E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma Parlamentare e Institutit për Integrim

Autori i Lajmit: Red.
Ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë nëpërmjet një projekti i kanë paraqitur Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë kërkesat e tyre për ndryshime në ligjin “Për të përndjekurit politikë”. Në një prononcim ekskluzivisht për gazetën “Ballkan”, drejtori i Institutit për Integrim të ish- të përndjekurve politikë, Simon Mirakaj, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të marrë parasysh këto kërkesa, pasi janë bërë shumë padrejtësi për një pjesë të ish- të përndjekurve dhe të dënuarve, duke i përjashtuar nga ky ligj për të vetmin fakt se nuk u gjendet dokumentacioni apo emri në arshivat e Ministrisë së Brendshme, para vitit 1990. Sipas tij, jo pak, por 4900 të dënuar dhe të internuar në kampin e Tepelenës, gjatë viteve 1945-54, janë përjashtuar nga dëmshpërblimi padrejtësisht. Ai theksoi më tej: “Kemi tri pika, të cilat duam që të pasqyrohen në ndryshimet e ligjit “Për ish- të përndjekur politikë”. E para, të njihen pushkatimet pa gjyq pas vitit 1948. Pika e dytë konsiston në faktin se trashëgimia e dëmshpërblimit të ish- të përndjekurve të përfitohet edhe nga motra dhe vëllai i viktimës apo vuajtësit, pasi në këtë ligj kufizohet vetëm nga gruaja dhe fëmijët. Dhe pika e tretë është njohja e internimit në vitin 1948-1954. E them këtë për faktin se Ministria e Brendshme nuk disponon dokumente të mjaftueshme për këtë periudhë, dhe ligji thotë se njihen dokumente të arshivuara para 1990. Në vitin 1993 është krijuar një komision, i cili u quajt trepalësh, ku njerëzit kanë paraqitur kërkesat që dispononin, nëpërmjet deklaratave dhe dëshmive pranë këtij komisioni. Ky komision u ka dhënë vërtetimet e internimit. Këto dokumente janë tashmë të arshivuara në Ministrinë e Brendshme, mirëpo janë arshivuar pas 1990-ës dhe ligji i ka nxjerrë jashtë. Kampi i internimit në qytetin e Tepelenës ka ngelur jashtë ligjit dhe këta persona nuk përfitojnë dëmshpërblim. Nga 5 mijë vetë që kanë qenë të internuar në vitet 1945-54 mund të përfitojnë nga ligji vetëm 100, të cilëve u janë gjetur, për fatin e tyre, emrat në Ministrinë e Brendshme. Janë 100 emra që janë liruar në atë përiudhë dhe kjo listë ndodhet në ministri. Ndërsa për sa i përket pjesës tjetër, pra 4900 personave të tjerë, nuk ka asnjë dokumentacion të periudhës para 1990-ës, dhe për këtë arsye është krijuar në 93-in komisioni trepalësh, nga një përfaqësues nga Ministria e Brendshme, një nga e Drejtësisë, dhe një përfaqësues nga ish-komitetet e të përndjekurve, pasi në vitin që u krijua Instituti i Integrimit që quhet sot, quhej komitet. Ne kërkojmë që të njihen vërtetimet e dhëna nga ky komision, komisioni trepalësh, sepse ka qenë një organizëm ligjor dhe i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave asokohe. Për sa i përket ligjshmërisë së këtyre dokumentacioneve, shteti ka instrumentet e veta që mund t i verifikojë ato përsëri. Nuk e përjashtoj që në këtë mori vërtetimesh nuk mund të ketë dhe abuzim, por shteti ka institucionet e veta për t i parë se sa të ligjshme janë vërtetimet. Propozimet tona janë një nismë parlamentare, ia kemi nisur kërkesat Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, jemi në pritje të veprimeve konkrete. Ditët në vijim do të ketë takime ndërmjet komisioneve parlamentare dhe Institutit për Integrim të ish- të përndjekurve si dhe me Ministrinë e Drejtësisë”, - përfundoi Simon Mirakaj, kreu i Institutit të të përndjekurve.
Kërkesat
1.Të njihen pushkatimet pa gjyq pas vitit 1948
2. Trashëgimia e dëmshpërblimit të përfitohet edhe nga motra dhe vëllai i viktimës apo vuajtësit
3. Njohja e internimit në vitet 1948-1954 dhe e vërtetimeve të dhëna nga komisioni trepalësh i vitit 1993.

Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›