E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Pse s'dekretova ligjin për legalizimet

 

Presidenti i Republikës kërkon që ligji të jetë produkt i një kompromisi sa më të gjerë politik

TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike duhet të përveshin mëngët për të rishqyrtuar vërejtjet e mëdha që Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka paraqitur, lidhur me ligjin për legalizimet. Dekreti i presidentit Topi "Për kthimin për rishqyrtim të ligjit për legalizimet", i ndryshuar përmban një sërë vërejtjesh që nisin nga skema e dëmshpërblimit të ish-pronarëve, që në ligjin aktual është e shoqëruar pa një afat kohor, tek reduktimi i kompetencave të pushtetit vendor duke ia dhënë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, duke e shndërruar këtë të fundit nga një organ bashkërendues në një organ vendimmarrës, e deri tek mbivendosja e kompetencave që lejojnë ndryshimet e ligjit. Më pak fjalë, Presidenti i Republikës ka paraqitur një sërë objeksionesh të detajuara që prekin rreth 10 nene të ligjit të ndryshuar. Madje në fund të argumentimit që ai jep për çdo nen të kontestuar, Presidenti i Republikës sugjeron se ndryshimii shpeshtë dhe i shpejtë i akteve ligjore, si dhe mungesa e analizës së nevojshme juridike, përveçse nuk sjell rezultatet e pritshme në drejtim të përmirësimit cilësor të ligjit, por krijon edhe një praktike të gabuar legjislative. Kreu i shtetit, duke iu referuar ligjit konkret që kaloi me votat kundër të deputetëve socialistë dhe atyre republikane, ka kërkuar që objeksionet e tij të vlerësohen si një mundësi në drejtim të perfeksionimit të mëtejshëm të këtij ligji, përmes konsultimeve dhe arritjes së një kompromisi sa më të gjerë politik, duke iu përmbajtur gjithmonë kornizës kushtetuese, ligjeve në fuqi dhe parimeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Dekreti i Presidentit të Republikës është protokolluar tashmë në Kuvend dhe pritet që të futet në axhendën e punës së komisioneve parlamentare. Ndërkohë, asnjë prej zyrtarëve të Partisë Demokratike nuk ka reaguar, edhe pse ka dy ditë që Topi e ka thënë fjalën e tij. Ata vazhdojnë të heshtin, ndërkohe që gjithçka pritet të zbardhet nga ana e tyre vetëm gjatë shqyrtimit të neneve në komisionet parlamentare. Kjo është kundërfirma e parë e presidentit Topi për një çështje kaq delikate si ligji për legalizimet. Përmbajtja e këtij ligji brenda dy viteve është ndryshuar mbi pesë herë, aq sa versioni i tanishëm i këtij drafti nuk ngjan aspak me atë të parin, duke mos sjellë në fakt asnjë rezultat pozitiv nga zbatimi i tij.

MOTIVACIONI

PER KTHIMIN PER RISHQYRTIM TE LIGJIT NR. 9895, DATE

10.04.2008 "PER DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NE LIGJIN .

9482, DATE 03.04.2006 "PER LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN INTEGRIMIN E NDERTIMEVE PA LEJE", TE NDRYSHUAR.

Të nderuar deputetë,

Në rolin e Presidentit të Republikës, si garant i Kushtetutës së Shqipërisë, me lejoni t'ju bëj me dije se kam vendosur të kthej për rishqyrtim në Kuvend, ligjin nr. 9895, datë 10.04.2008 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar. Duke shpresuar, se ju si deputetë të Kuvendit, do ta vlerësoni me përkushtim këtë vendim, me lejoni që t'ju shpreh objeksionet e mia në lidhje me ligjin e paraqitur për dekretim.

- Neni 10, paragrafi (d) i ligjit, zëvendëson skemën e dëmshpërblimit të ish-pronarëve me një skemë thjesht dekorative, pa një afat konkret kohor dhe detyrues për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyrë e cila duhet të dërgojë në Këshillin e Ministrave listën me të dhëna për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese, për dëmshpërblimin e tyre. Pronari i ligjshëm i pasurisë së paluajtshme, i cili zhvishet dhe de jure nga pronësia, i duhet të presë pa ndonjë afat të caktuar kohor, derisa Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të paraqesë në Këshillin e Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Një tjetër ndryshim në dëm të ish-pronarëve është dyfishimi i afatit kohor të kompensimit nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nisur nga praktika legjislative, ndryshimet në ligj, vijnë sipasojë e një analize ku evidentohen shkaqet dhe faktorët të cilët kanë çuar në moszbatimin e ligjit apo për të bërë me të qarte dispozitat ligjore, dhe jo në drejtim të konfuzionit ligjor, që në këtë rast, pas sjell zvarritjen e objektivave ligjore në dëm të individëve të shpronësuar.

- Dispozitat e nenit 4, 13, 16 pika 2 dhe 5 të ligjit, sanksionojnë kalimin e përgjegjësive të qeverisjes vendore tek ALUIZNI. Në bazë të nenit 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. Thelbi i kësaj dispozite kushtetuese është parimi i decentralizimit të pushtetit dhe autonomisë vendore. Parimi i decentralizimit të pushtetit është parim thelbësor mbi të cilin ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore. Ky pushtet ushtrohet nëpërmjet parimit kushtetues të autonomisë vendore dhe kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetëqeverisës vendor. Autonomia është vetëqeverisje dhe vetëqeverisja në vetvete nënkupton autonomi kushtetuese. Karta Evropiane e Autonomisë Vendore kërkon ekzistencën e organeve vendore të formuara në mënyrë demokratike dhe që gëzojnë një autonomi të gjerë për sa u përket kompetencave, mënyrave të ushtrimit të tyre dhe mjeteve të nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre. Planifikimi, menaxhimi urban dhe i territorit janë kompetenca ekskluzive të autoriteteve vendore. Sipas Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, ushtrimi i përgjegjësive duhet të shkojë drejt decentralizimit. Ndërsa, ligji i paraqitur redukton kompetencat e pushtetit vendor dhe ia jep ato Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, i cili shndërrohet nga një organ bashkërendues në një organ vendimmarrës.

Vlerësoj, se këto ndryshime ligjore, cenojnë parimin e decentralizimit të qeverisjes vendore, parashikuar në nenin 13, 108, 109 dhe 113 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore".

- Dispozitat e këtij ligji bien në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe krijojnë një mbivendosje kompetencash, ku e njëjta kompetencë u atribuohet sipas ligjeve të ndryshme, institucioneve të ndryshme. Në përputhje me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar, regjistrimi fillestar realizohet nga regjistruesi dhe kartela është fleta e volumit të regjistrit që mbahet për çdo pasuri të paluajtshme dhe jo sipas përkufizimit të nenit 3, pika 7 apo parashikimit të nenit 29 të ligjit të paraqitur, ku kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar është dokumenti që hartohet nga ALUIZNI, për regjistrimin fillestar të pasurisë së paluajtshme të legalizuar.

Sipas nenit 14 të ligjit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, me vendim të Këshillit të Ministrave, ngarkohet të kryeje procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, parashikim i cili bie në kundërshtim me nenin 32 të ligjit nr. 8652, datë 25.08.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", sipas të cilit miratimi për tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve është detyre e këshillit komunal dhe bashkiak.

Për ndërtimet informale në ndërtimet me leje, leja e legalizimit është e barabartë me lejen e shfrytëzimit, parashikuar në nenin 17 të ligjit, i cili bie ndesh me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit", sipas të cilit leja e shfrytëzimit jepet nga seksioni ose zyra e urbanistikës e njësisë vendore brenda 30 ditëve pas depozitimit të procesverbalit të kolaudimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›