E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i eksporton 130 MGW/h energji në Kosovë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare i ka dhënë këto ditë një sasi energjie prej 130 Megavat/orë Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, pas kërkesës së kësaj të fundit. Faktin e ka konfirmuar drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, i cili sqaroi se energjia është dhënë me rastin e ditës së festimeve për pavarësinë e Kosovës, pas kërkesës që KEK-u i Kosovës bëri për këtë dhe do t’i kthehet sërish Shqipërisë. Sipas Bojaxhiut, Shqipëria prej tri ditësh jep energji elektrike për Kosovën në një sasi prej 130 megavat/h çdo ditë. Sipas burimeve zyrtare të KESH-it, kjo sasi nuk ka prekur furnizimin me energji të Shqipërisë, por është dhënë si sasi, e cila pritet të shkëmbehet brenda këtyre ditëve. KESH-I, sipas Bojaxhiut, i ndihmoi me energji shqiptarët matanë kufirit pas një defekti në bllokun “Kosova B”. Me këtë sasi energjie, KESH-i iu përgjigj kërkesës së KEK-ut për të pasur sa më shumë energji elektrike gjatë ditëve të festimeve të pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall ditën e diel, më 17 shkurt 2008. Mes dy kompanive elektroenergjetike prej vitesh shkëmbehet energji sipas kërkesave dhe nevojave të të dy vendeve. Sipas burimeve të KESH-it, siguria e shkëmbimit të energjisë favorizohet nga fakti se duke qenë se të dy sistemet kanë burime diversifikuese të prodhimit të energjisë elektrike, ato janë përherë të sigurta. Kosova mund të prodhojë nëntë milionë kilovat/orë rrymë në ditë, ndërsa nevojat e saj janë dyfish më të mëdha dhe plotësohen nga importi përmes largpërçuesve, që kalojnë nëpër Serbi.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›