E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj kërkon shtyrjen e ndryshimit të Rregullores: “Duhet konsensusi i opozitës”

PS-ja largohet nga salla e Kuvendit: “Ndryshimi i Rregullores, shkelje e Kushtetutës”

Eljona Ballhysa
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë nxitur sërish debate midis opozitës dhe maxhorancës gjatë seancës së djeshme parlamentare. Opozita ka kundërshtuar futjen në rendin e ditës të propozimit të deputetit Fatos Beja për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke u shprehur se ky propozim nuk ka konsensusin e opozitës. Për këtë qëllim PS-ja është larguar nga salla e Kuvendit. Ndërsa nga maxhoranca deputeti Besnik Mustafaj ka mbështetur qëndrimin e opozitës, duke kërkuar shtyrjen e diskutimit për ndryshimet në Rregullore. Mustafaj ka kërkuar negocimin me opozitën dhe arritjen e një marrëveshjeje me të. Ai bëri të ditur në Kuvend se debati për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit ka krijuar në opinionin publik imazhin e një përplasjeje politike midis Grupit Parlamentar të PD-së dhe presidentit Topi. Mustafaj theksoi se tërheqja e maxhorancës dhe diskutimi i propozimeve me opozitën do të tregojë se këto ndryshime nuk realizohen për shkak të përplasjeve me presidentin, por për shkak të nevojës për ndryshime.
Deklarata
“Së pari unë bashkohem me ata që mendojnë se ndryshimet duhet të jenë me konsensus, doemos me prezencën e opozitës. Para katër vitesh, kur është ndryshuar Rregullorja, janë marrë në konsideratë propozimet e opozitës së atëhershme, që ishim ne. Ajo që është e rëndësishme është fakti që në parim Grupi Parlamentar i PS-së është dakord me ndryshimet e Rregullores. Duhet të negociohet me opozitën. Nuk ka arsye që të ngutemi kaq shumë”, - është shprehur Mustafaj. Deputeti i PD-së më tej shprehu shqetësimin për imazhin e krijuar se midis maxhorancës dhe institucionit të Presidentit ekziston një krizë. “Në debatin publik është krijuar një opinion që ka një përplasje midis PD-së dhe Presidentit. Kjo gjë është e rëndësishme ta ngre këtu. Ne mund të tregojmë se nuk ka përplasje nga ana jonë me Presidentin vetëm nëpërmjet veprimeve. Në rastin konkret duhet të tregojmë se kemi vullnet për të mos u nxituar me Rregulloren”, - është shprehur Mustafaj. Më tej ai e cilësoi projektin e paraqitur në Kuvend për ndryshimet në Rregullore konfuz dhe që kërkon redaktime të domosdoshme, ndaj propozoi shtyrjen e tij.
Debati
Partia Socialiste, nëpërmjet kryetares së Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, kundërshtoi që në fillim të diskutimit miratimin e ndryshimeve në Rregullore, pasi sipas saj, propozimet e paraqitura nuk kanë konsensus të gjerë. “Rregullorja nuk mund të ndryshohet pa konsensusin e partive që janë në Parlament, dhe e dyta është se nuk ka asnjë motiv që kjo Rregullore të vijë në një mënyrë të përshpejtuar, pra brenda pak ditësh ne të ndryshojmë Rregulloren e Parlamentit, ndërkohë që ka disa propozime nga palët”, - është shprehur Leskaj. Ndërsa dy deputetët e PS-së, Malaj e Dervishi, tërhoqën propozimet e tyre për ndryshimin e Rregullores, duke u shprehur se kërkesat e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me propozimet e PD-së. Malaj e cilësoi veprimin e maxhorancës si zbatim të urdhrave të partisë. “Ju po e keqpërdorni për krizën tuaj institucionale, pasi kërkoni me këmbëngulje miratimin e ndryshimeve të Rregullores përpara dekreteve të presidentit. Kishit kohën e nevojshme që të merrnit reforma të rëndësishme, por ta plotësosh mungesën e vizionit me veprime të përshpejtuara ky është keqpërdorim i mandatit tuaj politik. Debati për Rregulloren kërkon që diskutimi në komisionet përkatëse të mbrohet nga deputetët propozues. Iniciativat nuk janë të bashkuara. Ne kemi kërkuar seanca dëgjimi, ju e keni kthyer në seanca hetimi”, - është shprehur Malaj. Edhe deputetët e LSI-së, Braho e Xhufi, e cilësuan të gabuar mënyrën e procedimit nga ana e maxhorancës për miratimin e ndryshimeve në Rregullore. Ata theksuan se qëllimi i maxhorancës është politik dhe synon që të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës për të dekretuar anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Jeni në shkelje të Rregullores. Ne nuk bëhemi pjesë e këtij puçi. Ju kërkoni të zëvendësoni nxjerrjen e dekreteve jo nga Presidenti i Republikës, por nga Jozefina Topalli. Ajo që bëni ju është rruga e pushtimit të institucioneve”, - është shprehur Braho. Në përfundim të debatit kryetarja e Kuvendit, Topalli, vendosi që propozimi për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit të tërhiqet nga rendi i ditës dhe të diskutohet gjatë ditës së sotme në Këshillin e Rregullores. Gjatë seancës së djeshme Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Eurosocialistët ndërmarrin nismën e krijimit të “Turit të rinisë”

Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, më datë 4 të këtij muaji do të nisë një tur mbarëkombëtar të quajtur “Re-Fressh Summer Tour – Turi i rinisë”. Me sa duket, pas nismës së Dialogut me Shqipërinë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe struktura rinore e partisë kryesore të majtë do të iniciojë një lëvizje paralele, të ngjashme me të, por me disa karakteristika kyçe dalluese dhe që do të fokusohen ekskluzivisht te të rinjtë. Thelbi i këtij turi do të jetë ai që FRESSH-istët e quajnë “Libri i të rinjve”, pra një axhendë ku do të përmblidhen të gjitha idetë, problematikat dhe shqetësimet e të rinjve anë e mbanë Shqipërisë, me qëllimin që ky libër, më pas, të kthehet në programin qeverisës të Partisë Socialiste, kur kjo e fundit të fitojë zgjedhjet dhe të udhëheqë shqiptarët në vitin 2009. E ideuar nga “Tre Muskëtierët” e FRESSH-it, Sokol Kondi, Dritan Broka dhe Ajola Xoxa, kjo nismë ka marrë miratimin e plotë të Partisë Socialiste, e cila, sikurse dihet, nuk ia ka lënë asnjëherë mangët mbështetjen e saj të rinjve, si dhe proceseve politike të formuluara nga vetë qytetarët, si subjekti më suprem të cilit i takon kjo e drejtë.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›