Xhafaj: Drejtësia, peng e politikës
Intervista/ Ish-ministri socialist i Drejtësisë, bën publike zgjidhjet që jep programi socialist për fushën e drejtësisë
"Kur shprehet gjykata me vendim të formës së prerë, të tjerët heshtin, përfshirë dhe politikën"
Ish-ministri socialist i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, akuzon mazhorancën aktuale se ka ushtruar presion të hapur mbi sistemin e drejtësisë, për qëllime personale. Në një intervistë për gazetën "Shekulli"-n, ai komenton dy proceset e shumëpërfolura, dosjet "Basha" dhe "Gërdeci"
Zoti Xhafaj, sot është 10 Maj, dita e drejtësisë në Shqipëri. Pse e shikoni të nevojshme përkujtimin e kësaj date?
Në opinionin tim, përkujtimi i ditës së drejtësisë duhet të shkojë përtej një formaliteti protokollar. E them këtë jo vetëm sepse dita e drejtësisë është një ngjarje që lidhet me hapat e parë të shtetformimit të shqiptarëve, porse si atëherë dhe sot, drejtësia duhet parë si një gur themeli në funksionimin e çdo sistemi politik demokratik në këtë vend. Unë e shoh 10 Majin si një mundësi reflektimi të përvitshëm për juristët, qytetarët, politikën dhe grupet e interesit, për të reflektuar në lidhje me rëndësinë që ka drejtësia në jetën institucionale, sikurse në rolin rregullator, në aktivitetin e përditshëm mes qytetarëve, apo këtyre të fundit dhe administratës shtetërore. Njerëzit e sistemit të drejtësisë, në të gjitha nivelet, e meritojnë këtë mirënjohje. Ne kemi nevojë dhe detyrim që të gjithë së bashku ta njohim, vlerësojmë dhe nxisim më shumë këtë përgjegjësi, çka do të thotë më shumë kontribute në konsolidimin e shtetit të së drejtës, në forcimin e cilësisë, në dhënien e drejtësisë, në forcimin e besimit, sigurisë dhe qetësisë të qytetarit.
Në këtë kuadër, z. Xhafaj, a mund të themi se drejtësia i ka përmbushur këto objektiva që ju përmendët pak më lart?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do të ishte mirë që secili prej nesh, juristë, politikanë, qytetarë, ta kërkonte brenda vetes. Kjo sepse funksionimi i drejtësisë është, përveçse një perceptim subjektiv, edhe një rezultante e gjykimit, që secili prej nesh ka në fund të ditës, për ngjarje e procese që kanë për objekt drejtësinë dhe funksionimin e saj. Po të zija vendin e një qytetari, që prej vitesh rropatet dyerve të gjykatave nëpër procese gjyqësore, për të fituar të drejtën e mohuar të pronësisë, do të thosha që, drejtësia, në mos nuk funksionon mirë, funksionon shumë ngadalë. Jo të pakta janë rastet që proceset shtyhen pafund në kohë e kemi arritur në atë stad, ku qytetarët e përfshirë në një konflikt gjyqësor për të konsumuar të gjitha shkallët e gjykimit, Gjykatë e Shkallës së Parë, Gjykatë e Apelit, Gjykatë e Lartë, duhet të presin 2, 3 e shumë herë dhe deri në 5 vjet. Për të mos folur pastaj se sa vite të tjera duhet që ky vendim gjyqësor të ekzekutohet dhe drejtësia e dhënë të bëhet efektive. Sigurisht që kjo situatë është e papranueshme. Përgjatë këtyre viteve që PS-ja është në opozitë, kemi dhënë konsensusin maksimal për të gjitha ato iniciativa ligjvënëse që kanë ardhur në Parlament për drejtësinë. Ne u bëmë iniciatorë të firmosje së paktit politik për reformën në drejtësi, që nënkuptonte një dokument politikash të gjithëpranuara e aq të nevojshme për daljen nga kjo situatë. Sigurisht që mungesa e vullnetit nga ana e qeverisë ishte e tillë, që kjo iniciativë të mos realizohej. Ky është një shqetësim i mbarë shoqërisë shqiptare, sepse edhe në progresraportin e fundit të BE-së apo në vlerësimet sondazhit më të fundit të kryer nga ana e USAID-it, ngadalësimi i reformave në sistemin e drejtësisë e veçanërisht në gjyqësor, shtrohej si një shqetësim serioz. PS-ja, me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, do të punojë fort për të bashkëpunuar me specialistët e fushës, grupet e interesit, gjyqtarë, avokatë, me qëllim hartimin dhe miratimin e një reforme të thellë për të arritur një përmirësim cilësor në këtë aspekt.
Zoti Xhafaj, ju po thoni se vetëm në perceptimin qytetar, drejtësia nuk është funksionale?
Jo, përkundrazi. Unë si politikan, në radhë të parë, desha të paraqisja një shqetësim që më transmetohet në çdo takim që kam me qytetarë, të cilët për shkak të detyrës që kam mbuluar e mbuloj, më drejtohen për problemet që ata hasin në sistemin e drejtësisë. Po të flisja si jurist, do të thosha që drejtësia vuan edhe për shkak të problemeve që ka brenda vetë sistemi dhe e vërteta është se jo pak probleme të vetë sistemit vijnë prej mungesës së profesionalizmit e integritetit të vetë njerëzve që shërbejnë në këtë sistem, por edhe për shkak të keqmenaxhimit të brendshëm të institucioneve të tij dhe, për më keq, në jo pak raste, edhe nga keqpërdorimi i pushtetit prej njerëzve që janë të veshur me pushtet drejtues në këto institucione. Ndërkohë, gjatë këtyre katër viteve, në opinionin tim, problemi më serioz ka qenë dhe mbetet prezent presioni i hapur e konstant që qeveria dhe shumica parlamentare kanë ushtruar mbi këtë sistem. Që me ardhjen në pushtet, kjo qeveri e konsideroi sistemin gjyqësor si një pushtet të pavarur, të cilin duhet ta dominonte dhe jo të bashkëpunonte. Mos harroni se njëra nga betejat e para që qeveria e z. Berisha ndërmori, ishte ajo për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Krijimi i komisionit të parë hetimor parlamentar, paçka se u gjet në kundërshtim me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese, nuk e pengoi këtë mazhorancë ta përsëriste iniciativën e saj, kur kreu i shtetit tanimë vinte nga radhët e saj, për të larguar nga detyra një jurist të përgatitur, i cili për vite me radhë kish qenë këshilltar i vetë zotit Berisha. Ishte po vetë z. Berisha që ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Pas gati dy vitesh shohim se z. Berisha ka nisur një sfidë të re me Prokurorinë e Përgjithshme, për shkak të ushtrimit të detyrës nga kjo e fundit. Presioni politik mbi funksionimin e organeve politike është evident, i palejueshëm e mbi të gjitha me kosto politike në ecurinë e proceseve demokratizuese. Jo më larg se pak ditë më parë, ambasadori i SHBA-së, z. Uidhers, do t'i binte dhe njëherë kambanës së alarmit, se ndikimet politike në punën e prokurorisë do të konsideroheshin si hapa prapa në ecurinë e vendit.
Megjithatë, prokuroria shqiptare jo gjithmonë ka mundur të arrijë suksese. Pak javë më parë, një proces i bujshëm në lidhje me abuzimet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, u pushua nga Gjykata e Lartë pikërisht për shkak të shkeljes së procedurave nga ana e organit të prokurorisë? Ju mendoni se ndikimi i politikës tashmë është shtrirë dhe në radhët e gjykatësve ?
Së pari, unë dua të nënvizoj një parim, i cili, i shprehur në ditën e drejtësisë, për mendimin tim, është tejet i rëndësishëm. Vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk vihen në diskutim. Kur shprehet gjykata me vendim të formës së prerë, të tjerët heshtin, përfshirë dhe politikën. Thënë kjo, kam ndjekur me vëmendje reagimet në opinion në lidhje me çështjen që ju trajtoni. Do të më lejoni që, duke u nisur nga kjo çështje, të jap mendimin tim në lidhje me përballjen që sot kanë gjyqtarët me qeverisjen. Nuk duhet të harrojmë se gati një vit me parë, mazhoranca politike në Kuvend, me kryeneçësi arriti të hedhë poshtë 5 kandidatura të ardhura nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pavarësisht kleçkave procedurale, me të cilat u përpoq të vishej ky qëndrim nga një grup i mazhorancës, jam i mendimit se ky përbënte një sinjal tjetër që, ekzekutivi, në mënyrë të veçantë, jepte në lidhje me filozofinë mbizotëruese në atë forcë politike, për sa u përket marrëdhënieve me institucionet e pavarura. Mos harrojmë se, gjatë kësaj legjislature, është krijuar një precedent aspak pozitiv. Në fillim të vitit 2006, pavarësisht se Presidenti i Republikës paraqiti në Kuvend për miratim një dekret për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë, fatkeqësisht ky dekret nuk erdhi asnjëherë për votim në seance parlamentare, për shkak të preferencave politike të mazhorancës së djathtë. Përpjekjet e kësaj shumice për të vënë në kontroll strukturat drejtuese të sistemit gjyqësor, janë regjistruar dhe në ndryshimet që iu bënë ligjit funksional të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me ndryshimet që iu bënë këtij ligji, u tentua ndryshimi me anë të vullnetit politik i përbërjes së tij, gjatë vazhdimit të mandatit të anëtarëve të zgjedhur, qoftë nga Konferenca Gjyqësore, qoftë nga Kuvendi. Porse dhe në këtë rast, ekzekutivi e teproi me zellin politik imponues në marrëdhënie me sistemin gjyqësor, duke detyruar Gjykatën Kushtetuese të shfuqizoje ndryshimet në ligj, të miratuara nga kartonët e shumicës.
A mund të kemi besim te drejtësia se, për çështje delikate si Durrës-Kukës, apo Gërdeci, do të zbardhet e vërteta?
Unë besoj te drejtësia, besoj te prokuroria. Besimi është, para së gjithash, te institucionet dhe pastaj edhe tek individët. Flas për individët që i shërbejnë zbatimit të ligjit me integritet, profesionalizëm e transparencë. E drejta, edhe në këtë rast mund të vonojë, por një ditë do të dalë në dritë të diellit. Kjo pavarësisht lojës me procedurat, thyerjes nga presionet apo tundimit për përfitime financiare të individëve të veçantë. Ligji dhe institucionet janë më jetëgjatë dhe më të fuqishëm se cilido individ që gëzon një pushtet të përkohshëm. Duke u kthyer në çështjet sensitive, abuzimet me ndërtimin e segmentit të rrugës Rrëshen - Kalimash, tragjedia e Gërdecit, çështja "Fazlliç", etj., që janë në proces hetimi apo gjykimi nga sistemi i drejtësisë, më duhet të konstatoj me keqardhje se gjatë këtyre katër viteve janë shënuar një sërë precedentësh, që çdo qeverisje normale demokratike nuk do të donte t'i kishte në rekordet e saj. Kemi një ministër pa imunitet, i cili deklaron nëpër emisione televizive se është deklaruar i pafajshëm nga gjykatat, duke treguar në këtë mënyrë, përveç mungesës së njohurive të mjaftueshme në atë fushë për të cilën është diplomuar, dhe një ngutje për të larë duart nga një çështje, e cila për nga dëmi i pretenduar financiar, kam përshtypjen se do të mbetet unike për drejtësinë shqiptare. Të konsiderosh një çështje të pushuar për shkak të procedurave, nuk do të thotë se je i pafajshëm, nesër drejtësia mund të trokasë prapë në derën tënde. Mos harroni që në prag të fillimit të këtij procesi gjyqësor, Kryeministri i vendit nisi një betejë të ashpër jo vetëm me opozitën shqiptare, por në veçanti me përfaqësuesit e shteteve partnere, në lidhje me miratimin e ligjit të lustracionit, duke shfaqur hapur dëshirën e tij për ta përdorur këtë argument si kërcënim për një pjesë të gjyqësorit, të cilin ai e konsideronte jashtë kontrollit politik personal.