Një yll i ri po lind në tenis
Argjentinasi Juan Martin del Potro është fituesi i turneut prestigjioz të tenisit “Us Open”. 20-vjeçari mposhti në një finale dramatike legjendën dhe numrin një në botë, zviceranin Roxher Federer, pesë herë kampioni i këtij turneu. Takimi zgjati më shumë se katër orë, duke u fituar nga Del Potro me rezultatin 3-2: 3-6, 7-6(5), 4-6, 7-6(4), 6-2). Ky ishte Grand Slemi i pari i numrit gjashtë në botë. “Kam pasur dy ëndrra këtë javë. Njëra të fitoj në US Open dhe tjetra është të bëhem si Roxher. Njëra është realizuar, por kam nevojë për shumë përmirësim për t’u bërë si ai. Ai luftoi deri në pikën e fundit dhe është një kampion i madh”, - tha Del Potro pas ndeshjes, duke mos i mbajtur emocionet e lotët. Media botërore e konsideroi fitoren e 20-vjeçarit si një shenjë e lindjes së një ylli të ri në botën e tenisit për meshkuj. Në fakt, në gjysmëfinale, Del Potro mundi një tjetër emër të madh të tenisit, spanjollin Rafael Nadal: 3-0 (6-2, 6-2, 6-2). Del Potro arkëtoi shumë prej 1.6 milionë dollarësh, plus një premio prej 250 mijë dollarësh për vendin e tretë në US Open. Federer nga ana e tij, edhe pse humbi, fitoi 800 mijë dollarë. Del Potro është argjentinasi i dytë që fiton US Open pas Guiliermo Vilas në vitin 1977.
16 Shtator 2009