E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet lidhja mes Alzaimerit dhe virusit të herpes simpleks

 

Virusi i zakonshëm i herpesit në buzë mund të jetë i përfshirë në mekanizmat që janë në gjendje të shkaktojnë sëmundjen e Alzaimerit. Të paktën ky është konkluzioni i një studimi shkencor të kryer në Abgli në “Manchester University”, nga një grup shkencëtarësh të koordinuar nga doktoresha Ruth Itzhaki.
Studiuesit kanë zbuluar se ekziston një lidhje mes virusit herpes simplex (HSV), që zakonisht shfaqet në buzë dhe akumulimit të pllakëzave të proteinave beta amiloide, që njihet si një nga shkaqet kryesore të sëmundjes së Alzaimerit në tru. Kjo vlen për personat e moshuar të prekur nga kjo formë e rëndë demence degjenerative: persona të tillë shfaqin në fakt një dobësim të sistemit imunitar, duke u prekur më lehtë nga bakteret dhe viruset. Duke ekzaminuar një kampion të sëmurësh me Alzaimer, shkencëtarët anglezë kanë mundur të vërejnë se në trurin e tyre, gati 90% e pllakëzave proteinike përfaqësojnë fragmente të ADN-së virale të herpes simplex të tipit 1. Më parë doktoreshë Itzhaki dhe kolegët e saj kishin treguar se infeksioni viral, i induktuar në qelizat nervore të minjve në kushte laboratorike, çonte në akumulimin e pllakëzave të proteinës beta amiloide në trurin e brejtësve.
Më parë ishte vërejtur se virusi i herpes simplex është i pranishëm në encefalit e shumë individëve të moshuar dhe se ekziston një faktor gjenetik specifik që predispozon për sëmundjen e Alzaimerit, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Në mënyrë të ndjeshme është vërejtur në rastet kur virusi i herpes simplex mbetet i heshtur, pa treguar edhe për periudha të gjata kohe: kjo ka ndodhur në 20-40% të personave të infektuar. Të dhënat shkencore, të mbledhura deri më tani nuk lejojnë ende të pohohet përfundimisht se sëmundja e Alzaimerit shkaktohet nga virusi i herpes simplex i tipit 1. Gjithsesi të njëjtët shkencëtarë janë bindur se zbulimi i tyre mund të kontribuojë shpejt për të zhvilluar një kurë efikase për sëmundjen e Alzaimerit, duke përdorur medikamente antivirale. Në pritje të pohimeve apo përgënjeshtrimeve, studimi shkencor anglez është një hap më tej në njohjen e plotë të sëmundjes së Alzaimerit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›