Mediu: Uashingtoni, avokati kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu shprehet optimist se Shqipëia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e Bkureshtit. Gjatë një interviste dhënë për Zërin e Amerikës, Mediu u shpreh se vendi ka ecur përpara me realizimin e reformave të kërkuara, ndërsa ka shtuar se vendet anëtare të Aleancës kanë vlerësuar pozitivisht përparimin e Shqipërisë. “Jam optimist për marrjen e ftesës duke parë ato që ndodhin në Shqipëri; ka mirëkuptim mes partive për reformën në drejtësi dhe reformën elektorale. Në prezantimin që bëmë në Bruksel të planveprimit për anëtarësim në NATO vleresimi ishte pozitiv. Gjithashtu në raportin
e vendeve anëtare të NATO-s vlerësimi ishte pozitiv se Shqipëria ka bërë përparim në të gjitha aspektet” - deklaroi Ministri i Mbrojtjes.
Sipas tij anëtarësimi i vendit tonë në NATO do t’i sjellë vendit përfitime jo vetëm në aspektin politik, por dhe në atë socio-ekonomik. Përpjekjet për anëtarësim në strukturat e aleancës së Atlantikut të Veriut, vuri në dukje, kanë bërë që forcat politike në Shqipëri të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën, ndërsa vetë anëtarësimi sipas tij do t’i lejonte vendit të zhvillohej me ritme të jashtëzakonshme. Ministri, i cili ndodhet për një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shprehur kënaqësinë për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, ndërsa ka shtuar se nga Tirana kërkohet vazhdimi i punës për realizimin e reformave. “Uashingtoni e ka përcaktuar pozicionin e
vet. Ai është avokati për anëtarësimin e Shqiperisë dhe vendeve anëtare të kartës së Adriatikut për anëtarësim në NATO. Gjithe institucionet amerikane kanë të njëjtin qëndrim. Nga ne këkohet vazhdimi i reformave” -tha me tej ministri i Mbrojtjes. I pyetur për çështjen e Kosovës, ministri i Mbrojtjes, u shpreh se institucionet shqiptare kanë pasur bashkëpunim me ato kosovare, bashkëpunim i cili sipas ministrit do të vazhdojë. “Qeveria shqiptare është e përcaktuar në përafrimin me qeverinë e Kosovës dhe ka pasur si qëllim të parë një marrëdhënie të drejtperdrejtë me Kosovën”- tha Mediu. Ai shtoi se në diskutimet me vendet e A3 është folur dhe për një zgjerim marrëdhëniesh edhe me Kosovën.