Njësitë vendore të marrin vendime, të mos mbajnë peng projektin
Zbatimi i projektit të adresave brenda afatit të përcaktuar ishte apeli që u bëri ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, njësive vendore. Kjo, sipas tij, vlen sidomos për ato njësi vendore që po punojnë me hapa të ngadaltë. “Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. “Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara”, theksoi Basha. Sipas tij, kjo situatë është akoma edhe më e papranueshme dhe e patolerueshme në njësitë ku puna ka disa muaj që ka përfunduar. “I bëj thirrje të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët europiane për Shqipërinë, për të cilën jemi angazhuar pavarësisht nga ngjyrat tona politike, që me vendimmarrjet dhe bashkëpunimin tonë në nivel qendror dhe vendor ta përmbyllim këtë fazë të rëndësishme të implementimit të sistemit të adresave”, tha ministri i Brendshëm. Ai garantoi se nuk do të kursehet asnjë përpjekje, asnjë resurs për të përfunduar këtë projekt brenda kohës së caktuar, pasi kjo e zhvendos Shqipërinë nga orbita e një vendi me mekanizma të botës së tretë, në një vend që ka infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore. Këtë apel ministri Basha e bëri gjatë takimit me krerët e 73 njësive vendore, bashki e komuna, të cilat janë tashmë në fazën e emërtimit të rrugëve dhe ende nuk kanë marrë vendime në këshillat bashkiakë dhe komunalë për këtë çështje. Këto njësi me ecuri më të ngadaltë në projekt janë pjesë e grupit të parë, të dytë e të tretë të projektit, grupe në të cilat janë rreth 220 njësi vendore, që në tërësi mbulojnë një territor ku banojnë rreth 3.8 milionë qytetarë, pra pjesa më e madhe e popullsisë. Ndërkohë për njësitë vendore të grupit të katërt dhe të pestë, ministri Basha u la detyrë që të përfundojnë emërtimin e rrugëve dhe pjesëve të tjera të territorit publik brenda muajit korrik 2010.
#