Rama-të rinjve: Jo indiferentë ndaj politikës
Kryesocialisti bashkëbisedoi dje me studentët e një prej universiteteve private në Tiranë
TIRANË- Fondacioni "Qemal Stafa" në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike startoi dje një program intensiv të trajnimeve dhe debateve publike, me qëllim zgjerimin e kapaciteteve politike të të rinjve dhe nxitjen e aktivizimin e tyre në politikë duke krijuar gjeneratën e liderëve të së ardhmes. Në nisje të këtyre debateve me të rinj, në një prej universiteteve private në kryeqytet, ka qenë dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë bashkëbisedimit me studentët e universitetit, Rama u bëri thirrje të rinjve që të mos qëndrojnë indiferentë apo refuzues përballë politikës. Kryetari i PS-së, shtoi se: “Politika është instrument, për të ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e jetës tënde dhe jetës së njerëzve rreth e rrotull. Dua të rinënvizoj, se duhet ndryshuar përqasja për sa i takon votës, e cila mund të shkojë dëm, nëse njerëzit do të kthejnë kurrizin. Si do të bëjmë të mundur që, ata për të cilët do të votojmë, të jenë sa më shumë të vetëdijshëm që pa ne, nuk janë as ata, dhe kjo është ajo që bëjnë moshatarët tuaj në të gjitha vendet që funksionojnë demokracitë e mirëfillta. I keni parë fushatat në Amerikë? Pse, çfarë i shtyn ata qindra-mijëra të rinj e të reja që pa asnjë pagesë, pa pasur asnjë njohje personale me Obamën apo Klinton, apo me këdo qoftë, të bëhen bashkë? Ata i shtyn nga njëra anë kjo vetëdije, që sa më shumë të jemi, aq më shumë mund të ndikojmë që të fitojë ai ose ajo që është më pranë asaj që mendojmë. Nga ana tjetër, sa më shumë të jemi, ai ose ajo që do të fitojë, të na ketë parasysh, sepse jemi ne forca”. Duke iu shpjeguar të rinjve idetë e tij, Rama u ndal në thirrjen për një bashkim përtej të majtës e të djathtës duke nënvizuar se, “përtej të majtës dhe të djathtës, do të thotë jo që të mos ketë të majtë e të djathtë, por do të thotë që në Shqipëri, njerëzit të mos ndahen majtas e djathtas”.