Një vendim antikushtetues për GërdecinNga Grupi i avokatëve mbrojtës të viktimave të Gërdecit Më 15 mars 2008, 26 persona të pafajshëm mbetën të vrarë në fshatin Gërdec, fare pranë Tiranës, jo nga një fatkeqësi natyrore, por si pasojë e ush
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një vendim antikushtetues për GërdecinNga Grupi i avokatëve mbrojtës të viktimave të GërdecitMë 15 mars 2008, 26 persona të pafajshëm mbetën të vrarë në fshatin Gërdec, fare pranë Tiranës, jo nga një fatkeqësi natyrore, por si pasojë e ushtrimit të një veprimtarie me burim rreziku të shtuar, jashtë çdo kriteri ligjor e teknik, në një eufori fitimprurëse të pazakontë, të nistuar me një vendim të Këshillit të Ministrave, të kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes e nën autoritetin kontrollues të po kësaj ministrie.
Sot e kësaj dite, askush nuk është dënuar dhe përgjigjur penalisht si fajtor për këtë tragjedi, përkundrazi, vetë procesi gjyqësor në ngarkim të disa të pandehurve për këtë ngjarje kriminale ka marrë tatëpjetën dhe s’ka sy për mirë, për shkak të një vendimi antikushtetues të Gjykatës sonë të Lartë.
Pse është antikushtetues ai vendim i Gjykatës së Lartë?
Në vendin tonë mund të ketë shumë vendime gjyqësore të padrejta, të kundërligjshme apo antikushtetuese, por pak prej tyre tërheqin vëmendjen e publikut apo shkaktojnë irritimin e tij, përveç hallexhinjve përkatës, palë ndërgjyqëse, në proces.
Ndryshe është rasti i vendimit të Gjykatës së Lartë për copëzimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve për Tragjedinë e Gërdecit, si dhe për injorimin e të drejtave procedurale të viktimave, pasi pasoja e rëndë dhe e pariparueshme, fyese për dinjitetin njerëzor, vrasja e 26 personave të pafajshëm është një njollë e pashlyeshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Një vendim gjyqësor i drejtë do të ishte balsam për dhimbjen e familjeve të viktimave, por dhe një parandalim i fortë për çdo politikan që mendon, prapë e prapë, e pa ndalim, t’i sulet vrullshëm pushtetit dhe Shtetit për t’ia parë hairin në kundërshtim me ligjin, në bashkëpunim me aventurierë ekonomikë që t’i sjell dita në derë të zyrës.
Së pari: Gjykata e Lartë, në kundërshtim me ligjin, i privoi viktimat e Tragjedisë së Gërdecit nga e drejta për të qenë palë në procesin penal
Viktimat e Tragjedisë së Gërdecit duke parandier skemat “e rafinuara” e të pritshme, të gjykatës së paanshme, ishin bërë palë në proces, që në fazën e hetimeve, duke kërkuar prova në Prokurorinë e Përgjithshme, duke u njohur me aktet hetimore, e po ashtu duke depozituar padinë civile po në organin procedues. Pra, bukur, thjesht, për t’ia hequr shansin Gjykatës që të merrej me to.
Kështu Gjykata e Lartë kishte veç një rrugë ligjore, që ky proces të mund të quhej minimalisht proces i rregullt ligjor, që të verifikonte viktimat e Tragjedisë së Gërdecit si palë në atë proces penal dhe jo vetëm, por dhe me cilësinë e kumuluar të paditësve civilë. (Neni 348, pika 1, e Kodit të Procedurës Penale) Duke qenë se Gjykata e Lartë veproi në kundërshtim me sa më lart, ajo filloi kësisoj dhe po vijon një proces të parregullt ligjor, e si i tillë ai është antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në këtë trajtim po përpiqemi të largohemi nga hollësitë ligjore, që do ta bënin çështjen shumë teknike, për ata që s’janë të fushës, por thjesht po sqarojmë pse “të dëmtuarit”, pra trashëgimtarët ligjorë të viktimave të Gërdecit, janë palë dhe duhet të trajtohen si të tillë, si në procesin penal në Gjykatën e Lartë, edhe në atë në Gjykatën e Tiranës:
(i) Instituti juridik “i të dëmtuarit” është i vendosur nga ana sistematike në titullin “Subjektet”, në Kodin e Procedurës Penale, pra aty ku janë të gjitha subjektet në një proces penal: gjykata, prokuroria, policia gjyqësore, i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari, i dëmtuari akuzues, paditësi civil etj. Ja pse “i dëmtuari”, në këtë rast trashëgimtarët ligjorë të viktimave të Gërdecit, janë palë në këtë proces penal, edhe pse padia civile e ngritur nga to është veçuar;
(ii) Për më tepër në vetë nenin 58, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, parashikohet se: “Personi i dëmtuar nga veprat penale ose trashëgimtarët e tij kanë të drejtë të kërkojnë procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit”, pra ta procedosh fajtorin nuk do të thotë thjesht të bësh kallëzim penal për të (që është një detyrim i çdo personi që vjen në dijeni të një vepre penale), por të jesh palë në procesin penal deri në fund.
Në shtetet demokratike kjo është një e drejtë e pakontestueshme dhe krejtësisht e respektueshme nga Gjykatat, sidomos në krime të tilla si: vrasja apo trajtimi çnjerëzor, te ne, edhe pse është e parashikuar shprehimisht më lart, mohohet, sigurisht jo për ta bërë procesin e rregullt ligjërisht, por për ta “menaxhuar” shpejt, sepse sado humane të jenë Gjykatat tona, nuk iu dhemb aq sa familjeve të viktimave, në lidhje me shpalljen fajtorë apo të pafajshëm të të pandehurve.
Megjithëse prapë jemi në kohë, që si në Gjykatën e Lartë apo dhe në Gjykatën e Tiranës, viktimat të trajtohen si palë dhe të mos vazhdojë kjo shkelje absurde e ligjit procedural penal.
Së dyti: Gjykata e Lartë në kundërshtim me ligjin veçoi padinë civile të viktimave të tragjedisë
Mënyra e kundërligjshme e trajtimit të viktimave të Tragjedisë së Gërdecit në Gjykatën tonë të Lartë me siguri do të përbëjë objekt studimi në ndonjë doktoraturë në të ardhmen, të paktën për të parë se si kurrë nuk duhet të trajtohen njerëzit ashtu, e jo më viktimat e një ngjarjeje kriminale, që po faleminderit asaj Gjykate, ishin bërë palë në procesin penal, duke ardhur me të drejta të plota aty.
Çfarë ndodhi? Pa iu dhënë e drejta as për ta parashtruar padinë civile viktimat, ajo u veçua si e tillë nga procesi penal. Mirëpo nuk parashikohet kështu në ligj. Minimalisht Gjykata e Lartë në këtë rast ka keqzbatuar një normë procedurale-penale dhe maksimalisht është bërë “legjislatore” dhe ka krijuar një normë të re.
Në nenin 62, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale parashikohet shprehimisht se: “…gjykata mund të vendosë veçimin e padisë civile dhe dërgimin e saj në gjykatën civile, nëse gjykimi i saj vështirëson ose zvarrit procesin penal.” Kjo normë juridike e marrë në kompleksitet me të tjerat interpretohet pak a shumë kështu, nëse paditësit civilë e vështirësojnë procesin penal, p.sh., duke thirrur të paditur që janë jashtë Shqipërisë apo paraqesin raporte mjekësore, duke e zvarritur këtë proces, pra post factum, Gjykata e veçon padinë civile.
Kurse në këtë rast, Gjykata ka imagjinuar se ne do ta zvarrisnim apo do ta vështirësonim pa filluar fare procesi gjyqësor??? Përkundrazi, nëse do të lexohej padia jonë civile, do të konstatohej se ka qenë një akt procedural mjaft lakonik dhe për provueshmëri bazohej thjesht në aktet e Prokurorisë, si dhe përfaqësohej nga katër avokatë, që asnjëherë procesi të mos shtyhej për ne.
Por jo, Gjykata e Lartë as i verifikoi si palë përfaqësuesit e viktimave, sepse dihej atë moment ata do të kërkonin përjashtimin e tre gjyqtarëve të atij kolegji, pasi gjykimi i çështjes nga një gjykatë e anshme është jo vetëm cenim i procesit të rregullt ligjor, por vetë ajo trupë humbet cilësinë e të qenit gjykatë. Në këto kushte veçimi i padisë civile u krye jo konform normës juridike si më lart, por ishte shprehje e nxitimit të gjykatës “për t’i hequr qafe” viktimat, se kështu gjykata vepron më lehtë “në zbatimin e drejtë të ligjit”. Ja pse dhe veçimi i padisë civile, jo vetëm është zbatim i gabuar i ligjit, por provë e paragjykimit të çështjes dhe zbatimit të një skeme të fshehtë për shkatërrimin e saj.
Së treti: Vendimi u dha nga një kolegj, ku tre gjyqtarë të tij kishin (dhe kanë) papajtueshmëri në gjykimin e çështjes
Megjithëse edhe në gjykim doli qartë, si dhe publikisht, se dy gjyqtarë kishin gjykuar në këtë çështje kërkesa të prokurorit gjatë hetimeve paraprake dhe ato duhej të kishin hequr dorë vetë nga gjykimi i çështjes, po ashtu kryesuesi i kolegjit, i cili kishte patur vajzën e tij avokate të dy të pandehurve gjatë veprimtarisë së tyre kriminale, përsëri kolegji tjetër i asaj gjykate për çudi, në kundërshtim me ligjin, nuk i përjashtoi këta tre gjyqtarë.
Pse në kundërshtim me ligjin? Pasi, nëse thjesht iu hedh një sy dispozitave në lidhje me përjashtimin e gjyqtarëve, në këtë rast nuk kishe si të veproje ndryshe, po ashtu, nëse i referohesh jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, dispozitat përforcohen dhe ai vendim përveçse i kundërligjshëm bëhet dhe alogjik.
Nga ana tjetër kolegji që shqyrtoi kërkesat e Prokurorisë për përjashtimin e tre gjyqtarëve në kundërshtim me nenin 142, pika 1, të Kushtetutës shpalli një vendim gjyqësor të paarsyetuar. Edhe publiku në sallë sot e kësaj dite është kurioz të dijë se si ka arsyetuar ajo gjykatë, për çfarë motivi ligjor ata tre gjyqtarë duhej të vazhdonin ta gjykonin atë çështje? Me naivitet shtypi të nesërmen proklamonte: “Rrëzohet përsëri Prokuroria”. Jo nuk u rrëzua Prokuroria, u vetërrëzua Gjykata e Lartë, e cila me të padrejtë shpalli një vendim të paarsyetuar, me të cilin medoemos ata tre gjyqtarë duhej ta gjykonin atë çështje (???) A thua vallë s’ka gjyqtarë të tjerë? Pa dashur të mendojmë për keq, në analizë të fundit, ky shkak mund të përdoret nesër nga cilido i pandehur se u gjykua nga një gjykatë e anshme dhe ai vendim prishet. Pse i duhet dhënë dikujt shkaku ligjor në dorë për të prishur vendimin e Gjykatës së Lartë?
Po ashtu, përfaqësuesit ligjorë të viktimave, menjëherë, brenda afatit ligjor, me t’u shpallur “legjitimim-veçimi” i tyre i depozituan kërkesat për përjashtimin e tre gjyqtarëve, madje të pasuruara me jurisprudencë dhe shkaqe shtesë, por edhe sot në vigjilje të mbylljes, pa filluar gjykimi, të procesit në Gjykatën e Lartë, ajo gjykatë as i ka shqyrtuar ato kërkesa. Një gjykatë nuk e shton autoritetin në publik duke u sjellë me arbitraritet, por duke vepruar konform ligjit. Nëse dikush ka menduar se rruga më e shkurtër ishte që kërkesat tona të hidheshin në kosh, pa u shqyrtuar, na falni, por vetë Gjykata i ka ulur pikë vetes dhe ka përforcuar dyshimet tona, për skemën, që po zbatohet.
Së katërti: Gjykata e Lartë ka dhënë një vendim në kundërshtim me nenin 145, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës
Është e vërtetë që në Kushtetutë parashikohet shprehimisht se Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar, ndër të tjera për ministrat, por po ashtu ekziston dhe një dispozitë në Kodin e Procedurës Penale, që në rastin e procedimeve të lidhura, kur një ose disa janë në kompetencë të gjykatave të shkallës së parë dhe të tjerat në kompetencë të Gjykatës së Lartë, kompetente është kjo e fundit.
Pra, nëse Gjykatës së Lartë i është dukur se kjo dispozitë kontraston apo bie ndesh me Kushtetutën, duhej ta pezullonte gjykimin e çështjes dhe t’ia dërgonte për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Kjo ndarje mekanike, që Gjykata e Lartë i ka bërë kësaj çështjeje, me siguri do të prodhojë dy vendime penale të ndryshme, që do të përbëjë secili shkak për rishikimin e tjetrit, me një fjalë, si politikanët apo bashkëpunëtorët e tyre ekonomikë përfitojnë kësisoj.
Për më tepër që po kjo gjykatë, me vendimin penal nr. 5, datë 10. 04. 2009, veproi ndryshe për një ministër tjetër dhe bashkëpunëtorin e tij, pranoi t’i gjykonte të dy bashkë. Tashmë nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i drejtë në të ardhmen: kur kryeministri apo ministri do të vjedhë në bashkëpunim me një të tretë, (se përgjithësisht këto vjedhjet në Shtet nuk bëhen vetëm!!!), do të gjykohen nga Gjykata e Lartë apo në gjykime të ndara? Përgjigje nuk ka, se vetë Gjykata e Lartë me jurisprudencën e saj ka mbajtur dy qëndrime të ndryshme.
Së pesti: Gjykata e Lartë ka zhvilluar një proces të parregullt ligjor, duke keqzbatuar parimin e gjykimit të pandërprerë;
Në Gjykatë të Lartë ende nuk ka filluar procesi gjyqësor, në kuptimin substancial, ai ka mbetur i varur në faksin e nisur nga tuneli i Kalimashit, shkak ky jo vetëm qesharak, fyes për inteligjencën e njerëzve aty, por dhe denigrues për Gjykatën, që e merr për shkak të ligjshëm.
Po ç’është ky parimi i gjykimit të pandërprerë që ka keqzbatuar gjykata? Ky është një ndër parimet bazë në gjykimet penale, që vetë gjykimi të mos humbë ritmin dhe drejtësia penale të jepet shpejt, edhe për shkak të afateve të paraburgimit për të pandehurit. Te ne ky parim nuk zbatohet kurrë.
Po kaq flagrant është moszbatimi i këtij parimi në gjykimin e kësaj tragjedie në Gjykatën e Lartë. Në nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet shprehimisht se: “1. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës.
2. Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në pesëmbëdhjetë ditë.”
Ky është një parim shumë i rëndësishëm për një gjykim të shpejtë dhe të drejtë, por në kundërshtim me këtë rregull, (gjykata përjashtimin e kthen në rregull), asnjë seancë nuk u la të nesërmen e ditës së punës, por u shty në afate të tjera dhe për kurrfarë arsyeje të veçantë. Edhe për aspektin e mosrespektimit të gjykimit të pandërprerë ky është një proces gjyqësor i parregullt dhe si i tillë antikushtetues, pasi ka zgjatur dhe zvarritur përmbushjen e të drejtave të viktimave.
Sa më sipër konstatohet me një vështrim të thjeshtë, në caktimin e seancave gjyqësore: 4. 05. 2009, 11. 05. 2009, 22. 05. 2009, 15. 06. 2009, 6. 07. 2009 dhe e ardhshmja 14. 09. 2009. Pra, Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtën vetes të veprojë në kundërshtim me një nga parimet bazë të procesit të rregullt ligjor, atë të gjykimit të pandërprerë, dhe për më tepër pa respektuar edhe rregullin përjashtimor të seancave të paktën një herë në 15 ditë. Po të ishte gjykuar kjo çështje konform ligjit, pra dhe parimit të gjykimit të pandërprerë, vendimi përfundimtar do të ishte dhënë që në korrik dhe sot nuk do të lodheshin konstitucionalistët të interpretonin se si do të procedohet me imunitetin e ministrit të pandehur, por do të ishte bërë e ditur, nëse ai person ishte apo jo fajtor, kishte lidhje me demontimin në Gërdec, apo çne, ku e dinte ai për armët, megjithëse e kishte për detyrë ta dinte!!!
Pse kjo çështje hyn në juridiksion kushtetues?
Megjithëse ai vendim i Gjykatës së Lartë është antikushtetues si më lart, por dhe për shkaqe shumë të detajuara të parashtruara në kërkesën tonë atje dhe jo në këtë shkrim modest, Gjykata Kushtetuese refuzoi ta kalonte në seancë këtë çështje.
Po cili ishte arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese? Me thënë të drejtën i gjithë arsyetimi i kësaj gjykate është dhënë në dy paragrafë, me tetë rreshta gjithsej, të cilat po t’i vëmë këtu, dikush mund t’i keqinterpretojë në dëm të gjykatës. Atëherë, më shumë për publikun, se besojmë Gjykata Kushtetuese i ka të qarta shkaqet, po shpjegojmë pse kërkesa jonë duhej të ishte kaluar në seancë për shqyrtim:
Së pari: Viktimat i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e të drejtës së tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e kësaj të drejte (neni 131, shkronja “f” e Kushtetutës).
Të gjitha kundërligjshmëritë e parashtruara më lart e bëjnë atë vendim të Gjykatës së Lartë antikushtetues, pasi ka cenuar parimin e një procesi të rregullt ligjor. Shterimi i mjeteve ligjore bëhet nga poshtë-lart, pra duke filluar nga gjykata më e ulët e duke përfunduar tek e larta.
Ky është rast i posaçëm, që shkalla e parë (juridiksioni fillestar) është në kompetencë të Gjykatës së Lartë, e prandaj shkallët e tjera janë të kapërcyera (të shteruara ipso lege) e çështja nga Gjykata e Lartë shkon në Gjykatën Kushtetuese. Ja pse kjo Gjykatë duhej ta kalonte në seancë kërkesën tonë. Alogjizmi se ne duhet të shkojmë t’i shterojmë mjetet ligjore nga lart-poshtë është krejt antikushtetues dhe i pavend.
Së dyti: Vetë vendimi i Gjykatës së Lartë, që ne kemi goditur për antikushtetutshmëri është përfundimtar për ne dhe veç për të pandehurin ministër është i ndërmjetëm.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese se ai është një vendim i ndërmjetëm edhe për ne, nuk qëndron, pasi ai vendim na ka përjashtuar nga procesi, ky është fakt dhe konstatohet në vetë vendimin, po ashtu ka veçuar padinë civile nga ai proces penal.
Ndaj këtij vendimi shtrohet pyetja: A kemi të drejtë ankimi? Kur? Pasi të kenë mbaruar gjykimet penale, pasi të kenë përfunduar afatet e paraburgimit? Kur, edhe po të vendosej në favorin tonë, ai vendim gjykate do të ishte pa kuptim se procesi penal nuk ribëhet dot, se do të cenohej parimi “ne bis in idem” (jo dy herë për të njëjtë gjë).
Ja pse, ai vendim është i ndërmjetëm në kuptimin e ngushtë të procesit penal, që është i varur në Gjykatë të Lartë dhe që ka mbetur me një të pandehur, por është përfundimtar për çka vendos për viktimat, në dy aspekte: (i) përjashtimin si palë nga procesi (ii) veçimin e padisë civile.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese bie ndesh me vetë nenin 43 të Kushtetutës, ku parashikohet se: “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.” Pas atij vendimi të Gjykatës së Lartë, për më tepër që e kishim shkakun në dorë, antikushtetutshmërinë e tij, ku mund të ankoheshim tjetër veçse në Gjykatën Kushtetuese?
Së treti: Veç anës formale- juridike, që kjo çështje hynte në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese është shumë shqetësuese substanca e atij vendimi.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, që në analizë të fundit refuzon të zbatojë një dispozitë detyruese të Kodit të Procedurës Penale, duke e konsideruar atë “njëfarësoj” antikushtetuese i ka marrë kompetencën vetë Gjykatës Kushtetuese, e cila është i vetmi legjislator “negativ”, pra që shfuqizon dispozitat, që bien ndesh me Kushtetutën.
Po ashtu, ai vendim i Gjykatës së Lartë ka deformuar zbatimin e ligjit procedural penal duke i privuar viktimat si palë nga procesi penal, si dhe duke veçuar në kundërshtim me ligjin padinë e tyre civile.
Pra, ishte një rast i bukur për Gjykatën Kushtetuese të rregullonte lëmshin jurisprudencial, që ka shkaktuar Gjykata e Lartë me vendimin e saj.
Për më tepër që ne iu referuam shprehimisht edhe një rasti të ngjashëm nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese italiane, ku me vendimin e saj nr. 125, të vitit 1977, për gjykimin e ca ministrave në bashkëpunim me disa të tjerë, ajo Gjykatë arsyetonte, ndër të tjera se: “.....Ligjet e përmendura i kanë përshtatur Kushtetutës normat e bashkimit të çështjeve dhe, edhe pse me shprehje të ndryshme, në thelb shprehin të njëjtin koncept. Pasi është vendosur që Kushtetuta lejon një atribuim të kompetencave për bashkim, ligjvënësi është orientuar në diskrecionin e tij t’i dorëzojë organit të akuzës kompetencën për bashkimin e çështjeve. Si për epërsinë kushtetuese të mbrojtjes së të mirave nëpërmjet shtypjes së krimeve, për të cilat po flasim, si për shkak të vështirësive nganjëherë të pazgjidhshme që do të sillte një shqyrtim i ndarë, në ngarkim vetëm të ministrave, (për të cilët kompetenca e parlamentit dhe e gjykatës është e qartë që është e pakundërshtueshme)
....neni 45 i K. P. P (italiane që bën fjalë për bashkimin e procedimeve) nuk duhet të konsiderohet jokushtetues, sepse “lidhja është një kriter thelbësor i atribuimit të kompetencës, pasi parashikon nevojën e shmangies nga perceptimi i ndryshëm i shumë proceseve që sjellin inkoherencën e vendimeve ose mospërfundimin e shqyrtimit”.
....në rastin e bashkimit të çështjeve “uniteti i procedimit është ... i justifikuar nga nevoja e njëtrajtshmërisë në shqyrtimin mbi vërtetësinë e faktit dhe mbi vlerësimin e tij; që është një rregull racional i zgjedhjes legjislative, që preferohet nga tjetra, e cila implikon ndarjen e procedimeve, nga e cila krijohet rreziku i inkoherencës dhe i kontrastit të vendimeve ose thjesht rreziku i mospërfundimit të shqyrtimit të fakteve”.
Pra, dhe Gjykata Kushtetuese italiane e kishte zgjidhur këtë dilemë në zbatimin e ligjit procedural penal me një vendim të sajin. Gjykata jonë Kushtetuese, me përgjigjen e saj të datës 17. 07. 2009 (pas rezultatit paraprak të zgjedhjeve të përgjithshme) na “rikonfirmoi” se te ne është herët, nuk jemi as Italia e vitit 1977!!!
Post Gërdec….
Gjykimi vazhdon i shpërndarë, pas rrokopujës së Gjykatës së Lartë. Më të dëmtuarit nga ai vendim antikushtetues i Gjykatës së Lartë dolën viktimat dhe publiku i gjerë, që po privohen nga zhvillimi i një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Ata, të cilët kanë përfituar dhe do të përfitojnë deri në fund, janë të pandehurit dhe personat që potencialisht e kanë ngjyer në këtë çështje.
Post Gërdeci na sjell në vëmendje ca konstatime të hidhura, që s’na pëlqejnë asnjërit, por që duhet t’i themi, që të kuptojmë se në ç’shtet jetojmë:
- këtu jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë, për Shtetin, shoqërinë, gjykatat etj;
- ligji nuk zbatohet apo zbatohet në mënyrë preferenciale;
- imuniteti është një atavizëm, pas të cilit vazhdojnë të fshihen ca deputetë e gjyqtarë, jo në shërbim të mirëkryerjes së detyrës së tyre, por për ta ndihmuar njëri-tjetrin “në rrezik e në nevojë” për të mbyllur ca punë të pabukura si kjo e Gërdecit;
- pavarësisht shpërndarjes së lirë të armëve në 1997, përsëri Shteti ynë trashëgon një arsenal armësh, që përbën një pasuri të tërë dhe që duhet miradministruar për ta ndërtuar këtë vend, dhe jo të vijojë prapë si trafik i paligjshëm për të mbushur xhepat ca burra të ndershëm, që kanë kapur shtetin me tapi;
- mosdënimi i askujt për këtë tragjedi përforcon parashikimin fatkeq se trafiku do të vazhdojë në duar më të sigurta, që do t’i bëjnë aktet nënligjore më mirë dhe që në të ardhmen çfarëdo që të ndodhë të mbesë veç një ngjarje gazetash pa përgjegjësi penale.
Besoj se ky përfundim ju kujton një transkriptim të bujshëm të një bisede (mbase të sajuar, por që askush nuk e kontestoi), prapë për trafik armësh, asokohe ishte i nevojshëm ndryshimi i ligjit (Kodit Penal), kurse trafiku i 2008 kishte nevojë veç për VKM, por fjalët parashikuese të juristit politikan ishin: “..... është shfuqizimi i ligjit, që të paktën po ndodhi gjë, askush të mos mbajë përgjegjësi penale, por të mbetet histori gazetash e shoqëruar me ndonjë kokë turku...”
Në mënyrë që Gërdeci të mos mbesë veç një histori gazetash, viktimat e kësaj tragjedie do ta vazhdojnë procesin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jo vetëm për të rivendosur të drejtën e tyre, por dhe si thirrje e gjakut të derdhur kot të 26 Dëshmorëve të pashpallur të shekullit të ri, gjak i duhur, për t’u pasuruar lloj-soj e sorollop individësh, të ashtuquajturish politikanë, sekserë me kollare e me imunitet rozë apo blu apo zyrtarë të tjerë, që e kanë shumëzuar me zero jetën, dinjitetin dhe inteligjencën e këtij populli të varfër.