E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, paguani gjysmën e vlerës me bono privatizimi

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Tregu i bonove

Bonot e privavizimit rihyjnë në lojë. Bëhet fjalë për legalizimin e 500 mijë objekteve, të cilat në 50 për qind të vlerës mund të blihen me letra me vlerë.
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për ndryshimin që i bëhet ligjit për legalizimet, si ndryshojnë çmimet dhe cilat objekte mund të blihen me bonot e privatizimit. Me këtë vendim përmbushet një nga premtimet e para elektorale të kryeministrit Berisha, por me një ndryshim. Kryeministri berisha premtoi gjatë fushatës zgjedhore se me letrat me vlerë do të mund të blihet në masën 80 për qind objekti informal, duke pretenduar se pjesa tjetër i takon pagesës së infrastrukturës, duke mos i ndërhyrë pushte tit vendor, ndërsa në vendim bëhet fjalë vetëm për 50 për qind të vlerës. Kështu, në ndryshimet e bëra dje, përveç mënyrave klasike të pagesës do të shtohet edhe pagesa përmes bonove të privatizimit, ku janë të parashikuara të gjitha llojet e objekteve informate që mund të blihen. Aktualisht bonot e privatizimit shiten në treg me një vlerë krejtësisht qesharake, rreth 6-7 për qind të vlerës së tyre reale, por pritet që pas këtij vendimi çmimi i tyre të rritet ndjeshëm. Ndërkohë që, të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar, sipas parashikimeve të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi dje që në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje
1. Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet:
a) Në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi;
b) Me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të këtij ligji.
2. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.
3. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
4. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.” Neni tetë i ligjit thotë se: Personat, të cilët i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 27
Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e objektit

Subjekti kërkues i interesuar për legalizimin e objektit pa leje duhet të paraqesë:
a) gen-planin e objektit në shkallën 1:500, të lëshuar nga njësia vendore;
b) planimetrinë e çdo kati të objektit dhe sipërfaqet në m2, që do të legalizohen në shkallë 1:100;
c) certifikatën e përbërjes familjare;
ç) vërtetimin për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha rastet, kur subjekti nuk përjashtohet nga pagesa e taksës sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi;
d) vërtetimin ose çertifikatën e pronësisë së parcelës ndërtimore nga ZRPP-ja përkatëse (pasi subjekti të jetë pajisur me të sipas këtij ligji, kur ai e disponon menjëherë gjatë vetëdeklarimit);
dh) deklaratën personale, që merr përsipër përgjegjësinë për çdo pasojë, që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës. Sipas këtij ligji, shteti nuk është përgjegjës për kompensimin ose dëmshpërblim në raste fatkeqësish, për shkak të cilësive të punimeve të objektit;
e) deklaratën ku pranohet zbatimi i planit rregullues, përfshi respektimin e hapësirave publike, gjelbërimin, tipin e rrethimit, ngjyrat, ndriçimin, parkimin etj.;
ë) marrëveshjen noteriale për pjesët takuese, sipas pikës 2 të nenit 30 të këtij ligji, nëse ajo realizohet.
Në çdo rast njësia e qeverisjes vendore në konsultim/bashkëveprim me ALUIZNI-n, përcakton tarifat e shërbimit për çështjet e mësipërme sipas legjislacionit në fuqi.
“f) Kërkesë e subjektit për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje, në përputhje, përkatësisht, me nenet 19, 20 ose 21, të këtij ligji.”.

Neni 19

Çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë;
d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë;
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
“Dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.”.

Neni 20
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha

Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë;

b) për sipërfaqe deri në 200 m² 300 mijë lekë;

c) për sipërfaqe deri në 300 m² 400 mijë lekë;

ç) për sipërfaqe mbi 300 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
“... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.

Neni 21
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime
1. Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë;

b) për sipërfaqe deri në 75 m² 200 mijë lekë;

c) për sipërfaqe deri në 100 m² 400 mijë lekë;

ç) për sipërfaqe mbi 100 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
2. Kur shtesat kanë destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
“... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.”.

Neni 22
Pagesa në "territore të tjera"

Për parcelat ndërtimore në "territore të tjera" zbatohen të njëjtat tarifa dhe mënyra pagese, sipas nenit 19 të këtij ligji, por shteti nuk angazhohet të investojë për infrastrukturën në këto territore. Këshilli i njësisë vendore, përpara se të vendosë kalimin e pronësisë në favor të subjektit, kërkon miratim të posaçëm nga:
a) këshilli i qarkut dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për toka të kategorisë bonitete (1-4);
b) këshilli i qarkut për toka të kategorisë (5-10).

Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›