E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse perceptimi nuk tregon nivelin e korrupsionit?

Aldo Bumçi 

Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin – sa mendojnë qytetarët se është i përhapur korrupsioni – nuk na tregon dot se sa është niveli i korrupsionit në Shqipëri. Këtë e tregoi më së miri edhe sondazhi i fundit për korrupsionin në Shqipëri i financuar nga USAID-i. Të dhënat për perceptimin janë të vlefshme, sepse mund ... të na tregojnë, drejtojnë dhe ndriçojnë në lidhje me aspekte të tjera të ‘shëndetit’ të demokracisë shqiptare dhe të opinionit të qytetarëve, por ato nuk mund të jenë tregues realë të nivelit të korrupsionit.
Sa është niveli i korrupsionit në vend? Kjo është pyetja që na shqetëson të gjithëve. A ka ardhur duke u përmirësuar apo duke u keqësuar situata në lidhje me korrupsionin? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ne duhet të kemi mundësi që të masin korrupsionin, çfarë nuk është një proces i lehtë. Megjithatë ka disa mënyra që përdoren si, sondazhet ku pyeten qytetarët dhe analizat e treguesve të ndryshëm statistikore si p.sh. ecuria e mbledhjes së të ardhurave doganore. Në këtë shkrim unë nuk do të përdor të dhënat statistikore, ose me fjalë të tjera, rezultatet e punës së qeverisë për të treguar se realiteti është më i mirë se sa perceptimi i qytetarëve. Kjo jo sepse nuk është e vlefshme. Padyshim, që një mënyrë për të njohur realitetin është duke studiuar treguesit në fusha të ndryshme, por kjo do të paragjykonte analizën që në fillim. As nuk do të merrem me sondazhin për të treguar se është i pasaktë, (një kritikë që na bëhet shpesh se kur sondazhet kritikojnë qeverinë, atëherë ato vihen në pikëpyetje.) Nuk i heq asnjë presje sondazhit të shpallur para pak ditësh. Për të treguar se perceptimi është shumë larg realitetit, dhe si rrjedhim i pavlefshëm për të matur korrupsionin, unë do të përdor vetëm të dhëna që ndodhen në sondazh, dhe që faktikisht një pjesë prej tyre nuk janë mbuluar nga media.
Pyetjes se sa i përhapur është korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë, qytetarët që mendojnë se është “shumë i përhapur” ose “disi i përhapur” i janë përgjigjur si vijon: 95% në 2005, 94% në 2006, dhe 91.7% në 2007. Dy çështje të bien në sy nga këto të dhëna: E para se perceptimi për përhapjen e korrupsionit është shumë i lartë, (ne notojmë në korrupsion), dhe e dyta se nuk ka ndonjë ndryshim nga viti në vit, (lëvizjet janë të papërfillshme me 1 ose 2%, çfarë do të thotë se të dhënat nuk mund të përdoren për të thënë se korrupsioni po ulet). Mendimi i mbi 90% të qytetarëve mbetet i pandryshuar, pavarësisht nismave, reformave të ndërmarra si dhe zhvillimeve të ndryshme politike.
Por sondazhi nuk pyet vetëm se çfarë mendojnë qytetarët, pra perceptimin, por pyet dhe në lidhje me përvojën e tyre në jetën e përditshme, kur duhet të kryejnë punë të ndryshme në zyrat e shtetit. Një pyetje përmbledh shumë qartë përvojën e qytetarëve: Gjatë vitit të kaluar a ju është dashur të paguani ryshfet për të nxjerrë ndonjë lloj dokumenti (certifikata, leje biznesi etj.)? Përgjigjet janë 29.6% në 2005, 19.4% në 2006 dhe 25.7% në 2007. Të dhënat janë befasuese, ka një diferencë shumë të madhe ndërmjet çfarë mendojnë qytetarët për përhapjen e korrupsionit në vend, dhe përgjigjes së tyre kur pyeten për përvojën e tyre personale. Fakti se 25% e qytetarëve, pra 1 në 4 qytetarë paguan ryshfet, nuk flet për një nivel të ulët korrupsioni, megjithatë është shumë herë më i ulët se perceptimi i vetë qytetarëve për situatën e përgjithshme të korrupsionit në vend, mbi 90%.
Përveç hendekut të madh ndërmjet perceptimit dhe përvojës, është me vlerë të vëmë në dukje edhe një fakt tjetër që del nga analiza e të dhënave të sondazhit. Viti 2006 është viti më pozitiv si në aspektin e uljes së korrupsionit si përvojë e përditshme e qytetarëve – rreth 30% është ulur korrupsioni në vitin 2006 në krahasim me 2005 në treguesit që masin përvojën e qytetarëve. Gjithashtu edhe përsa i përket vlerësimit të gjendjes ekonomike si personale ashtu dhe të përgjithshme të vitit 2006 e krahasuar me 2005 treguesit e sondazhit janë më të mirë, p.sh. 27% e qytetareve në 2006 e vlerësojnë gjendjen personale ekonomike më mirë se në 2005, krahasuar me vetëm 17% në 2005 që deklaroheshin më mirë se në 2004. Pavarësisht nga këto të dhëna pozitive si në rënien e korrupsionit në përvojën e përditshme të qytetarëve ashtu dhe një vlerësim më i mirë për gjendjen ekonomike në vitin 2006 në krahasim me 2005, treguesit në perceptimin e përgjithshëm të korrupsionit janë të pandryshuar: 95% në 2005 dhe 94% në 2006. Rënia me 1% është absolutisht e papërfillshme, çfarë do të thotë se perceptimi i përgjithshëm nuk ndikohet nga zhvillimet konkrete nga viti ne vit.
Si shpjegohet ky hendek kaq i madh ndërmjet perceptimit dhe përvojës, si dhe pandryshueshmëria e perceptimit në raport me përvojën. Në fakt, kjo nuk është diçka e veçantë për Shqipërinë. Studime të kryera në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore kanë arritur në të njëjtin konkluzion se, perceptimi i qytetarëve për korrupsionin është më i lartë se realiteti. Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin, ashtu siç thotë edhe Ivan Krastev, një nga studiuesit më në zë sot në Evropën Juglindore, ushqehet nga shumë faktorë si zhgënjimi prej rezultateve të tranzicionit, rritja e pabarazisë sociale në përgjithësi si dhe rënia e peshës së ideologjive në jetën politike. Në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë se praktikat korruptive nuk e ndikojnë perceptimin, sidoqoftë faktorët të cilët janë përgjegjës për intensitetin e debatit kundër korrupsionit dhe perceptimin e lartë janë shumë më të qëndrueshëm dhe afatgjatë se ndryshimet që mund të ndodhin nga viti në vit në përvojën tonë me korrupsionin. Shumë fenomene që kanë shoqëruar procesin e tranzicionit si rritja e papunësisë, rritja e pasigurisë ekonomike, mungesa e shërbimeve bazë, humbja e statusit shoqëror për një sërë grupesh shoqërore, p.sh. mësuesit, dhe një krizë e përgjithshme morale e pranishme në të gjitha vendet ish-komuniste ushqejnë këtë perceptim. Për më tepër dhe debati publik dhe politik e ka përforcuar edhe më shumë këtë sepse e ka prezantuar korrupsionin si burimin e të gjitha të këqijave të shoqërisë sonë duke errësuar debatin për çështje të tjera të rëndësishëm të politikave dhe duke e kthyer korrupsionin në një shpjegim të lehtë për të gjitha dështimet.
Si përfundim, hendeku i madh që ekziston ndërmjet perceptimit dhe realitetit dëshmon se perceptimi është i pavlefshëm si për të matur korrupsionin, për të kuptuar prirjet e përgjithshme, apo për të ndërtuar politika për të luftuar korrupsionin në bazë të këtyre të dhënave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›