Përmbytjet, Italia dërgon 2 helikopterë, piten ndihma të tjera
TIRANE- Mbërrijnë ndihmat e para për situatën në veri të Shqipërisë nga shtetet anëtare të NATO-s. Në këtë kuadër paraditen e kësaj të diele janë ulur në aeroportin Nene Tereza dy helikopterë transportues të ushtrisë italiane, të cilët do të jenë në dispozicion të zhvillimeve në zonat e përmbytura. Zëvendës ambasadori italian në Tiranë, Francesko Pierluigi tha se mbështetje të tjera do të vijnë nga Italia në ditët në vijim. Sipas tij, helikopterët e mbërritur dhe ndihmat që priten janë në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Itali. “Sapo kanë mbërritur dy helikopterë të ushtrisë italiane. Këto janë hapat e para të ndihmave që Italia do të dërgojë në Shqipëri për përmbytjet në veri. Këta helikoptere do të shërbejnë për transportimin e njerëzve dhe mallrave të ndryshme. Këtë të mërkurë nëpërmjet detit pritet të vijnë nga Italia makina ushtarake të tonazhit të rëndë me materiale të ndryshme si cadra, tenda, ushqime etj. Këto ndihma vijnë pas kërkesës që shteti shqiptar i ka dërguar NATO-s dhe kërkesës që Emergjencat Civile shqiptare i kanë dërguar atyre të Italisë. Pra më shumë ka të bëjë me një bashkëpunim dy palësh mes dy shteteve që si gjithmonë Italia ska vonuar të japë ndihmën e saj” theksoi zv Ambasadori.Përfaqësuesi i Emergjencave Civile të Italisë Paolo Vacari thotë se helikopterët transportues dhe ushtarakët e mbërritur nga Italia për situatën e përmbytjeve në veri të vendit do të qëndrojnë derisa të jetë e nevojshme. (e.n/news24/BalkanWeb)