E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramboja 80 vjeç i Pogradecit dërgohet në spital, jo në burg

Policia I moshuari që sfidoi policinë ka shfaqur probleme serioze të shëndetit fizik dhe mendor

Ish-ushtaraku 80-vjeçar, Rexhep Karaj, që i bëri “zbor” policisë dy ditë më parë nuk ka përfunduar në komisariat pas arrestimit, por në spital. Pasi iu dorëzua forcave policore në krye të nëntë orëve të rezistencës, i moshuari nga qyteti i Pogradecit nuk ka shkuar në dhomat e paraburgimit të komisariatit, por në ato të spitalit të Pogradecit. Sapo ka dalë nga apartamenti i tij dhe ka dorëzuar armën tip kallashnikov me të cilën ka qëlluar dy herë në drejtim të policisë, Rexhep Karaj ka shfaqur shenja dobësie dhe dridhje, ndërsa problemet me shëndetin dhe mosha e thyer ka bërë që pas marrjes në pyetje, ish-ushtaraku të dërgohet në spital për ndërhyrje mjekësore. Burimet policore kanë bërë të ditur se Karaj është dërguar në spital ku është izoluar dhe qëndron nën ruajtjen e forcave policore dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Sipas policisë, i moshuari ka shfaqur probleme shëndetësore dhe mendore, gjë që i ka detyruar uniformat blu të vendosin transportimin e tij për në spital. Nga ana tjetër, spitali, pasi është njoftuar për shtrimin e 80-vjeçarit ka bërë largimin e bashkëshortes së tij, Fetie Karaj, për arsye sigurie. Ndërsa gruaja 72-vjeçare është çuar në apartamentin e saj, në një dhomë të spitalit civil është krijuar ambienti për shtrimin e të arrestuarit. Sipas të dhënave nga policia e Pogradecit, Rexhep Karaj do të qëndrojë në spital derisa të vendoset masa e sigurisë ndaj tij pas arrestimit. I moshuari do të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe do t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor, pasi shfaq probleme të shëndetit fizik dhe mendor. Ndërkohë, paralelisht me mjekimin ish-ushtaraku do të jetë në ruajtje nga policia për të shmangur veprime të tjera të papërgjegjshme të tij. 80-vjeçari nuk ka mundur ta kujtojë momentin kur ka zënë fill ngjarja dhe kur ka plagosur gruan në kokë. Sipas policisë, mes tyre ka pasur një zënkë për motive banale dhe në kushte të depresionit 80-vjeçari ka marrë armën për të plagosur bashkëshorten e vet e më pas është mbyllur në apartament deri në dorëzimin për forcat e policisë pas nëntë orësh rrethimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›