E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzit e ujit

TIRANE Gjej një dinjitet të pa shembullt në fatkeqësinë e banorëve të zonave të përmbytura. Ata flasin sikur të ishin banorë a biznese të Sheshit San Marco të Venecias, që me vërshimin e detit janë mësuar në shekuj. Përmbytjet në Shkodër e Lezhë nuk kanë indinjuar shumë banorët e këtyre zonave, edhe pse uji i shtohet varfërisë dhe problemeve të ditës që duken me një të çelur të kamerave. Në gjithë raportimet e bëra nga terreni ata shprehen se janë mësuar me ujin që është prej vitesh pjesë e jetës së tyre. Ata nuk gëlltisin dot mungesën e korrektësisë dhe gënjeshtrat. Për fat të mirë kanë drita dhe ndjekin situatën në TV dhe më shumë se nga uji mërziten nga deklaratat e fryra për ndihma, asistencë. Ka zona e familje që janë ndihmuar, por ka dhe të tjerë në fshatra të tërë që s’lëvizin dot si Shirgj e Darragjat, ku jetojnë të izoluar. Politikanët nuk bëjnë hap në terren pa kërkuar kamera dhe me këtë jemi mësuar; është mirë që një punë në ndihmë të njerëzve në nevojë gjithsesi duhet treguar, por shpesh i kalojnë kufijtë me këtë mani për t’u dukur.Natën e parë të përmbytjeve, kur gazetarët e News24 në errësirë po depërtonin mes ujit e shtëpive, aty takuan vetëm një prift të Karitasit, Don Marjan Gegën që mes errësirës, me një fjalë të mirë e ndihma u gjendej afër banorëve. Mendoj se Shqipëria ka nevojë tamam për këtë gjë, më shumë punë, mëngë të përveshura, e më pak krekosje para kujtdo e sidomos para kamerave.(G.SH Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›