Gjurmët e fundit të Ndoc Gjetjes
Banesa nr. 12. Porta me kangjellat e hekurta në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Lezhës ishte dikur shtëpia e poetit Ndoc Gjetja (prindërve të tij). Vetëm një mur e ndan nga banesa aktuale. Atje ku dy ditë më parë, në heshtje, ai mbylli sytë. Një lajmërim ngjitur në murin përballë, pastaj porta e hapur bri së cilës shkruhet “Familja Ndoc Gjetja” dhe komshija që na fton e na lajmëron se aty nuk gjendet askush. Këtë e kishim të ditur. Vetëm pak minuta më parë ngjitëm shkallët e bashkisë, ku ishte vendosur trupi i pajetë i poetit. Arkivoli i hapur, kurora me lule nga pushteti lokal, një kurorë nga Ministria e Kulturës dhe të tjera nga miqtë, me të cilët ndau çastet intime të poezisë, por edhe të tatëpjetat e jetës. Veshur në të zeza, gruaja e tij Lezja dhe mbesa, i vetmi kujtim që i la djali i vrarë, fshijnë herë pas here lot trishtimi. Në krye, një portret i tij, duket se sfidon dhe i kundërvihet hapur portretit të qetë të poetit të vdekur. Dikush mund të belbëzonte: Ah, më në fund pak qetësi për këtë njeri! Ndoc Gjetjen e trazuar nga pasioni i poezisë, nga tallazet e jetës dhe nga brengat. Qytetarë të Lezhës përshkojnë sallën për t’i dhënë lamtumirën. Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Kujtim Dashi, e të tjerë miq të tij dhe të poezisë kanë udhëtuar drejt Lezhës për ta përcjellë në banesën e fundit. Në mendimet e turbulluar nga dhimbja, secili prej tyre kujton rrëmujshëm episode, ngjarje, takime, thënie, e mbi të gjitha atë Ndoc Gjetjen njeri. Ai ishte mik i të gjithëve, edhe i romëve që popullojnë më së shumti lagjen ku jetonte. Teksa zbret shkallët që të çojnë në brendësi të shtëpisë së tij, syri të kap së pari një tavolinë të improvizuar druri dhe dy karrige plastike. Dera e hapur të lë të shohësh një dhomë të vogël, e më tej të tjera shkallë të ngjisin në katin e dytë. Një dritare ndriçon disa rafte librash që përbëjnë bibliotekën që i kishte mbetur. “Ese mbi individualizmin”, “Poezi të zgjedhura” të Pablo Nerudës, “Poezi” nga Dritëro Agolli, “Kosova, 10 ditët e para të Pavarësisë”, “Shenjtor dhe Djall”, Bardhyl Londo... dhe titujt vazhdojnë. Sapo hap kapakun e secilit prej tyre gjen dedikime për poetin. Një bibliotekë modeste mendova, teksa i nipi që na shoqëron, Indriti, i cili jeton prej vitesh në Itali, rrëmon në raftet e librave në kërkim të gjurmëve të fundit të poetit. Në fakt miqtë e tij na tregojnë se librat e mbetur janë ato që kanë shpëtuar nga një përmbytje e vitit 1993. Libra të tërë u morën nga rrjedha e ujit.
Një karrige qëndron përballë dritares. Na shpjegojnë se ditë më parë, në atë kthinë qëndronte edhe tavolina ku ai punonte. Bashkëshortja, Lezja, e cila i është bërë bashkudhëtare poetit, e ka të vështirë të flasë. Me zë të mekur, e mbytur nga psherëtimat, teksa e pyet se si ishte një ditë e Ndocit thotë: krijimtari. Më tej nuk mundet. Mes librave të tij dallohet një dosje me kapakun gri. Sipër, me shkrim dore poeti ka shënuar: Ndoc Gjetja; të krijosh duke krishteruar”. E shfletojmë. Copëza shkrimesh ndër vite, fjalë të thëna nga ai vetë e të tjerët, mendime estetike mbi poezinë, intervista, reportazhe etj. Diku shkarravina, diku ndonjë korrigjim, ndonjë fjalë a fjali e shkruar sipër me stilolaps, skeda me të dhëna krijuar nga ai vetë... Duken të freskëta këto shënime. është një dosje që përmbledh pak a shumë jetën e tij krijuese. Atë që ai shihte vetë dhe si e shihnin të tjerët. Janë thuajse të ndara në kapituj, me tituj të shënuara nga ai vetë: Ndoc Gjetja për veten; nga dorëshkrimet te botimet e para; rreth procesit krijues të poezisë; revista, skena dhe ekrani, teatri poetik ‘Baraka dhe fundi i tij’, Një emër që mungon në antologji; portrete miqsh (Ismail Kadare, Petro Zheji, Petro Marko); autografe miqsh (artikuj shkruar për të). është një monografi në përgatitje e sipër. Në çdo fillim ka shënuar edhe numrin e faqes që do i përkiste. Mes rreshtave lexon fraza që të tingëllojnë më fort tashmë që ai nuk është. Janë shënime të viteve më parë, gati profetike ashtu si edhe poezia “Epitaf” që ka shkruar për veten. “Jeta e njeriut është e shenjtë, asnjë grimcë e saj nuk duhet t’ia falësh djallit”, shënon diku. I tërhequr, asnjëherë lakmitar, mes Tiranës dhe Lezhës, veç krijimtarisë, jeta e Ndoc Gjetjes është një histori më vete. Shumë herë e dhimbshme. Por miqtë e tij, ata me të cilët shkëmbente fjalë e ngrinte gota rakie, nuk e lanë vetëm. Të paktën vdiq me dinjitet! Fjala pasuri për të mund të thuhet veç për poezinë. Sot shtëpia e tij ka pamjen e një banese normale. Tri apo katër vjet më parë ishte vetëm një dhomë e vogël, e zymtë, me lagështirën që shkonte deri në mes të mureve. Mund të kishte ngelur edhe ashtu nëse disa nga miqtë e tij, Salvador Gjeçi, Pashk Përvathi e të tjerë nuk do ta kishin ndihmuar. Të paktën për të jetuar në një shtëpi për të qenë. “Në këto vite iku nga shtëpia, sepse nuk mund të jetonte më aty dhe hyri në një shtëpi me qira. Po atë vit u sëmur e shkoi në spital. Në këto kushte, në spital dhe në një shtëpi me qira, pa punë me një pension të vogël, nuk mundi të jetonte”, tregon miku i tij Salvador Gjeçi. Për momentin askush nuk të thotë dot nëse ka lënë ende poezi në dorëshkrim. “I jam lutur bashkëshortes së tij që të mos prekë asgjë nga ato që ka lënë Ndoci. Duhet të shohim me kujdes fletë për fletë se çfarë ka lënë, për t’i sistemuar e për t’i futur në një arkë të tijën”, thotë miku i tij Kujtim Dashi, i cili i ka kushtuar edhe një monografi. Ndoshta mund të botojnë një vëllim të plotë për të apo ndonjë kolanë. Flokët e thinjura e mjekra që i zgjatet poshtë qafës përhumben teksa kapaku i arkivolit mbyllet. I la pas të gjitha. Poezinë, gëzimet, brengat, familjen... Kortezhi niset. Epitafin e ka zgjedhur vetë ai: “Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja\i cili pati ardhur gabimisht në botë\nga vetja e tepruar nxirrte vjersha\dhe gjithë njerëzit i quante shokë”.
Për Petro Zhejin“Petro Zheji pas Rudolf Markut dhe Agim Isakut është njeriu që kujtoj shpeshherë. Kam 13 vjet pa e takuar dhe nuk di ku rron e si rron. Në kohën e monizmit kemi derdhur lumenj bisedash, pothuajse përditë e për gjithçka, që nga problemet e galaktikave e deri te kotherja e bukës. Për rreth dy vjet kam qenë magjepsur pas figurës së tij poliedrike dhe jetës boheme që bënte, pas fanepsjeve të tij profetike për gjuhën shqipe e, në përgjithësi, për gjithçka që e mundon njeriun përkundruall misterit të dijes e të padijes. Në bisedat tona asnjëherë s’ka munguar tema e antienverizmit. Ia kemi hapur zemrën njëri-tjetrit me sinqeritet fëmije dhe i kemi qëndruar njëri-tjetrit me një besnikëri që mua më duket e pakundshoqe. Po të kishin rënë fjalët tona në veshët e Sigurimit të Shtetit, mund të rraseshim në “shtëpitë pa qira” jo më pak se njëzet vjet secili...”.
Vizita e parë në Kosovë“Zemra i rrihte fort, i dukej e papërcaktuar ndjesia që provonte thellë në shpirt. Në këtë ndjesi ishin të përziera lëmshi emocional, shija që të jep shkelja në tokën që ka qenë e ndaluar gjatë gjithë jetës për shkaqe krejt absurde. Gëzimi që po takohesh me truallin e ndaluar të dheut amë, të copëtuar nga një padrejtësi historike, padurimi derisa të përqafosh njerëzit me të cilët ke të përbashkët gjakun dhe gjuhën, por që nuk ke pasur kurrë rastin t’ua shtrëngosh dorën, një farë bezdisje për të takuar oficerët dhe nëpunësit sllavë me atë gjuhën e tyre kërcitëse, gjithë bashkëtingëllore br, pr etj.”.
#