E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, ikën Islami, emërohet Xhafaj në krye të Komisionit për Kodin Zgjedhor

Selia rozë ndryshon deputetët që do ta përfaqësojnë në komisionin e ri

Shaban Sulçe

Do të jetë deputeti Fatmir Xhafaj, dhe jo Kastriot Islami, ai që do të udhëheqë nga PS-ja bashkëkryesimin e Komisionit Parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Partia Socialiste ka konfirmuar dje rokadën Xhafaj-Islami përsa i përket drejtimit të komisionit të posaçëm më të ri parlamentar, që ka të bëjë ma Kodin e ri Zgjedhor dhe me përfundimin e plotë të reformës zgjedhore. Xhafaj do të zërë vendin e Islamit, i cili udhëhoqi bashkë me deputetin e PD-së, Ilir Rusmaili, për dy vjet, punët e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, komision që dështoi dhe nuk e arriti misionin e tij.
Lajmi u bë i ditur dje nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila tha: ”Komisioni i Reformës Zgjedhore do të jetë ashtu siç ne e kemi propozuar, një komision i kodit elektoral, me përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare. Fatmir Xhafaj do të jetë bashkëkryetar nga ana socialiste”. Deputeti Xhafaj, i cili është edhe sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, ka udhëhequr grupin e punës në selinë rozë, që u krijua enkas për të përgatitur draftin e propozimeve të PS-së për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Siç edhe u deklarua nga vetë Xhafaj, Partia Socialiste prej më shumë se një jave ka gati platformën e plotë të propozimeve për Kodin e ri Zgjedhor. Kjo platformë do të paraqitet në komision parlamentar nga deputeti Xhafaj.
Përbërja e komisionit
Ashtu siç është vendosur me unanimitet, të gjitha partitë parlamentare do të kenë mundësinë të përfaqësohen në Komisionin Parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Megjithatë, ndryshe nga PS-ja, partitë e tjera nuk priten të kenë ndryshim në përfaqësim në krahasim me Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Si nga partitë e djathta, ashtu edhe nga ato të majta priten të jenë të njëjtët deputetë përfaqësues. Kështu, bashkëkryetari i komisionit që do të përfaqësojë Partinë Demokratike do të jetë deputeti Ilir Rusmali. Republikanët do të përfaqësohen nga Arian Madhi, PDR-ja nga Tritan Shehu, demokristianët nga Ndue Shpani, PBDNJ-ja nga Spiro Peçi dhe agrarët nga Petrit Gjoni. Ndërkohë, nga opozita, LSI-ja pritet të përfaqësohet nga deputeti Spartak Braho, PSD-ja nga kryetari Skënder Gjinushi, PDS-ja nga Paskal Milo dhe Neritan Ceka i Partisë Aleanca Demokratike.
Komisioni pa veto
Një nga hapat konkretë për nisjen e punës së komisionit të posaçëm parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor ka qenë vendimi i djeshëm i kryetarëve të grupeve parlamentare. Konferenca e Kryetarëve jo vetëm ka miratuar ngritjen e këtij komisioni, por kanë vendosur gjithashtu heqjen e të drejtës së vetos së partive, për vendimmarrjen në këtë komision. Ndryshe nga komisioni i mëparshëm për reformën zgjedhore, që asnjëherë nuk arriti të nxirrte një vendim të miratuar dhe me konsensus, për shkak të vetos së partive, për komisionin e ri është vendosur heqja e të drejtës së vetos. Kjo formulë e re pritet të jetë më funksionale dhe të heq mundësitë e bllokimit nga secila prej partive. Mësohet gjithashtu se partitë parlamentare janë angazhuar për të përfunduar brenda 30 korrikut punimet e komisionit të posaçëm për Kodin e ri Zgjedhor, datë kjo që përkon edhe me përfundimin e legjislaturës parlamentare. “Parlamenti do të angazhohet për të përfunduar ndryshimet në Kodin Zgjedhor brenda këtij sesioni. Jemi të interesuar për të dhënë një zgjidhje ligjore, d.m.th. që Kuvendi të shprehet me një vendim, të krijohet një komision i posaçëm për reformën zgjedhore”, - deklaroi dje nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD-së, Fatos Beja.

Leskaj: “Mbështesim hetimin ndaj qeverisë për trafikun e armëve”

Partia Socialiste shpreh gatishmërinë për të mbështetur çdo lloj hetimi ndaj qeverisë për trafikun e armëve, duke nënkuptuar gjithashtu edhe mbështetjen ndaj kërkesës së LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me këtë çështje. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e pyetur nga gazetarët në lidhje me propozimin e LSI-së, tha: “Do ta shqyrtojmë dhe jemi për çdo lloj hetimi për çështjen e trafikut të armëve. Ne jemi në proces shqyrtimi dhe presim propozimin”. Pas publikimit të fakteve të reja, që kishin të bënin me implikimin e qeverisë shqiptare për trafikun e armëve në Shqipëri, LSI-ja kërkoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me këtë çështje. “Shumë shpejt LSI-ja do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar rreth trafikut të municioneve dhe armëve në drejtim të Afganistanit”, - deklaroi një javë më parë, deputeti i LSI-së, Spartak Braho.

Rama në Athinë: “Grup pune në PS për çështjet e emigrantëve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me një grup deputetësh, ka zhvilluar një takim me emigrantë shqiptarë në kryeqytetin grek të Athinës. Në këtë takim janë prekur nga afër problemet e emigrantëve, duke pasur parasysh se Partia Socialiste, në kuadër të programit të saj elektoral, do t’i kushtojë një vëmendje duke ngritur një grup pune që do të shqyrtojë problemet e emigracionit. “Do të ngremë edhe një grup pune që do të merret me atë pjesë të programit që ka të bëjë me emigrantët. Një grup pune me njerëz që janë të gatshëm që ta japin këtë kontribut vullnetarisht dhe që do të konsultohemi në mënyrë të vazhdueshme dhe do të arrijmë në fund, ashtu si edhe për fushat e tjera, edhe për këtë çështje, të kemi idetë dhe synimet tona. Dhe këto ide dhe synime pastaj do t’jua bëjmë të qarta kur të vijë dita përpara zgjedhjeve, që të gjithë emigrantët ta dinë se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për emigrantët. edhe pse emigrantët duhet ta votojnë Partinë Socialiste”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›