E Diel, 1 Nëntor 2026

Njolloset Superliga dhune e tension gjate ndeshjeve

Gara për titullin kampion, por edhe vetë Superliga është njollosur sërirish nga gjeste anti sportive që shoqëruan javën e 30-të të kampionatit elitar të futbollit shqiptar. Portieri i Flamurtarit Shpëtim Moçka u godit me gurë në transfertën e skuadrës vlonjate në fushën e Laçit, episod ky që solli ndërprerjen e ndeshjes për gati 45 minuta.

Numri një i portës kuqezi u dërgua për të marrë ndihmën e parë në spital, ndërkohë që policia boshatisi tribunën e stadiumit të Laçit. Sfida nisi pas shumë debatesh mes drejtuesëve të skuadrave dhe atyre të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që rezultati u mbyll në shifrat 1-1. Laçianët do të shënonin që në minutën e parë me Hysën, ndërsa Flamurtari do të barazonte me Ahmataj në pjesën e dytë, duke iu larguar më tej garës për titullin kampion.

Nga barazimi i vlonjatëve ka përfituar Skënderbeu që ka mundur 1-0 Tiranën me një 11-metërsh të diskutuar që prodhoi tension, në jo vetëm në fushën e lojës, por edhe te tifozët kryeqytetas. Arbitrat janë kontestuar gjatë nga shkallët e stadiumit për vendimet e tyre, ku përveç penalltisë që vendosi takimin, kryesori Hoxha nxorri me karton të kuq mbrojtësin e Tiranës Gozdenoviç.

Gjithsesi, Skënderbeu ka siguruar fitoren dhe kur mbeten tre javë nga fundi i sezonit e sheh veten shumë pranë titullit me katër pikë më shumë se Flamurtari.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›