E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH në hemorragji financiare

 

Dhjetëra milionë euro fluturojnë çdo muaj nga arka e KESH për importet e shtrenjta dhe për të mbuluar humbjet

Debat mes KESH dhe Entit Rregullator për rritjen e çmimit. ERE, refuzon sërish

Edhe një herë, drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi debatoi me Entin Rregullator të Energjisë mbi çmimet e energjisë elektrike. Përgjigjja që mori për kërkesën e rritjes së çmimit qe sërish negative. Dje, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, z.Bujar Nepravishta, kryetar i ERE, përsëriti edhe një herë se nuk kishte ndër mend të toleronte një rritje të mëtejshme çmimesh.

“Ne deklaruam se nuk shohim motive për rritje të re çmimesh. FMN, erdhi dhe pa të gjithë informacionin e për herë të parë u bind, sepse në misionin e fundit, kërkoi që çmimet të mos rriten më për këtë vit”,- tha Nepravishta. Drejtori i KESH i kujtoi gjithashtu se çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është rritur shumë pak, në krahasim me dyfishimin e çmimeve të naftës e gazit.

Debat shifrash

Çmimet aktuale të energjisë elektrike në Shqipëri mund të shkaktojnë një humbje prej 135 milionë eurosh për këtë vit, kryesisht për shkak të çmimeve jashtëzakonisht të larta të energjisë së importuar. Për ta zbutur këtë humbje, nevojitet një rritje e re çmimi prej së paku 1 lek për kWh. Por, ERE mendon se KESH nuk e meriton një rritje të mëtejshme çmimesh, për sa kohë nuk ka reduktuar vjedhjet, të cilat ERE i vlerëson në rreth 80 milionë euro në vit.

Shefi i Misionit të FMN-së, Gerwin Bell, i cili qe nga këmbëngulësit për rritjen e çmimit, deklaroi pak ditë më parë se, “KESH ka një farë mundësie të ndalojë hemorragjinë financiare nëse redukton importet, përmban shpenzimet për personelin dhe redukton humbjet”. Por ky duket një skenar shumë pak i besueshëm. Shpenzimet e KESH për personelin janë ulur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2002, forca punëtore është reduktuar me më shumë se një e treta dhe ulja e mëtejshme e forcës punëtore rrezikon vetë funksionimin e Korporatës. Për më tepër, gropa e madhe e KESH nuk qëndron te shpenzimet e personelit, por te shpenzimet për energjinë e importuar. Vitin e kaluar u shpenzuan 200 milionë euro për import energjie, ndërsa të ardhurat totale të KESH qenë vetëm 220 milionë euro. Këtë vit, megjithëse pritet të shpenzohen po 200 milionë euro për importin, një çmim më i lartë do të reduktojë humbjet në rreth 135 milionë euro, por nuk e zgjidh problemin. Në rast se do të kapeshin të gjithë hajdutët e energjisë elektrike, gjë që është një skenar jorealist, humbjet do të përgjysmoheshin, por sërish mbeten shumë të larta. Kufizimi i importeve të energjisë, nënkupton kufizim në furnizim me drita. Humbjet në këto përmasa të KESH rrezikojnë vetë Buxhetin e Shtetit, i cili ka mbështetur herë pas here Korporatën me financime të drejtpërdrejta.

Ndërhyrje politike

ERE dhe KESH kanë qenë gjithmonë nën presion politik, sa herë është diskutuar nevoja e rritjes së çmimeve. Teorikisht, ERE është institucion i pavarur. Nuk ka pse t’i japë llogari askujt. Por në vitin 2006, kur ERE vendosi të rrisë çmimin, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit Berisha e detyroi të tërhiqte vendimin. Ndërhyrjet politike pritet të shtohen në lidhje me vendimin për çmimin gjatë gjysmës së dytë të këtij viti dhe vitit të ardhshëm, për shkak të afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.

Situata financiare e KESH po përkeqësohet vazhdimisht, për shkak se 2008 është i dyti vit radhazi me importe të shtrenjta, që arrijnë në vlerën e 200 milionë eurove. Edhe më herët, është pranuar nga zyrtarë të Ministrisë së Financave se shpenzimet e KESH për importet rrezikojnë kolaps financiar të Buxhetit të Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›