E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njihen 7 “moskëtierët" e parë të Kampioneve

Altin B. Kodra

Lioni, Reali i Madridit dhe Milani i bashkohen Bajernit, Liverpulit, PSV-së dhe Valencias në turin pasardhës, atë të 16-shes

Raundi i katërt i fazës së ndeshjeve në grupe të Ligës së Kampioneve ka bërë të ditur edhe 3 skuadra të tjera, të cilat sigurojnë të drejtën për të patur emrin e tyre në shortin e turit pasardhës, atë të 16-shes, që tani. Dhe është pikërisht Lioni, Reali i Madridit dhe Milani që i bashkohen Bajernit të Mynihut, Liverpulit, PSV-së së Eind'hovenit dhe Valencias në turin tjetër të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës. Ndërkaq, ashtu sikundër ndodhi me fituesen në fuqi, Barcelonën, të martën, edhe finalistja tjetër e sezonit të shkuar të Ligës së Kampioneve, Arsenali, e ka kompromentuar vazhdimin e saj të mëtejshëm në këtë veprimtari, pasi nuk shkoi dot më larg se një barazim i bardhë, në fushën e vet përballë rusëve të CSKA-së së Moskës, dhe tashmë mban vendin e tretë në grup, me pikë të barabarta me Porton, të cilën do ta vizitojë në ndeshjen e fundit në grup. Lioni dhe Reali i Madridit kanë vuajtur në fushën e tyre, përkatësisht përballë Dinamos së Kievit dhe Steausë së Bukureshtit, por janë mjaftuar me një gol të vetëm për të marrë 3 pikët që i sigurojnë matematikisht vendin në 16-shen e Ligës së Kampioneve. Karim Benzema, pas një cerek ore lojë, ka qenë shënuesi i golit të vetëm të Lionit, ndërsa madrilenëve iu desh një autogol i Nikolitas, 20 minuta para përfundimit të ndeshjes, për të siguruar fitoren, ndonëse duhet theksuar se Van Nistelroi humbi një 11-metërsh për vendasit vetëm 3 minuta më pas. Ndërkaq, Milani ka përzënë "fantazmat" e humbjes në derbi përballë Milanit, duke ngadhënjyer bindshëm, 4-1, kundër belgëve të Anderlehtit, ku padyshim ylli i ndeshjes ishte braziliani Kaka, i cili shënoi një trigonësh, ndërsa Xhilardino vazhdon të zhbllokohet plotësisht, pasi shënoi golin e katërt të kuqezinjve milanezë, që për të ishte i dyti radhazi në pak ditë. Ndërsa gjithcka mbetet e hapur për Mancester Junajtid dhe Sëlltikun, që dje u mundën, përkatësisht përballë FC Kopenhagës dhe Sëlltikut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›