Limaj: Rruga Durrës – Morinë, rruga e zhvillimit mes dy vendeve tona

Ministri i Transporteve të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, e konsideroi rrugën Durrës-Kukës-Morinë, një rrugë të zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Pas inspektimit të punimeve në tunelin Thirrë-Kalimash, 5,5 km të gjatë, të konsideruar ndër më të medhenjtë në Ballkan, ministri i Transporteve të Kosovës, Limaj, u shpreh se "kjo rrugë është një arterie e rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën, që do të ndryshojë zhvillimin ekonomik mes dy vendeve". I shoqëruar nga ministri shqiptar i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomuniacionit, Sokol Olldashi si dhe një grup ministrash të Republikës së Kosovës, që ndodhen për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ministri Limaj deklaroi se "kjo rrugë do të kthehet në një rrugë të rendësishme rajonale. Rruga është e një rendësie të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën", u shpreh Limaj për median. "Por ajo do të jetë një rrugë e rendësishme rajonale e zhvillimit ekonomik, që do t'u sherbejë lidhjeve me Serbinë, Bullgarinë dhe me gjerë", shtoi ministri kosovar, Limaj.
Duke vlerësuar, ai gjithashtu kujtoi rendësinë për kushtet lehtësuese që kjo rrugë krijon për daljet në det. "Ajo është dhe një portë detare", tha ministri Limaj, duke vlerësuar faktin se Shqipëria i ofron Kosovës portin e Shëngjinit, ç'ka u konfirmua dhe në takimin e djeshëm me kryeministrin Berisha, i cili u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj. Dje, gjatë takimit që disa ministra të Kosovës patën me me kryeministrin Berisha, të dy palët diskutuan gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit, në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës. Gjithashtu u theksua se rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit, do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik dhe pas mbarimit dhe të portit, distancën e Kosovës me tregun e gjerë evropian. Punimet në tunelin e Kalimashit, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e konsideruar "vepra më madhore publike" e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, po ecin normalisht dhe deri tani, është realizuar mbi 80 % e volimit të tyre. Punimet vijojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 61 km, në të 29 urat, prej të cilave, në 16 ura ato kanë përfunduar. Në dhjetor 2008 përfundoi edhe ura më e lartë në segmentin e tretë prej 80 m, e quajtur ura 88 në krahun verior të tunelit. Kompania "Bechtel-Enka" po punon njëkohësisht në të dy hyrjet e tunelit, veri dhe jug paralelisht. Në këtë aks punojnë mbi 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës. Si gjatë ndërtimit, edhe pas përfundimit, autostrada do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në terrenin malor të kësaj zone. Punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë pritet të përfundojnë në mesin e muajit qershor të këtij viti.
...