E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh sot grupin, gati rikthimi në Kuvend

Në orën 11.00

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të vendosë sot për ndërprerjen e bojkotit parlamentar. I mbledhur në formën e vet tradicionale, pas gati 1 muaji, ai do të hapë rrugën për një normalizim relativ të jetës institucionale në vend. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se pavarësisht një procesi në zhvillim negociatash, gjasat më të mëdha janë që ekipi parlamentar të marrë në konsideratë kthimin e tij në seancat plenare me kohë të plotë, ku ai mungon thuajse që prej 1 viti. Një modifikim i sjelljes politike në këtë drejtim mund të thuhet se është një hap realisht serioz në rivendosjen e dialogut politik, që është edhe kushti thelbësor i komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Vendimi i grupit parlamentar të opozitës shqiptare ka rëndësi pra, pasi ai pritet që të japë një nxitje të re për normalizim, duke e zhvendosur debatin e zhvilluar së fundmi nga rruga, drejt platformës parlamentare që jep shanset e një përqendrimi më të madh të vëmendjes së opinionit në cilësinë e argumenteve që palët kanë për çështje të caktuara. Në një prononcim për mediat televizive dje, deputeti socialist Ilir Beqja e konsideroi kufizimin hetimor vetëm te këqyrja e një kategorie faktesh si cungim të së vërtetës që kërkohet të zbardhet dhe si një akt jo korrekt për sa i përket sjelljes politike të shumicës. “Duhet një hetim i plotë, pasi nuk ka logjikë të hetosh një pjesë të fakteve dhe të djegësh pjesën tjetër”, deklaroi ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›