E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit Obama

Ata, të cilët dëgjojnë sot fjalimet e presidentit amerikan, kaplohen nga ndjenja e keqardhjes. Barack Obama ende cilësohet si njeriu më i fuqishëm në botë, ngase në përputhje me rutinën, të gjithë presidentët amerikanë cilësohen të tillë.

Megjithatë, gjëja e cila bie aktualisht në sy tek ai është pafuqia. Në 12 muajt e tij të parë si president, Obama ka dhënë mbi 200 intervista, më shumë se çdo president tjetër në vitin e tij të parë në funksion.

Krahas kësaj, ai ka mbajtur mbi 160 fjalime. Ai ende flet për shpresë dhe ndryshime, por fjalët e tij duken mekanike. Ai ende dëgjohet me kujdes, por fytyrat e atyre që e dëgjojnë nuk shkëlqejnë më.

Presidenca e oratorit nuk ka përmbushur ende atë që është premtuar. Fjalët e tij nuk ishin aq sa duhet të fuqishme sa për të ndryshuar realitetin. Niveli i papunësisë është shtuar dukshëm, e ngritje ka shënuar edhe borxhi shtetëror. Burgjet speciale në Guantanamo dhe Wall Street kanë një gjë të përbashkët: ato po vazhdojnë biznesin si zakonisht.

Sa i përket politikës së shëndetësisë, makineria shtetërore është bllokuar. 47 milionë amerikanë ende janë pa sigurim dhe ende po e presin sigurimin, i cili ju është premtuar. Shumë prej tyre, të cilët e kanë blerë sigurimin, kanë filluar të ankohen. Fitoren e personave që nuk janë të siguruar ata e konsiderojnë si humbje të tyre. Ky nuk është faji i Obamës, por paraqet një problem për të.

Edhe në fushën e politikës së jashtme gjërat nuk duken hiq më mirë. Qeveritë në Iran dhe Kore të Veriut nuk janë joshur me fjalë, as Kina, e Al Qaida me gjasë as që dëgjon. Sulmi i dështuar kundër një aeroplani në Detroit, në Ditën e Kërshëndellave, ishte një sulm edhe kundër presidencës së Obamës. “Islami nuk është pjesë e problemit”, kishte theksuar Obama, gjatë fjalimit të tij në Universitetin e Kajros. Vetëm mund të shpresojmë se ka të drejtë. Por Ditën e Kërshëndellave mësuam që mos t’i besojmë aq shumë shpresës tonë.
Në botën e interesit, fjalët janë gjithmonë një valutë e butë. Me fjalë mund të fitosh zgjedhjet. Por më pas, me fjalë nuk mund të blesh asgjë.

Duke pasur parasysh mungesën e sukseseve, ka filluar të rrënohet edhe koalicioni i Obamës, të cilin e ka krijuar me mjaft aftësi. Në të vërtetë, Amerika nuk njeh qeveri të koalicionit. Njëra parti kryeson, tjetra është në opozitë.

Por për të fituar zgjedhjet, Obamës i duhet koalicioni joformal i grupeve të ndryshme zgjedhore. Obama fitoren e tij e ka arritur falë “koalicionit të ylberit”, i cili si i tillë nuk ka ekzistuar asnjë herë më parë në SHBA.

Rinia e vendit u rreshtua prapa tij. Pothuajse të gjithë amerikanët me ngjyrë kanë votuar për të. Ai arriti të bindë edhe hispanikët. Madje edhe një numër i madh i votuesve të pavarur u kapluan nga ethet Obama. Është e vërtetë se nuk ja dhuruan zemrën, por votat po.

Kjo përzierje e pazakonshme e njerëzve me ngjyra të ndryshme të lëkurës dhe sfondeve të ndryshme sociale aktualisht ka filluar të shpërbëhet. Obama për momentin nuk po mund të realizojë pritjet e askujt. Ndoshta mos-suksesi ka qenë qysh në fillim i ngulitur në këtë koalicion të gjerë.

Dëshpërimi është më i madhi në radhët e ithtarëve të tij më besnik. Shumë të rinj kanë filluar t’ia kthejnë shpinën idhullit të tyre. Të rinjtë e ndjejnë vetën të tradhtuar, pasi që Obama pothuajse ka trefishuar numrin e ushtarëve amerikanë në Afganistan, që nga koha kur e zëvendësoi George Bushin.

Janë kthjellur edhe amerikanët me ngjyrë dhe atë për disa arsye. Ata janë viktima e vërtetë e krizës së rëndë sociale, e cila e shoqëroi krizën financiare. Çdo i dyti i ri amerikan me ngjyrë është i papunë.

Obama nuk mund t’i lejojë vetës programe të reja shtetërore. Me këto programe, ai do të hidhëronte grupin më të rëndësishëm të votuesve të tij: të pavarurit. Pas 100 ditëve të presidencës së tij, politika e Obamës u përkrah nga 67 për qind e votuesve të pavarur. Tani kjo përkrahje ka rënë në 49 për qind, një minus prej 18 pikë. Ata janë të tmerruar për atë që ka ndodhur me votat e tyre.

Obama sot është një president i vetmuar. Vetëm 37 për qind e amerikanëve sot janë të mendimit se vendi i tyre po lëvizë në drejtimin e duhur. Edhe demokratët e tij duken në rrëmujë. Një guvernator, si dhe disa senatorë dhe kongresistë amerikanë kanë hequr dorë gjatë javëve të kaluara nga synimi për rizgjedhje apo kanë paralajmëruar tërheqjen nga politika. Demokratët në nëntor të vitit të kaluar humbën në dy zgjedhje për guvernatorë. Nëse partia e Obamës humbë edhe zgjedhjet për ulësen e senatorit nga Massachusettsi, në të cilat do të votohet për pasardhësin e senatorit të ndjerë demokrat, Edward Kennedy, atëherë do të rrezikohet seriozisht agjenda e Obamës për reforma në vitin 2010.

Vota momentalisht e 60-të vendimtare në senat, me të cilën demokratët do të mund të thyenin bllokadën e republikanëve, do të humbej. Pa mbështetjen e konservatorëve, Obama nuk do të jetë në gjendje që të zbatojë reformat e tij ambicioze në fushën e shëndetësisë. Republikanët de fakto do të posedonin veton.

Mbi zgjedhjet e gjysmë-mandatit, të cilat zhvillohen në nëntor, qysh tani ka rënë hija e dështimit.

Megjithatë, republikanëve ende ju mungon gjëja më e rëndësishme, për të sfiduar seriozisht Obamën në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012: alternativa personale. Por mundësitë prodhojnë kandidatë. Sa më i goditur që të jetë presidenti i 44-të i SHBA-së, aq më të guximshëm do të bëhen ata, të cilët aktualisht po i shmangen rrezikut.

Njëri prej tyre mund të jetë gjenerali David Petraus, komandanti kryesor i angazhimeve ushtarake në Irak, Afganistan dhe Pakistan. Ai është republikan. Ai do të nxitet nga konservatorët që të kandidojë.

“Ai ende është duke ngurruar, por në të po flakëron zjarri i ambicieve politike”, deklaroi një senator republikan, i cili e njeh mirë Petrausin.

Të enjten, një ditë përvjetorit të parë të administratës së Obamës, Petraus do të ketë një paraqitje publike në Washington dhe interesimi për këtë paraqitje është i garantuar.
Ndoshta është kjo risia kryesore: opinioni publik sërish po shikon se çfarë ka për të ofruar konkurrenca e Obamës.

(Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›