E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Gani Kamberit, ekspertët dërgojnë për ekspertizë gëzhojën



TIRANË - Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Gani Kamberi, afro nëntë muaj më parë në komunën e Kasharit, në periferi të Tiranës, janë kurorëzuar së fundi me zbulimin pranë vendit të ngjarjes të gëzhojës së një arme zjarri. Burime konfidenciale pranë grupit hetimor, të ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se gëzhoja e armës së zjarrit, e cila ende nuk është përcaktuar, është gjendur ditët e fundit gjatë riekspertimit të vendit të ngjarjes nga specialistët e kriminalistikës dhe Prokurorisë. Sipas këtyre burimeve, zbulimi i kësaj gëzhoje është bërë i mundur falë këqyrjes së imtësishme me pajisje metalkërkuese bashkëkohore të vendit të ngjarjes, ku tetorin e kaluar u gjend trupi i pajetë i Gani Kamberit. Burimet e mësipërme konfirmuan dërgimin e gëzhojës për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik në Tiranë për të parë nëse ajo i përket apo jo armës tip pistolete të gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale pranë trupit të viktimës. “Nëse ekspertiza provon që gëzhoja nuk i përket kësaj arme, atëherë ka dyshime të forta se mund të kemi të bëjmë me një vrasje të shtetasit Gani Kamberi. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë pas përfundimit të kësaj procedure hetimore”, përfunduan burimet e prokurorisë. Shtetasi Gani Kamberi, 45 vjeç, u gjend i vdekur me një plumb në pjesën e pasme të kokës, tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ekspertët gjetën pranë trupit të viktimës vetëm një pistoletë, të cilën e sekuestruan si provë materiale. Fillimisht nga strukturat e rendit u ngritën dyshime se në këtë rast kishim të bënim me një vetëvrasje. Por, hetimet për këtë ngjarje janë rihapur disa javë më parë nga prokuroria pas pretendimeve të familjareve të viktimës se Gani Kamberi ishte vrarë. Për llogari të hetimit prokuroria urdhëroi zhvarrosjen e kufomës së Gani Kamberit, e cila iu nënshtrua edhe njëherë ekzaminimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Emri i Gani Kamberit figuronte në listën e kallëzuesve për çështjen e abuzimit me pronat në komunën e Kasharit.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›