PD-ja nuk ka ende asnjë draft për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Demokratët duket se i kanë varur shpresat te socialistët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Do të jetë pikërisht drafti që do të propozojnë deputetët e PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të diskutohet dhe do të negociohet gjatë mbledhjeve të komisionit të posaçëm parlamentar, i cili pritet të mblidhet gjatë kësaj jave. Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, deputeti i PD-së, Ilir Rusmali, bëri të ditur për gazetën se Partia Demokratike ende nuk ka një draft që të përmbajë pika për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Rusmali bëri të ditur se i gjithë Kodi Zgjedhor do të ndryshojë për shkak se është ndryshuar Kushtetuta. Sipas tij, të gjitha ndryshimet e bëra në Kushtetutë përsa i përket sistemit zgjedhor, do të reflektohen në Kodin e ri Elektoral. “Nuk mund të flitet me pika se çfarë do të ndryshojë në Kod, pasi i gjithë Kodi do të ndryshojë duke e përshtatur atë me ndryshimet kushtetuese”, - është shprehur Rusmali për gazetën “Albania”. Ai bëri të ditur se qëndrimi i PD-së për reformën zgjedhore duhet të përcaktohet në një mbledhje të posaçme të Kryesisë së kësaj partie. Por deri tani, përveç deklaratave të kreut të PD-së për përshpejtimin e punës për reformën zgjedhore, ende nuk ka një deklarim të qartë se çfarë kërkon PD-ja që të ndryshojë në Kodin Zgjedhor. Kështu, askush nga Grupi Parlamentar i PD-së nuk e ka të qartë se si do të përcaktohen rajonet elektorale, se çfarë përmbajtje do të kenë komisionet zgjedhore, si do të përcaktohet financimi i partive politike gjatë fushatave zgjedhore dhe si do të llogariten votat për kandidatët për deputetë. Ndërkohë që PS-ja prej kohësh ka ngritur një grup të posaçëm pune për diskutimin e çështjeve teknike të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, të cilat në prag zgjedhjesh marrin një rëndësi të veçantë politike, deputetët e PD-së, “i hapin sytë” nga kryetari i Partisë. Ky i fundit një ditë më parë fajësoi PS-në për vonesat në realizimin e reformës zgjedhore, ndërsa dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, vlerësoi vullnetin politik të shfaqur nga PS-ja për realizimin e kësaj reforme. Berisha gjithashtu shtoi se PS-ja do të ketë mbështetjen e PD-së dhe të qeverisë për realizimin e kësaj reforme të rëndësishme. Përveç këtyre deklaratave, PD-ja nuk ka asnjë propozim konkret për realizimin e kësaj reforme.
E. Ballhysa
1 Korrik 2008