Njeriu i Ramës: PS është për sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura
Pavarësisht kritikave të shumta nga aleatët, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, deklaroi dje gjatë një tryeze të organizuar në Hotel “Tirana Internacional” nga fondacioni “Qemal Stafa”, se PS është më pranë një sistemi zgjedhor proporcional rajonal", u shpreh ai. “Nga analizat e deritanishme bëhet fjalë për t'iu afruar më tepër një sistemi proporcional rajonal, ndërkohë që parametrat e tjerë mbeten të hapur për diskutim. Ndër këto parametra të sistemit proporcional rajonal janë numri dhe madhësia e zonave elektorale. Është rënë dakord, të paktën nga komunikimi jo përfundimtar, që të përdoret ndarja administrative aktuale, gjë që do ta bënte më të lehtë diskutimin. Nëse do të bëhej një ndarje e re shtrohej problemi i përcaktimit të kufijve të zonave elektorale, që duhet të kenë afërsisht një numër të barabartë votuesish, ndërkohë që kur përdoret ndarja administrative aktuale, ky diskutim eleminohet, duke e bërë më të lehtë ndarjen e zonave elektorale në përputhje me atë administrative”- shpjegoi Islami. Në këtë kuadër, ai u ndal edhe tek debati për listat e mbyllura apo për votën preferenciale. “Nuk bëhet fjalë për lista të hapura apo për lista të mbyllura, por për lista të mbyllura dhe votë preferenciale. Ka një artikulim të ndryshëm nga partitë kryesore në favor të listave të mbyllura dhe nga një pjesë tjetër për votën preferenciale. Ky diskutim mbetet i hapur për të shkuar drejt një vendimmarrje”- vijoi më tej ai. Deklarimet e djeshme të Sekretarit Islami u bënë gjatë punimeve të një seminari trajnues, të organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”, në bashkëpunim me Partinë Socialiste të Holandës si dhe Fondacioni “Alfred Mozer”, në kuadër të përgatitjes së strukturave të PS-së për organizimin e ardhshëm zgjedhor.