Sepse pikërisht imazhi e prek publikun dhe sigurisht që nuk mund të ecësh përpara pa krijuar një ide të mirë tek dikush, tek publiku sepse ti për atë këndon fundja. Nëse unë do të krijoja një imazh negativ për veten nuk do të këndoja më, sepse nuk do të më ndiqte më publiku. Ndërsa po të krijosh personalitet dhe të dalësh me dinjitet qoftë në një videoklip apo edhe në një festival sigurisht që do të ecje përpara.
Flas më shumë për këngëtaret e reja, të zhveshura ....Ç mendoni për këtë?
Mendoj se të zhvishesh në skenë dhe të dalësh në mënyrë “sexy” nuk ka të bëjë me këngën sepse mendoj që ai që është këngëtar dhe ai që është artist nuk ka nevojë për diçka të tillë. Nëse ti do të godasësh me këngën tënde ia vlen që kënga të jetë e bukur dhe që ti të godasësh në publik nëpërmjet interpretimit, me zërin tënd, me këngën tënde, me fabulën e këngës dhe nuk është nevoja që ti të godasësh me trupin. Nuk kam asgjë me këto vajza sepse gjithsesi ajo është një mënyrë mbijetese.
Marjeta, ju si kujdeseni për veten dhe për imazhin tuaj në skenë? Keni dikë që ju ndihmon apo i bëni të gjitha vetë?
Për sa i përket kësaj unë gjithmonë i bëj gjërat vetë, sepse mendoj se gjithmonë në skenë duhet të dalësh sa më dinjitoze. Jam e mendimit se nëse do të godasësh diku nuk është nevoja që të jesh e zhveshur. Mendoj se është më mirë të krijosh një imazh të thjeshtë dhe të bësh gjëra të thjeshta. Që të krijosh diçka të thjeshtë nuk është e lehtë por nuk është as e vështirë. Thjesht duhet të jesh vetvetja.
Si e shikoni gjendjen e muzikës në Shqipëri aktualisht. Me çfarë perspektive?
Nuk mund të jem unë ajo që gjykoj këtë, megjithatë unë mendoj se sa do që ka njerëz që përpiqen ta degradojnë muzikën ka edhe këngëtarë që duan ta ngrenë. Sigurisht atë gjë e vlerëson publiku, sepse edhe kur gjërat shkojnë drejt degradimit është publiku ai që vendos nëse diçka i pëlqen ose jo. Muzika e bukur kurrë nuk ndodh të mos vlerësohet ashtu siç duhet. Nuk besoj se publiku do ta lerë muzikën në degradim sepse gjithsesi ai di të klasifikojë se kush është e bukur dhe e shëmtuar.
Publiku është konsumator i muzikës, konsumon atë që i servilet....
Jam shumë dakord me këtë. Kudo muzika shkon drejt komercializimit. Por përsëri ka këngëtar që përpiqen që të ruajnë bazat e muzikës dhe ta lënë muzikën muzikë.
Na tregoni pak për të ardhmen Marjeta. Çfarë projektesh keni dhe ku e shikoni veten pas pesë vjetësh?
Pas pesë vjetësh e shoh veten në skenë sigurisht dhe përsëri duke u marrë me muzikën. Dua të mbaroj shkollën, të iki për një periudhë të vogël jashtë për shkollën, të studioj atje. Por dua të kthehem përsëri në vendin tim, të punoj këtu. Nuk jam si ato këngëtarët që ikin jashtë dhe nuk kthehen më këtu. Dua të jem nga ato këngëtar që punon për vendin e tij.
Si është Marjeta jashtë muzikës?
Marjeta është një studente në vitin e tretë është e thjeshtë, shumë e qeshur, shoqëria më kritikon shpesh herë për çiltërsinë. Më thonë se nuk duhet të jesh ashtu sepse të tjerët ta marrin për dobësi. Unë ndoshta mërzitem por e kuptoj dhe e besoj. Përpiqem të jem e shoqërueshme dhe t i jap gjithsecilit atë që meriton.
Këndoni “live” Marjeta?
Kam kënduar por për momentin dua t i dedikohem shkollës.
Çfarë ndjesie ke kur këndon “live” dhe je kaq pranë publikut?
Në fillim më trembte ideja e të kënduarit “live” sepse është shumë ndryshe se në skenë. Në skenë dihet, që do këndosh do të duartrokasin, të vlerësojnë ose jo... Ndërsa kur je “live” dhe ke publikun afër është shumë më ndryshe, sepse i sheh drejtpërdrejtë nëse dikush të pëlqen dhe nuk vlerësohesh si në festival. Aty dikush bën një fytyrë të bukur nëse i pëlqen dhe dikush fytyrë të shëmtuar nëse nuk i pëlqen. Por impakti i drejtpërdrejtë me publikun është shumë i këndshëm dhe të fal shumë kënaqësi.
A keni një pasion të fshehur, përveç muzikës?
Përveç muzikës të cilën e adhuroj më pëlqen shumë poezia dhe letërsia. Më pëlqen shumë të krijoj vetë, shkruaj ndonjëherë vetë.
Keni krijuar tekste këngësh, të cilët i keni ruajtur, që një ditë t i këndoni vetë?
Po, sigurisht që po. Mendoj se do të vijë koha që edhe unë të bëhem një kant-autore besoj. Sot për sot mendoj se duhet të arrij një stad që të jem më në kontakt me publikun. Mendoj se duhet të arrij njëherë qëllimet e mia kryesore dhe më pas të bëj atë që kam dëshirë, sepse njeriu duhet të përshtatet me kohën dhe më pas kur merr vlerësimin e duhur mund të bëj edhe atë ç ka dëshiron.

Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›