USAID, 5.5 milionë euro për shëndetin parësor
• Plot 5.5 milionë dollarë i jepen shtetit shqiptar për përmirësimin e shërbimeve në poliklinika dhe strukturat e tjera të shërbimit shëndetësor parësor.Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka dhe Drejtori i (USAID), Edward T. Landau, nënshkruan dje marrëveshjen për projektin 3-vjeçar. Në sajë të tij do të ofrohet asistencë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor në qendrat shëndetësore, ngritjen në nivel më të lartë të aftësive të mjekëve, zhvillimin e një sistemi kombëtar elektronik të informacionit shëndetësor. Me anë të këtij bashkëpunimi, të dy palët synojnë që ndërhyrjet e realizuara nga programe të ndryshme, të bëhen gradualisht pjesë e politikave dhe programeve tona shëndetësore, duke bërë të mundur sigurimin e rezultateve të qëndrueshme dhe reflektuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore që i ofrohen qytetarëve. “Për funksionimin efektiv dhe në vazhdimësi të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, që do të nisë menjëherë procesin e konsolidimit dhe institucionalizimit e ndërhyrjeve të përbashkëta”, tha Ndoka.