E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njihet nota për maturantët që e kanë dhënë provimin me zgjedhje

Autori i Lajmit: Red.
“Rregullorja e re i favorizon nxënësit në provimet e lëndëve me zgjedhje, pasi sivjet, ndryshe nga vitet e kaluara, maturantëve që i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t u njihet rezultati i fituar”

Rregullorja e Maturës Shtetërore, e cila u firmos dje nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, ka pësuar disa ndryshime krahasuar me një vit më parë. Ndryshimet pritet ta bëjnë më komod procesin e provimeve për maturantët. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), Edmond Lulja, pohoi dje se "rregullorja e re parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, dhe A1Z (gjeneralitetet e maturantit), me të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje". Shtimi i lëndëve me zgjedhje është një nga risitë e rregullores së re, pasi nga 9 lëndë që ishin vjet, këtë vit shtohet edhe lënda e gjuhës italiane, me të drejtë zgjedhjeje nga maturantët. Kështu, nga 10 lëndë të mundshme me zgjedhje, këtë vit në dispozicion të maturantëve, 3 prej tyre janë gjuhë të huaja. “Fjala është për gjuhët angleze, frëngjisht dhe italisht, ku maturantët do të mund të zgjedhin vetëm një gjuhë nga tri të mundshme, të listuara si lëndë me zgjedhje”, - tha Lulja. Sipas tij, rregullorja e re i favorizon nxënësit në provimet e lëndëve me zgjedhje, pasi sivjet, ndryshe nga vitet e kaluara, maturantëve që i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t u njihet rezultati i fituar. Rregullorja e re këtë vit, u njeh maturantëve edhe të drejtën e ankimit, ku nxënësve do t u vihen në dispozicion 4 ditë për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. Ndërsa provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë nuk kanë pësuar ndryshime, ku çdo test do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Rregullorja e re e Maturës Shtetërore, e vlefshme për këtë vit shkollor, detajon gjithë të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, procedurat që duhet të ndjekin administratorët e provimeve si dhe sanksionet ndaj maturantëve, nëse abuzojnë në testim. Sistemi i Maturës Shtetërore, i krijuar katër vite më parë, synon reformimin e arsimit të mesëm dhe mirorganizimin e pranimeve të studentëve të rinj në universitete.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›