E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njomza, përherë me bukuri të njomë!

Autori i Lajmit: red.
Vajza e bukurisë nuk është e panjohur për botën, sikundër nuk është e panjohur as për botën shqiptare. Njomza Rozhaja, njëra nga Miss-et e Kosovës mund të shquhet për aristokracinë e saj, bukurinë, shquhet edhe për inteligjencën dhe modestinë. Bukuroshja kosovare tregon çelësin e bukurisë së saj dhe njëkohësisht eksperiencën e një bankiereje Miss. Megjithëse nënë dhe një ekonomiste e zonja, Njomëza njihet më së shumti për bukurinë. Ashtu si në rapsodin popullor shqiptar, që i këndon bukurisë së vashave, Njomza është një madone që mund ta gjesh edhe në lashtësi. Bukuri tmerrësisht e dashur. Bukuroshja që hypi në fronin e bukurisë kosovare ishte edhe Njomza Rozhaja.

Njomza, edhe pse kanë kaluar disa vjet, ende mbani fronin (moral) dhe simbolik të bukurisë shqiptare. Cila është receta?
Hahahaha....faleminderit për këtë vlerësim që ma keni bërë, mund të them që jam përpjekur ta mbajë epitetin e femrës shqiptare.
Çfarë është bukuria për ju?
Bukuria e jashtme në njëfarë mënyre e përfaqëson njeriun edhe përbrenda se çfarë mund të jetë.
A do të konkurronit sërish, po të hapej një konkurs bukurie në Kosovë?
Po të isha në moshën që kam qenë kur kam konkurruar për herë të parë do të konkurroja përsëri.
Ju ka shërbyer ndonjëheër bukuria?
Unë mendoj që bukurisë, njeriu, çdo herë, nuk do të thotë t ia shohë “hairin”. Ndonjëherë bukuria mund të jetë edhe pengesë, sepse tek ne, është krijuar një përshtypje se nëse një femër është e bukur, ajo nuk është e mençur, e pastaj si në fakultet ashtu edhe në punë, të duhet të punosh shumë për të thyer atë tabu.
A keni provuar të merreni edhe me këngë, film, apo ndonjë pasion tjetër në fushën e artit?
Me këngë dhe film nuk kam provuar të merrem, edhe pse kam pasur oferta nga produksione të ndryshme, që të merrem me muzikë, por unë nuk kam patur dëshirë (më ka falur Zoti bukurinë, por jo edhe zërin). Nuk mjafton të jesh vetëm e bukur, për t u marrë me muzikë apo film.
Sot, femrat e shikojnë mashkullin më shumë në kokë, apo në këmbë?
Unë nuk do të kisha dëshirë, as të mendoj, që vajzat e shikojnë mashkullin për çfarëdo arsye tjetër, e jo kokën.
Çfarë iu shtyu të konkurronit për Miss Kosova?
Arsyeja që unë vendosa të konkurroja për Miss, ishte se organizimi i këtij evenimenti bëhej për herë të parë në mbikëqyrje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Keni patur pengesa nga familja?
Vëllai im ishte kundër këtyre organizimeve, por Organizata, të cilës iu dha e drejta për organizimin e “Miss Peja” bisedoi me vëllain tim dhe arritën ta bindin për një organizim të mirëfilltë, pastaj mora pëlqimin prej tij.
Shumë njerëz iu njohin vetëm si Miss. Cila është karriera juaj prapa skenës?
Pasi kam fituar kurorën e më të bukurës së Kosovës, kam filluar të merrem me modelim. Kam pranuar ftesën nga Fadil Berisha dhe kam shkuar në Amerikë për fotografime. Kam bërë fotografi për katalogë të ndryshëm; i fundit ka qenë për kompaninë e mirënjohur ”Jovani” .
Keni dëshire të merreni me politikë. Nëse po, pse, nëse jo, pse?
Jo, nuk kam dëshirë të merrem me politikë, sepse gjithmonë, edhe në moshë të vogël, nuk e kam dashur politikën dhe ende vazhdoj të kem atë mendim.
Cili është roli i femrës sot në Kosovë?
Mendoj që roli i femrës sot, në Kosovë, ka filluar të jetë i barabartë me meshkujt, mirëpo kjo varet edhe nga rrethi ku jeton dhe sa ai rreth e vlerëson dhe respekton femrën.
Thuhet se bukuria mposht të gjitha sfidat, mposht çdo vështirësi?
Është e vërtetë, mirëpo vetëm në rastet kur bukurisë i bashkëngjitet edhe mençuria, se përndryshe jo.
Ndiheni me fat që jeni e bukur?
Sigurisht se po, edhe pse unë së pari i falënderohem Zotit, e për të tjerat që m i ka dhuruar, nuk janë rezultat i bukurisë.
Keni qenë ndonjëherë në siklet?
Po, më ka ndodhur shumë herë, sidomos në punë. Puna në bankë kërkon përgjegjësi të madhe.
Cili është çasti me i lumtur dhe çasti më i hidhur në jetë?
Çasti më i lumtur i jetës time është padyshim kur kam lindur djalin tim Deonin. Kurse, çaste të hidhura ka, po jo ndonjë për ta veçuar.
A të ofron Prishtina kënaqësi dhe ngrohtësi shpirtërore?
Po, më ofron shumë kënaqësi, sepse kam burrin dhe djalin, por pa e anashkaluar asnjëherë Pejën, sepse në Pejë kam kaluar një pjesë të jetës time dhe atje kam prindërit që më bëjnë të ndihem shumë e pasur në shpirt.
Punoni në një bankë, ndërkohë që bashkëshorti juaj në Interpress Compani. Pse nuk punoni në firmën e bashkëshortit tuaj?
E thashë edhe më lart, unë jam përcaktuar të punojë në profesionin tim, si bankiere dhe e dua punën që bëjë.
A ka Kosova shumë bukuroshe?
Mendoj që ne shqiptarët jemi njerëz të bukur dhe në Kosovë ka shumë femra të bukura.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›