Raporti i BE, Rama: Berisha si në kohën e Adil Çarçanit
BLEDAR HOTI
Kryetari i PS-së, Edi Rama e cilësoi si skandaloz qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me progres raportin e BE-së për Shqipërinë. Klasa politike shqiptare vazhdon të jetë e ndarë në dy kampe, ku socialistët, nëpërmjet liderit të saj, Edi Rama u shprehën se Bashkimi Evropian shprehu kritika në adresë të Tiranës zyrtare. Sipas tij, një raport ku thuhet shprehimisht se korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz e masiv si në rastin e Shqipërisë, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë shkak për të folur për suksese. "Duhet të kesh paturpësinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të dështuar sa Sali Berisha, që të flasësh për suksese, duke lexuar një frazë të tillë në Progres Raportin e Komisionit Evropian, për një vend si i yni, që sot mbetet prapa dyerve të shtëpisë evropiane, pikërisht se ka 17 vjet që mbahet peng nga politika e vjetër e një grushti njerëzish, ndër të cilët Sali Berisha është jo vetëm më i papërgjegjshmi dhe më i paafti, por edhe më i paskrupullti", deklaroi Rama. Sipas tij, raporti shprehu "ligji 'Për prokurimet publike' bie në kundërshtim me legjislacionin e BE, pastrimi i parave, vazhdon të mbetet problem shqetësues, se trafiku i drogës vazhdon të mbetet problem shqetësues, se krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore vazhdojnë të mbeten probleme shqetësuese". "Sali Berisha bëri, duke e quajtur sukses Progres Raportin, atë që Sali Berisha bëri të hënën, duke mos i dhënë parlamentit asnjë përgjigje për duzinën e dyshimeve të rënda, që lidhin Kryeministrin me veprimtarinë e paligjshme të sekserit të tij serb, atë që Sali Berisha e bën prej kohësh, duke na folur për një Shqipëri të lumtur, njësoj si në kohën e të ndjerit Adil Çarçani, kur shqiptarët nuk ushqeheshin dot, ndërsa Televizioni Shqiptar u tregonte pamjet e sukseseve nën udhëheqjen e byrosë politike", theksoi Rama. Kryesocialisti theksoi se opozita nuk ka asnjë arsye të gëzohet nga ky fakt, por se konstatimet shumë shqetësuese të Progres Raportit të Komisionit Evropian, por duke qenë se ato janë tregues të një Shqipërie që zvarritet. "Ndërkohë që Evropa fluturon përpara, arsyet për të mos u gëzuar janë edhe më të mëdha, ndërkohë që na revolton paturpësia e Sali Berishës dhe korri i oborrtarëve të tij, që jo vetëm nuk kanë asnjë aftësi për ta çuar këtë vend përpara, jo vetëm që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri në raport me detyrën karshi shqiptarëve, por nuk kanë as edhe një skrupull në përpjekjet për të fshehur të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tyre, me gënjeshtra dhe shpifje, madje edhe akuza për opozitën", theksoi Rama. Partia Socialiste pas publikimit të raportit të KE-së, pritet të dalë me sugjerime konkrete, në lidhje me procesin e reformave që duhet të përmbushë Shqipëria për procesin e integrimit në BE.