E Diel, 1 Nëntor 2026

Seuli kërcënon Phenianin me “goditje të parë”

Shefi për mbrojtje i Koresë së Jugut ka bërë sot thirrje për sulm parandalues ndaj Koresë së Veriut, nëse ka shenja të qarta se Pheniani po përgatitë një sulm bërthamor kundër Jugut.

Në ndërkohë, një agjenci shtetërore ka parashikuar një puç ushtarak, kryengritje popullore, masakër apo dezertime masive, pas vdekjes së udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Ilit.

Këto komente dhe spekulime, të bëra në momentin kur dy Koretë po diskutojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm të kompleksit të tyre të përbashkët industrial, me gjasë do të hidhërojnë Phenianin, i cili së fundi është kërcënuar me ndërprerje të dialogut dhe me sulm kundër Koresë së Jugut.

Nëse ka konfirmim se Koreja e Veriut synon të ndërmarrë një sulm bërthamor, atëherë Koreja e Jugut menjëherë duhet të fillojë sulmin kundër veriut, deklaroi Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Tae Young.

Në anën tjetër, Instituti i Koresë për Bashkim Kombëtar theksoi se trazirat në Korenë e Veriut janë të mundshme gjatë viteve në vijim.

Ky Institut parashikoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, me gjasë nuk do të jetojë deri në vitin 2012, edhe pse nuk ofroi ndonjë dëshmi për këto spekulime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›