E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu me sy të akullt njohu policët italianë që e kapën

30/03/2012  I shumëkërkuar në Itali strehohej në Vlorë

“Keni ardhur deri këtu për mua!?. Unë ju njoh”. Me këto fjalë iu drejtua policëve italianë Altin Hoxha, një ndër personat më të kërkuar në shtetin fqinj, që për pamjen cilësohet si njeriu me sy të akullt, kur u arrestua dje në Drashovicë të Vlorës. Njoftimi për arrestimin e tij ka bërë bujë në Itali dhe cilësohet si kapja e vitit dhe një lirim për viktimat e shumta të dhunës. Banda e kryesuar nga Hoxha kishte arritur të kryente të paktën 50 grabitje në disa zona të Italisë, ndërsa nga përshkrimet e viktimave ai mori edhe emërtimin si njeriu me sy të akullt, emërtim që e ndihmon edhe ngjyra e syve të tij. Me të ardhur në Shqipëri ai e ndërroi emrin në Ali Islamaj. Gjithësesi 29-vjeçari i lindur në fshatin Drashovicë të rrethit Vlorë, nuk i shpëtoi dot skuadrës speciale të Romës, e cila në bashkëpunim me zyrën e Interpol Tirana kanë bërë të mundur realizimin me sukses të operacionit të koduar “I shumëkërkuari”. Arrestimi i bujshëm i tij u njoftua dje nga policia e Vlorës, por lajmi u përhap në Itali shumë shpejt, ku mediat kryesore publikuan disa detaje. Sipas tyre, Hoxha kishte shkuar në vendlindje, pasi atje ishte i mbrojtur nga klani i tij, teksa e gjithë policia italiane i ishte vënë pas. Në CV-në e tij kriminale përfshihen me dhjetëra krime, ku nuk mungon edhe vrasja, përdhunimi dhe “hobi” i preferuar, grabitja. Në ngarkim të 29-vjeçarit, Gjykata e Penale e Romës kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 persona të tjerë shqiptarë të arrestuar nga policia italiane ka kryer më shumë se 50 “Grabitje me dhunë” të vilave luksose në qytete të ndryshme të Italisë, duke përdorur metoda të ashpra kundër pronarëve të tyre për të marrë sendet me vlerë, si dhe është akuzuar për veprat “mbajtje sendesh të vjedhura”, “kërcënim’ “arratisja” etj. Dyshohet të ketë kryer edhe vepra të tjera shumë të rënda penale në rajone të ndryshme të Italisë dhe është duke u hetuar nga 4 prokuroritë qyteteve të ndryshme italiane. Tashmë për të po kryhen të gjitha procedurat për të realizuar ekstradimin në Itali.

Disa nga krimet e Hoxhës

Arratisja nga burgu

Hoxha, i ndihmuar nga rumuni 24-vjeçar, Stefan Cusnir, më 14 janar u hodh nga 20 metra lartësi, duke përdorur aftësitë akrobatike, pasi kishin sharruar më parë hekurat e qelisë së burgut të sigurisë së lartë “Regina Coeli”. Një tjetër i burgosur mbeti brenda dhe nuk u arratis dot.

Grabitje me lidhje

Të paktën 11 grabitje janë kryer në maj të vitit 2010. Viktimat, të cilëve u janë grabitur me mijëra euro, në fillim lidheshin me tela elekrikë dhe më pas rriheshin me çelësa anglezë, duke u kërcënuar. Banda i shiste direkt sendet e grabitura dhe paratë dyshohet se dërgoheshin në Shqipëri.

Grabitja e trajnerit

Më 19 janar të vitit 2011 u grabit shtëpia e ish-trajnerit italian të serisë A, Serse Cosmi. Hoxha me të tijtë grabiti 5 mijë euro atë ditë, duke përfshirë edhe disa bizhuteri, pasi kishin vëzhguar lëvizjet e trajnerit. Ish-trajneri i skuadrës së Peruxhias raportoi menjëherë grabitjen në polici.

Akuza për vrasje

Më 4 shkurt në Peruxhia të Italisë u vra Luca Rosi gjatë një grabitjeje me dhunë. Ata që mbetën gjallë rrëfyen për një vrasës gjakftohtë që i ngjante Altin Hoxhajt. Policia e shpalli në kërkim si autorin e dyshuar të kësaj vrasjeje. Çështja është ende e paqartë, pasi ka të dhëna kontradiktore.

Vjedhje e përdhunim

Këtë vit në Itali u krye një tjetër grabitje në një vilë ku ndodheshin dy femra, një 20 dhe tjetra 50 vjeçe. Hajduti, i cili dyshohet të jetë Hoxha, e ka përdhunuar njërën nga femrat që më pas dhanë përshkrimet për autorin. Përshkrimet më të sakta u dhanë nga 50-vjeçarja, pasi më e reja ishte viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›